Deputeti i Aleancës Ramush Haradinaj, ka vlerësuar rolin e Gjermanisë në procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që Berlini i ka dhënë vendit ndër vite. Haradinaj ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë me rastin e Ditës së Unitetit Gjerman, ku ka zhvilluar një bisedë edhe me ambasadorin gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph. Në një postim, Haradinaj ka folur për rëndësinë historike të bashkimit të Gjermanisë, duke e cilësuar atë si një shembull të lidershipit në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë. Sipas tij, Gjermania ka luajtur rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe në botë. Në këtë kontekst, Haradinaj ka vënë theks të veçantë te raportet Kosovë-Gjermani. Ai ka deklaruar se Gjermania ka dhënë mbështetje të madhe për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe se për këtë kontribut qytetarët e Kosovës do të jenë gjithmonë mirënjohës. “Gjermania ka dhënë mbështetje shumë të madhe për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe për këtë, populli ynë do të jetë përgjithmonë mirënjohës”, ka shkruar Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
