(Ramë Oraca, Ylfetja- Ag Lirie (Libër-homazh kushtuar heroinës së kombit Ylfete Humollit), Prishtinë, 2025)
Diku mes qershorit dhe korrikut të vitit 2025, , në një verë që rrëshqiste qetë pa lënë shumë gjurmë, miku im dhe shkrimtari nga Besiana (Podujeva), Ramë Oraca, m’u drejtua me një kërkesë të thjeshtë në formë, por të thellë në peshë emocionale dhe kuptimore: të shkruaja për heroinën e Llapit, Ylfete Humollin. Kërkesa e tij nuk ishte detyrim formal, por një thirrje e kujtesës dhe përgjegjësisë ndaj historisë sonë kolektive. Ajo vinte në një çast kur fjala e shkruar kërkonte ndjeshmëri të veçantë, sepse bëhej fjalë për një figurë që mbartte sakrificë, guxim dhe heshtje të thellë. Më kishte shkruar se Lidhja e shkrimtarëve në Besian kishte vendosur që shkrimet, në stile e zëra të ndryshëm, t’i bashkonte në një libër-homazh.
Ky libër synonte të ishte më shumë se një botim: një hapësirë e përbashkët reflektimi për një vajzë që hyri në histori përmes veprës. Në atë çast, ftesa m’u duk si një ndalesë e domosdoshme në rrjedhën e ditëve, një kthim kah sakrifica femërore në historinë tonë.
Të shkruash për Ylfeten do të thoshte të përballeshe jo vetëm me faktet, por edhe me heshtjet mes tyre.
Ramë Oraca, përveç shkrimit, më kishte besua edhe rolin e redaktores së librit.
Ky besim ishte një nder i rrallë dhe një përgjegjësi morale e thellë. Kështu, fjala u shndërrua në pietet, dhe shkrimi në dëshmi që refuzon harresën. Pa asnjë hezitim e pranova kërkesën, ndonëse dita ime ishte tashmë e mbushur me obligime të shumta e të ndryshme, që kërkonin kohë, përqendrim dhe energji. Megjithatë, përballë një thirrjeje që vinte nga kujtesa dhe përgjegjësia morale, ngarkesa e përditshmërisë humbi peshën e saj. Ishte një vendim i menjëhershëm, i marrë më shumë me ndjenjë sesa me llogari, sepse kishte tema që nuk maten me kohë, por me domethënie.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
