Llojet e strehimeve të ilegales
Në historinë e përpjekjeve për liri të shqiptarëve në Kosovë, figura e jatakut – njeriut që i jepte strehë një të përndjekuri politik – qëndron si një nga përmasat më fisnike dhe më të heshtura të rezistencës. Ky ishte njeriu i zakonshëm që, pa mbajtur tituj ose armë në dorë, mbante në supet e tij pesha të rënda morale, rrezik personal dhe përgjegjësi kombëtare. Në kontekstin e pasluftës së dytë botërore dhe sidomos në vitet e para të regjimit komunist jugosllav, jatakët e ilegales shqiptare u përballën me një makineri shtypëse që përdorte gjyqet politike si mjet frikësimi dhe asgjësimi të çdo fryme kundërshtie.
Ata që nuk arritën ta përshkonin këtë rrugë shpëtimi – shumë prej tyre të kapur nga sigurimi shtetëror përpara se të arratiseshin – u bënë objekt i një vale të ashpër ndëshkimi. Arrestimet ishin masive dhe të motivuara politikisht, dhe pas tyre u organizuan procese të njëanshme gjyqësore, që nuk kishin për qëllim as drejtësinë, as zbardhjen e të vërtetës, por vetëm demonstrimin e forcës së pushtetit dhe mbjelljen e frikës kolektive. Këto procese përfundonin me dënime të rënda me vite të gjata burgimi, ndërsa në disa raste – pa asnjë provë, pa ndonjë akuzë të bazuar juridikisht – të pandehurit u pushkatuan, duke u eliminuar fizikisht në emër të një “rendi socialist” që e shihte çdo kërkesë për liri si akt armiqësor.
Faji i tyre i vetëm, në sytë e aparatit shtetëror, ishte se kishin menduar ndryshe, kishin dashur më shumë për Kosovën, dhe kishin besuar në të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje. Ata kishin marrë pjesë në veprimtari ilegale, kishin shpërndarë literaturë patriotike, kishin biseduar për bashkimin me shtetin amë – Shqipërinë – ose kishin ndihmuar të tjerët që vepronin në këtë drejtim. Pra, mëkati i tyre nuk ishte kriminal, por ideor dhe kombëtar. Ata ishin të organizuar, të ndërgjegjshëm dhe të vendosur për të kërkuar pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë.
Në këtë kontekst, është e domosdoshme të kuptohet se përndjekja ndaj tyre nuk përfaqësonte thjesht reagim ndaj një rreziku të përkohshëm, por pjesë e një strategjie të gjerë të shtetit jugosllav për të shuar çdo zë të mendimit të lirë dhe për të shtypur aspiratat legjitime të popullit shqiptar për barazi, identitet dhe shtetësi të plotë. Këto veprime nuk ishin raste të izoluara të tejkalimit të kompetencave nga organet shtetërore, por përkundrazi, ishin politika të institucionalizuara të frikës, dhunës dhe përjashtimit, të cilat e godisnin një popull të tërë përmes individëve më të guximshëm dhe më të vetëdijshëm të tij.
Për të mbrojtur veten dhe për të ruajtur nga zbulimi si individët ashtu edhe veprimtarinë e tyre atdhetare, ilegalistët ishin të detyruar të zhvendoseshin në një ilegalitet të thellë e të mirëorganizuar. Ky ishte një realitet i pashmangshëm, sepse çdo lëvizje e tyre, sado e vogël, shihej nga pushteti si kërcënim i drejtpërdrejtë dhe si veprim i dënueshëm me ashpërsi.
Në këtë kuadër, angazhimi i tyre nuk kufizohej vetëm në realizimin e misioneve të përcaktuara nga ideali kombëtar, por shtrihej edhe në krijimin dhe mirëmbajtjen e kushteve të sigurta, ku anonimiteti ishte arma kryesore e mbijetesës. Çdo takim, çdo komunikim dhe çdo strehim duheshin planifikuar me një përpikëri të jashtëzakonshme, në mënyrë që të mos linte gjurmë apo dyshime.
Ky dimension i veprimit kërkonte jo vetëm përkushtim të plotë, por edhe kujdes të shtuar dhe rigorozitet absolut në çdo hap, sepse mjaftonte një gabim i vetëm për të vënë në rrezik jo vetëm individin, por tërë rrjetin ilegal dhe vetë kauzën që ai mbronte.
Përveç ofrimit të strehimit, jatakët kishin mbi supe edhe një barrë tjetër të rëndë e jetike për vijimësinë e lëvizjes ilegale, sigurimin dhe fshehjen e materialeve të ndryshme propagandistike e organizative, të cilat hartoheshin dhe shpërndaheshin në qytete e fshatra, në të gjitha trevat shqiptare nën ish-Jugosllavi.
