Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: NJË LIBËR ME DËSHMI TË SHUMTA INDIVIDUALE DHE VLERA SHKENCORE

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: MBI JETËN ME MASKA – MIDIS FRIKËS, PËRSHTATJES DHE HIPOKRIZISË

Pas një udhëtimi të shkurtër jashtë vendit, u ktheva me një mall të thellë për familjen dhe gjërat e dashura që e bëjnë jetën kuptimplotë. Një nga vizitat e para ishte ajo në banesën e bijës sime, Arta Basha-Jakupit, të cilën e kishte ndërtuar dhe mobiluar me kujdes, përkushtim dhe shije të spikatur estetike. Pas përshëndetjeve të ngrohta dhe çmalljes që gjithmonë shoqëron takimet me të, sytë më shkuan natyrshëm drejt ambientit të brendshëm të banesës. Çdo kënd, çdo zgjedhje mobilimi, çdo ngjyrë dhe strukturë dëshmonin për një mendje krijuese dhe një dorë mjeshtërore që e njihte thellë artin e arkitekturës dhe dizajnit të brendshëm.

E shpreha hapur admirim tim, me një krenari që vetëm një nënë mund ta ndjejë kur përballet me suksesin dhe vlerën e fëmijës së saj. Ajo, me një buzëqeshje të ngrohtë dhe paksa lozonjare, më tha: “Epo mami, nuk jam kot arkitekte!”. Ishte një përgjigje e thjeshtë, por e mbushur me domethënie. “Ashtu është,” i thashë, “dhe këtë duhet ta thuash me gjithë krenarinë që të takon, pa modesti të tepruar. Sepse titulli që mban dhe profesioni që ushtron nuk janë dhuratë e rastit, por rezultat i një rruge të gjatë përkushtimi, studimesh intensive dhe përvojash të fituara larg atdheut.”

Në atë moment më rikujtua sa shpesh më kishte shprehur mallin për gurët e Kosovës, për rrënjët e saj dhe për nevojën për t’u kthyer dhe për të kontribuar aty ku zemra e saj rrihte më fort. Pra, suksesi i saj si arkitekte nuk është thjesht një arritje personale, por edhe një dëshmi e lidhjes së pandërprerë me vendin e origjinës — një formë e subtilizuar e atdhedashurisë që, ndonëse jetuar në distancë, gjen shprehje konkrete në çdo vepër që ajo krijon.

Teksa po ndaheshim pas një vizite të mbushur me ngrohtësi, biseda e fundit më çoi tek një detaj që më kishte shpëtuar më parë. Në mur, sytë më zunë një koleksion të veçantë maskash artistike. Ishin maska të bukura, të vendosura me kujdes dhe harmoni, secila me një karakter të vetin estetik dhe simbolik. U afrova drejt tyre me një kureshtje të natyrshme, të përzier me admirim. Ngjyrat, forma, përpunimi i detajeve dhe përfaqësimet kulturore të secilës më lanë një përshtypje të thellë. Nuk ishin thjesht objekte dekorative, por gjurmë të një udhëtimi shpirtëror dhe intelektual përmes kulturave të ndryshme të botës.

Bija ime, si një udhëtare e apasionuar dhe një kërkuese e vazhdueshme e dijes dhe përvojës, i kishte mbledhur këto maska gjatë udhëtimeve të saj nëpër kontinentet e ndryshme. Kishte sjellë maska nga Japonia, me simbolikën e tyre të thellë dhe estetikën minimaliste; nga Amerika, me ngjyrat e gjalla dhe ekspresionin e lirë; nga Portugalia dhe Spanja, me përzierjen e ndikimeve orientale dhe mesdhetare. Ato ishin jo vetëm kujtime të udhëtimeve të saj, por edhe një reflektim i pasionit të saj për kulturat, historitë dhe identitetet e popujve të ndryshëm.

