FMN: Kosova e fundit në Europë për të ardhura për frymë më 2025, thellohet hendeku me rajonin

Kosova vazhdon të mbetet shteti me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë edhe për vitin 2025, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), duke nxjerrë në pah dobësitë strukturore të ekonomisë dhe ngecjen në standardin e jetesës krahasuar me vendet e rajonit. Me vetëm 8,033 dollarë për frymë, Kosova renditet në fund të listës europiane, pavarësisht rritjes nominale ekonomike të raportuar në vitet e fundit. Të dhënat tregojnë se kjo rritje nuk është përkthyer në mirëqenie reale për qytetarët dhe nuk ka mjaftuar për të ngushtuar diferencën me fqinjët. Në krahasim rajonal, Serbia kryeson me rreth 15.3 mijë dollarë për frymë, e ndjekur nga Mali i Zi me 14.9 mijë dollarë, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina renditen gjithashtu mbi Kosovën. Edhe Shqipëria, megjithëse mbetet ndër vendet më të dobëta në Europë për këtë tregues, ka arritur rreth 11 mijë dollarë për frymë, dukshëm më lart se Kosova. Sipas këtij treguesi, Kosova renditet e 98-ta në botë, duke dëshmuar kufizim serioz të fuqisë blerëse dhe ekspozim të lartë ndaj kostos së jetesës dhe strukturës së dobët prodhuese.

Kontrolloni gjithashtu

Ish-ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, është emëruar të martën zëvendëssekretare e Përgjithshme e NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake. NATO-ja tha se shefi i aleancës, Mark Rutte, vendosi ta emërojë Shekerinskan si zëvendëssekretare të ardhshme. “Kam kënaqësinë të njoftoj emërim e Radmila Shekerinska si zëvendëssekretare të Përgjithshme. Ajo beson vërtet në NATO, e di punën që nevojitet për të qenë pjesë e aleancës, dhe çfarë do të thotë të jesh anëtar i plotë”, tha Rutte. Ajo do ta marrë zyrtarisht detyrën e re në fund të këtij viti, duke qenë se ka shërbyer në të kaluarën si zëvendësministre për Integrim Evropian dhe ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë, përfshirë gjatë kohës kur vendi i saj iu bashkua aleancës së NATO-s më 2020. Shekerinska do ta zëvendësojë zëvendëssekretarin e Përgjithshëm në detyrë, Boris Ruge, i cili e mori këtë pozitë përkohësisht në fillim të vjeshtës, pasi zëvendëssekretari i atëhershëm, Mirçea Geoana njoftoi se do të garonte për president të Rumanisë.

NATO: Shqipëria dhe Kroacia aleatë kyç në dialogun Kosovë-Serbi mbetet prioritet

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka komentuar takimin trilateral mes Kosova, Shqipëria dhe …