Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka deklaruar se Kosova duhet të tregojë kujdes të veçantë në çdo ndërhyrje që prek funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Duke komentuar ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Miftaraj ka thënë se Kosova nuk mund të shmangë detyrimet ndërkombëtare që lidhen me këtë institucion. Sipas tij, çështja nuk duhet të trajtohet vetëm si një debat i brendshëm politik apo juridik, pasi mandati dhe funksionimi i Dhomave të Specializuara lidhen edhe me obligime që Kosova i ka marrë në raport me partnerët ndërkombëtarë. Miftaraj ka vlerësuar se çdo ndryshim që prek mandatin, strukturën apo funksionalitetin e Dhomave të Specializuara duhet të shqyrtohet me shumë kujdes. Ai ka insistuar që për çdo ndërhyrje të ketë konsultim të plotë me partnerët ndërkombëtarë. “Çkado që preket me këtë ligj, e para duhet me qenë në harmoni, në konsultim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka deklaruar Miftaraj. Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me ndryshimet, duke argumentuar se ato bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe duke kërkuar respektimin e pavarësisë së Dhomave të Specializuara. Miftaraj ka argumentuar gjithashtu se një çështje kaq e ndjeshme, që lidhet me ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe proceset në Hagë, do të duhej të trajtohej përmes një diskutimi më të gjerë ndërmjet partive politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