Koleksioni i saj i maskave ishte në fakt një metaforë e udhëtimit të brendshëm dhe të jashtëm që ajo kishte ndërmarrë ndër vite — një udhëtim i dijes, i artit dhe i ndërkulturës, që përmes këtyre objekteve artistike, gjen një formë të heshtur por kuptimplotë shprehjeje. Kjo vepër e heshtur e murit përmbyllte në mënyrën më të bukur një takim nënë-bijë, ku krenaria dhe dashuria ndërthuren me respektin për botën dhe diversitetin e saj.

Pa pritur dhe krejt natyrshëm, biseda mori një drejtim të ri dhe befas u përfshi nga një zjarr i këndshëm argumentimi, këtë herë rreth kuptimit dhe origjinës së fjalës “maskë”. Ishte një nga ato diskutime që shpesh lindin mes nënës dhe bijës, ku kureshtja gjuhësore takohet me dëshirën për të sqaruar një fjalë, një kuptim apo një koncept.

Me një interes të shtuar dhe pa ndonjë hezitim, iu drejtova bijës time: “Të lutem, shiko në fjalor dhe më thuaj ç’thotë gjuha jonë për fjalën maskë.” Ajo e hapi telefonin dhe pas një kërkimi të shpejtë, lexoi: “Fjala mask është një huazim nga anglishtja. Forma e saktë në gjuhën shqipe është maskë. Nuk është fjalë burimore shqipe dhe rrjedhimisht nuk gjendet si hyrje e veçantë në fjalorët standardë të gjuhës shqipe. Ky huazim mbart kuptimin: maskënjë objekt që mbulon fytyrën, zakonisht për mbrojtje, për fshehje ose për zbukurim.”

Kjo ndërhyrje e saj nxiti reflektim më të thellë mbi mënyrën se si fjalët huazohen, përshtaten dhe bëhen pjesë e ligjërimit të përditshëm, shpesh pa vetëdije. Diskutimi nuk ishte më vetëm për objektin estetik të varur në mur, por për vetë natyrën e gjuhës dhe për rolin e saj në ruajtjen dhe përcjelljen e kuptimeve, përvojave dhe ndikimeve kulturore. Në thelb, u prek një temë që kalon kufijtë e një fjale të vetme dhe hap horizontin drejt debatit mbi ndërthurjen e gjuhëve, globalizimin leksikor dhe identitetin gjuhësor në kohët moderne.

Në këtë kontekst, “maskat” nuk ishin më thjesht objekte të sjella nga udhëtime të ndryshme, por edhe bartëse të një diskutimi kulturor, gjuhësor dhe semiotik, që shpaloste mënyrën sesi shoqëritë i përvetësojnë dhe i rishkruajnë kuptimet përmes përvojave ndërkulturore.

Debati i filluar rastësisht rreth maskave nuk u ndal vetëm në aspektin leksikor apo dekorativ. Përkundrazi, ai u thellua natyrshëm në një diskutim më të gjerë kulturor dhe historik, duke hapur rrugën për një reflektim mbi rolin që maskat kanë luajtur në jetën shoqërore të njerëzimit ndër shekuj e në kultura të ndryshme.

Në diskursin historik dhe antropologjik, maska nuk është thjesht një objekt që mbulon fytyrën, por një simbol me shumë shtresa kuptimore, që në thelb pasqyron marrëdhënien e njeriut me veten, me të tjerët dhe me shoqërinë. Që nga kohërat më të lashta, maskat janë përdorur në mënyrë të shumëfishtë — për mbrojtje fizike, për fshehje të identitetit, për transformim ceremonial, apo edhe si mjete për të komunikuar me botën shpirtërore.

Në shumicën e rasteve, ato kanë shërbyer si mjet për të fshehur fytyrën e individit, për të mbrojtur identitetin e tij, ose për të mundësuar një paraqitje tjetër nga ajo që njeriu përfaqësonte në realitet. Maskat e përdorura në ballot e aristokratëve në Evropën e shekujve XVII dhe XVIII janë shembull i qartë i këtij funksionaliteti social – aty ku identiteti fshihej për të krijuar një hapësirë të lirë komunikimi e ndërveprimi, ku rregullat e përditshmërisë pezulloheshin për një natë dhe ku fshehja e fytyrës ofronte guximin për të thyer normat.