Këto materiale – që për pushtetin përfaqësonin prova të pakontestueshme “faji” – duheshin ruajtur me mjeshtëri, duke u vendosur në vende të padukshme e shpesh duke u kamufluar në mënyra kreative: nën shtresa dyshekësh, në tavanë të errët, në mure të dyfishta ose midis sendeve të zakonshme të shtëpisë.
Shpeshherë ndodhte që shtëpitë e ndryshme të shndërroheshin në depo të heshtura të rezistencës, ku fletushkat, trakte e dokumentet organizative ruheshin në fshehtësi të plotë, duke pritur momentin e duhur për t’u shpërndarë. Kjo veprimtari kërkonte jo vetëm guxim dhe besnikëri të palëkundur, por edhe zgjuarsi të jashtëzakonshme, sepse çdo zbulim i tyre mund të çonte jo vetëm në shkatërrimin e rrjetit ilegal, por edhe në dënime të rënda për të gjithë ata që kishin marrë pjesë në ruajtjen e tyre.
Edhe unë bashkë me burrin kemi përjetuar një ngjarje të ngjashme, e cila më ka mbetur thellë në kujtesë si një dëshmi konkrete e klimës së frikës dhe survejimit të asaj kohe. Ishte koha kur, si student në Beograd, patëm vizituar Ambasadën e Shqipërisë dhe, me një emocion të veçantë, morëm me vete një kopje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe disa revista në gjuhën shqipe – për ne ato ishin jo thjesht materiale të shtypura, por një urë shpirtërore që na lidhte me atdheun dhe idealet kombëtare.
Mirëpo, pas përfundimit të studimeve, sapo u kthyem në Prishtinë, vumë re se rrethi i survejimit rreth nesh po shtohej. Lëvizjet tona nuk ishin më të lira, sytë e pushtetit na ndiqnin në çdo hap. Një mik, i cili punonte në strukturat e sigurimit, na dha një paralajmërim të tërthortë, aq të hollë sa vetëm ai që e njihte mirë rrezikun mund ta kuptonte plotësisht. Na tha se duhej të largonim menjëherë çdo gjë që mund të na komprometonte, sepse vizita e udbashëve në shtëpi ishte çështje minutash.
Në atë çast, instinkti dhe vendosmëria u bënë një. Materialet komprometuese – Kushtetutën e Shqipërisë dhe revistat në shqip – i fshehëm me kujdes brenda disa revistave serbe, duke i bërë të duken si pjesë e një biblioteke krejt të zakonshme. Pak minuta më vonë, hetuesit erdhën, me qëllimin e qartë për të gjetur “provën e fajësisë” që do të na çonte drejt një burgosjeje të sigurt. Ata kontrolluan gjithçka, por jo “revistat e tyre”, të cilat në fakt mbanin të fshehur frymën e një ideali.
Faleminderit Zotit, atë ditë shpëtuam nga burgu i përgatitur për ne. Por ngjarja mbeti një mësim i përjetshëm për mua. Në kushtet e një regjimi shtypës, mbijetesa kërkonte jo vetëm guxim, por edhe zgjuarsi të jashtëzakonshme, aftësinë për të fshehur të vërtetën në dritën e syrit të armikut.
Nga hulumtimet dhe leximet mbi historinë e lëvizjes ilegale shqiptare, më ka bërë përshtypje fakti se shumë organizata dhe individë, të angazhuar në veprimtari të fshehta, zhvillonin një strategji të kujdesshme dhe të menduar mirë për mbrojtjen e materialeve të tyre. Çdo dokument, trakt, shkrim a shenjë e vogël që dëshmonte për aktivitetin e tyre, duhej të ruhej me një maturi të skajshme, sepse zbulimi i tij nga pushteti do të kishte pasoja të rënda, si për individin që e mbante, ashtu edhe për të gjithë rrjetin ilegal ku ai bënte pjesë.
Historitë e dëgjuara dhe të dokumentuara tregojnë se fshehja e materialeve komprometuese ishte një veprim që kërkonte jo vetëm guxim, por edhe afinitet dhe njohje të mirë të terrenit. Në shumë raste, për të shmangur çdo dyshim, ato nuk mbaheshin në shtëpi apo ambiente të lidhura me veprimtarët, por vendoseshin në vende të largëta e të papritura, ku syri i armikut nuk arrinte lehtë.
Ndër metodat më të përdorura, zakonisht përmendën varrezat, ku materialet fshiheshin nën një varr të improvizuar, apo pranë gurëve të mëdhenj, duke shfrytëzuar respektin e natyrshëm që njerëzit kishin ndaj atyre vendeve, si dhe faktin se pushteti rrallë guxonte t’i kontrollonte në mënyrë të detajuar. Po ashtu, fushat e gjera dhe malet e thepisura ishin strehë të përshtatshme. Dokumentet vendoseshin në kavanoza të vogla plastmasi për ti ruajtur nga lagështia dhe vendoseshin në zgavra shkëmbinjsh, në rrënjë pemësh të mëdha, apo nën tokën e shkelur nga bagëtitë, duke i bërë të padukshme edhe për kërkimet më të kujdesshme.