Në shoqëritë aristokrate të kohëve të kaluara, maskat përbënin një pjesë integrale të jetës kulturore, simbolizonin statusin, pushtetin, por edhe dëshirën për të dalë përkohësisht nga vetvetja dhe për të hyrë në një botë tjetër — më të lirë, më enigmatike, më lozonjare. Ato krijonin një teatër të jetës shoqërore, ku forma, fshehja dhe misteri bashkëjetonin në një ritual të koduar që fliste shumë për marrëdhëniet e individit me komunitetin dhe vetë strukturën e pushtetit në ato shoqëri.

Kësisoj, në diskutimin tonë të ngrohtë, maskat dolën nga konteksti i thjeshtë estetik për të marrë një dimension të thellë kulturor, historik dhe simbolik. Ato u shfaqën si artefakte të gjalla që mbartin në vete rrëfime për mbrojtjen, anonimitetin, ritualin, pushtetin dhe transformimin e njeriut nëpër kohë e hapësira të ndryshme.

Përdorimi i maskave nuk është kufizuar vetëm në kuadrot historike ceremoniale, rituale apo aristokratike, përkundrazi, ato kanë vijuar të luajnë një rol të rëndësishëm edhe në kohët më të vona, duke marrë funksione të reja që pasqyrojnë dinamikat politike, shoqërore dhe të sigurisë personale.

Në periudhat e trazirave politike, të përndjekjeve ideologjike apo të represionit shtetëror, maska ka shërbyer si një mjet esencial për mbrojtjen e identitetit dhe ruajtjen e jetës. Në raste kur individë apo grupe të caktuara ndodheshin nën kërcënim të drejtpërdrejtë për shkak të bindjeve të tyre, përkatësive apo veprimtarive të ndaluara, maska përfaqësonte jo më një simbol zbukurimi apo loje, por një strategji mbijetese.

Në këtë kontekst, ajo fiton një funksion të qartë mbrojtës dhe një kuptim të thellë simbolik: akti i fshehjes së fytyrës bëhet akt rezistence. Individët që zgjidhnin të mbulonin identitetin e tyre në publik ose në hapësira të mbikëqyrura, nuk e bënin këtë për të ndjekur modën apo për të marrë pjesë në një ritual kulturor, por për të ruajtur jetën, për të shmangur ndëshkimin, apo për të vazhduar misionin e tyre pa u identifikuar.

Në këtë mënyrë, maska bëhet dëshmi e tensionit mes individit dhe strukturave të pushtetit; ajo mishëron përpjekjen për të ruajtur lirinë e mendimit dhe veprimit përballë kontrollit, represionit dhe frikës. Është pikërisht në këto kontekste ku domethënia e maskës thellohet, duke e kthyer atë në një mjet të rezistencës së heshtur, në një simbol të luftës për të mbetur vetvetja në një botë që kërkon të të zhveshë nga çdo individualitet.

Kësisoj, maska e kohëve moderne nuk është vetëm një relikt kulturore apo një element artistik, ajo është gjithashtu një metaforë e betejës për identitet, siguri dhe liri në një realitet ku këto vlera shpesh vihen në pikëpyetje.

Në historinë e rezistencës shqiptare, veçanërisht gjatë periudhës së gjatë të veprimtarisë ilegale patriotike, maskimi dhe transformimi i pamjes fizike kanë qenë ndër strategjitë më të përdorura për t’u shmangur ndjekjes, arrestimit dhe represionit shtetëror. Këto forma të fshehjes, të cilat shpesh herë i kalojnë kufijtë e një maskimi të zakonshëm dhe marrin dimensione të plota të transformimit të identitetit, njiheshin me termin popullor “tebdil”.

“Tebdili” si praktikë nuk ishte vetëm një ndryshim i thjeshtë estetik – si rritja e mustaqeve, përdorimi i parukave, apo veshja me rroba të pazakonta – por një akt i ndërgjegjshëm dhe i domosdoshëm për të mbijetuar dhe për të vazhduar luftën për idealet kombëtare. Ajo përfaqësonte një përpjekje të thellë për të humbur gjurmët në një mjedis të mbikëqyrur nga mekanizmat represivë të pushtetit, sidomos nga strukturat e sigurimit shtetëror dhe rrjetet e informatorëve që vepronin në mënyrë të pandërprerë për të shuar çdo formë të kundërshtimit politik apo kombëtar.

Rastet janë të shumta dhe të dokumentuara, ku veprimtarë të ilegales shqiptare, për të shmangur ndjekjen, kanë transformuar tërësisht pamjen e tyre, kanë përdorur mjete të thjeshta, por efektive, si rroba që nuk i kishin veshur kurrë më parë, paruke që i ndryshonin pamjen në mënyrë të tillë që as miqtë më të afërt nuk do t’i njihnin, apo elemente të tjerë të jashtëm që e largonin figurën e tyre nga ajo që regjimet përndjekëse kishin në dosjet përkatëse. Ky transformim i qëllimshëm ishte një akt i guximshëm, por edhe një dëshmi e zgjuarsisë dhe përkushtimit të tyre ndaj çështjes kombëtare.

Në aspektin simbolik, “tebdili” nuk ishte vetëm mbijetesë, por edhe një mënyrë për të sfiduar kontrollin totalitar – një lloj sabotimi i heshtur i mekanizmave të ndjekjes. Ndryshimi i përkohshëm i identitetit fizik nuk ishte shenjë frike, por strategji lufte – e matur, e planifikuar dhe në shumë raste, e suksesshme. Mbrapa këtyre akteve qëndronte jo vetëm frika nga kapja, por edhe bindja e thellë se fati personal mund të vihej në rrezik për të mirën e përbashkët.

Në këtë mënyrë, përdorimi i maskës, në kuptimin e gjerë të fjalës, bëhet pjesë e një historie më të madhe të qëndresës, ku trupi, pamja dhe identiteti shndërrohen në mjet për të mbrojtur lirinë, për të ruajtur idealin dhe për të mos lejuar shuarjen e zërit të lirisë në errësirën e diktaturës.

Një nga shembujt më domethënës të përdorimit strategjik të maskimit në kuadër të lëvizjes ilegale shqiptare është rasti i veprimtarit të njohur Hydajet Hyseni, në kontekstin e demonstratave të fuqishme të vitit 1981 në Kosovë. Ky rast shpalos jo vetëm përkushtimin e thellë të individit ndaj kauzës kombëtare, por edhe kreativitetin dhe zgjuarsinë që kërkonte veprimtaria politike ilegale në përballje me një aparat represiv të gjithanshëm.

Për të shmangur identifikimin nga strukturat e sigurimit shtetëror dhe për të mundësuar lëvizjen dhe koordinimin e tij të pandërprerë në terren, Hydajet Hyseni kishte ndërmarrë një proces të thellë të kamuflimit personal. Përmes rritjes së mustaqeve, përdorimit të parukave dhe ndërrimit të stilit të veshjes, ai kishte arritur të krijonte një identitet të ri vizual, thuajse të pamundur për t’u njohur nga ata që e njihnin në paraqitjen e tij të zakonshme.

Ky akt nuk ishte thjesht një ndryshim estetik, por një strategji e mirëmenduar për të mbijetuar dhe për të vazhduar rezistencën në kushte të rënda përndjekjeje. Në analizë semiotike, ky maskim shkon përtej pamjes së jashtme – ai shndërrohet në një akt simbolik të rezistencës kundër kontrollit totalitar, në një mjet për të sfiduar syrin e shtetit dhe për të ruajtur autonominë personale në një realitet ku identiteti i vërtetë ishte objekt përndjekjeje.