Këto vendstrehime jo vetëm që garantonin sigurinë e materialeve, por ishin edhe një shprehje e lidhjes organike të lëvizjes ilegale me natyrën dhe hapësirën shqiptare – një lidhje ku tokat, varret, malet e fushat bëheshin pjesë e heshtur e rezistencës.
Roli i grave jatake
Një aspekt shpesh i anashkaluar në rrëfimet e njerëzve është roli i grave jatake – nëna, motra, bashkëshorte – të cilat jo vetëm strehojnë, por përkujdesen, mbështesin, ruajnë dhe organizojnë logjistikën e të gjithë qëndrimit të ilegalëve. Emrat e shumë nënave kosovare qëndrojnë përkrah emrave të burrave që luftuan, sepse aty ku u mbrojt fjala, u mbajt jeta, dhe aty ishte gjithmonë një dorë e heshtur e një gruaje shqiptare.
Në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore, historia na dëshmon një dimension shpesh të lënë në hije, por thelbësor për mbijetesën e rezistencës shqiptare: rolin e grave. Në odat shqiptare, të cilat për shekuj me radhë kishin qenë vend kuvendesh burrash e strehë mikpritjeje, gratë shqiptare me një përkujdesje e besnikëri të rrallë, bashk me burrat e tyre kishin hapur dyert për patriotët e arratisur, duke i pritur jo si mysafirë të zakonshëm, por si pjesë të gjakut e shpirtit të tyre. Shpeshherë, këto gra i strehuan luftëtarët pa iu dridhur qerpiku, pa iu ligështuar zemra, duke e ditur se çdo hap i tyre shoqërohej nga hija e vdekjes dhe ndëshkimit të pamëshirshëm të pushtuesit.
Odat e grave shqiptare, të mbushura me aromën e bukës së pjekur e zërin e fëmijëve, u shndërruan në kështjella të padukshme të lirisë. Aty, patriotët gjenin jo vetëm një strehë për të kaluar natën, por edhe ngrohtësinë e një familjeje të vërtetë. Gratë nuk u kursyen duke përgatitur ushqim, qepnin rroba, shëronin plagë, e mbi të gjitha, ruanin fshehtësinë me një vendosmëri që krahasohej me guximin e burrave. Çdo gjest i tyre, nga ndarja e kafshatës së fundit deri te vendosja e trupit të tyre përpara rrezikut, ishte dëshmi e një dashurie të pakushtëzuar për kombin.
Ky akt nuk ishte thjesht mikpritje tradicionale. Ishte një formë e lartë e rezistencës, e cila i jepte lëvizjes ilegale shqiptare mbështetjen më jetike, sigurinë se kishte ku të kthehej, se kishte kush ta ruante e ta ushqente, se kishte kush t’i jepte besën se nuk do të tradhtohej. Në këtë mënyrë, gratë shqiptare u bënë hallka të padukshme, por të pazëvendësueshme, të rezistencës kombëtare.
Roli i grave në këtë infrastrukturë të rezistencës ilegale është ende i pa hulumtuar sa duhet, por duhet ditur se është thelbësor. Gratë ishin mbajtëset e heshtjes. Ato ruanin sekretin, përgatitnin ushqim për të fshehurit, mbanin korrespondencën ilegale të maskuar si letra familjare, dhe mbi të gjitha, mbronin fëmijët nga e vërteta, sepse shpesh edhe fjalët e pafajshme të një të mituri mund të ishin fatale në një regjim ku informacioni përbënte armë.
Ka rrëfime se vajzat e reja shpesh shërbenin si ndërlidhëse, pasi më pak dyshoheshin nga organet e sigurisë. Në shumë raste, ato shfrytëzonin daljet e zakonshme “në treg” apo “te halla” për të bartur trakte të fshehura nën veshje, ndërsa djemtë e vegjël dërgonin letra apo sinjale mes shtëpive, të koduara në mënyra të çuditshme, shpesh përmes fjalëve që dukeshin të padëmshme.
Prandaj, në historinë e qëndresës sonë, këto gra nuk duhen kujtuar vetëm si nëna, bashkëshorte apo motra, por si gardiane të heshtura të lirisë. Ato, me qëndrueshmërinë dhe sakrificën e tyre të përditshme, treguan se lufta për liri nuk zhvillohej vetëm në male e beteja, por edhe në pragun e shtëpisë, në odën e nderit, aty ku mikpritja u shndërrua në akt të lartë patriotizmi.
Vijon
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