Rasti i Hydajet Hysenit përfaqëson një shembull ku “maska” nuk është as mashtrim, as akt teatral, por një mjet i domosdoshëm i mbrojtjes së një ideali dhe i ruajtjes së veprimtarisë ilegale në shërbim të çështjes kombëtare. Kjo është një dëshmi e qartë se, në rrethana të caktuara historike, maska nuk ishte shenjë e fshehjes për shkak të dobësisë, por simbol i vendosmërisë, guximit dhe përkushtimit ndaj lirisë.

Në kontekstin e veprimtarisë ilegale patriotike shqiptare, përdorimi i “maskave” – në kuptimin e gjerë dhe metaforik të fjalës – ishte jo vetëm i pranishëm, por thellësisht i domosdoshëm. Ato përbënin një instrument strategjik për të ruajtur identitetin dhe për të mbijetuar në rrethana të një shtypjeje sistematike dhe ndjekjeje të përhershme nga aparati shtetëror represiv. Në këtë periudhë historike, ku liria e mendimit, veprimit dhe organizimit kombëtar vihej në shënjestër të aparateve të sigurimit, maskimi – qoftë përmes ndryshimit të pamjes, emrit, zërit apo mënyrës së të folurit – nuk ishte një zgjedhje estetike, por një nevojë ekzistenciale.

Në rrethana të tilla, të jetosh pa “maskë” do të thoshte të ekspozoheshe ndaj arrestimit, torturës, burgimit ose edhe zhdukjes pa gjurmë. Mbrojtja e identitetit të vërtetë ishte një akt i rezistencës, një mburojë ndaj dhunës strukturore dhe një mënyrë për të vazhduar aktivitetin politik e atdhetar pa u neutralizuar nga armiku. Pra, maskat – të kuptuara si forma të mbulimit dhe kamuflimit identitar – shërbyen si mjete të pazëvendësueshme në arkitekturën e mbijetesës ilegale dhe si pjesë e pandarë e strategjisë së kundërshtimit të pushtetit shtypës.

Përdorimi i tyre, në këtë kuptim, përbën një kapitull të veçantë të historisë së qëndresës shqiptare, ku fshehja nuk ishte akt frikacak, por një formë e lartë e mençurisë politike, e dominuar nga ideali për liri dhe pavarësi kombëtare. Maska, pra, nuk simbolizonte humbje të vetvetes, por përkundrazi, ishte mjeti që ruante mundësinë për të qëndruar besnik ndaj vetes dhe ndaj kauzës për të cilën luftohej.

Në kohët moderne, përdorimi i “maskës” ka marrë një dimension tjetër, shumë më të rafinuar dhe shpeshherë të padukshëm. Nuk është më fjala për maska fizike apo për kamuflime të jashtme që synojnë mbrojtjen apo fshehjen e identitetit në kuptimin tradicional. Përkundrazi, në shoqërinë bashkëkohore, maskat janë bërë pjesë e pandashme e ndërveprimeve sociale dhe shpeshherë shfaqen në mënyrë aq të sofistikuar, saqë vështirë se dallohen me sy të lirë.

Njerëzit, sidomos ata që zotërojnë një aftësi të lartë për të manipuluar perceptimet dhe për të ndërtuar imazhe të qëllimshme për veten, arrijnë të mbajnë një “maskë” të padukshme që e mbulon jo vetëm fytyrën, por edhe qëllimin dhe qëndrimin e tyre të vërtetë. Këto maska nuk janë më vetëm për zbukurim apo mbrojtje, por shpeshherë shërbejnë për mashtrim, për të fshehur prapavija, interesa të fshehta apo motive të errëta.

Ndodh që gjatë një bisede, gjithçka të duket e qetë, e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë. Por në fakt, prapa fasadës së sjellshme dhe fjalëve të kujdesshme, mund të fshihen qëllime të dyfishta, ambicie të fshehura apo madje edhe tradhti të vogla të karaktereve të ndryshme. Janë këto që në gjuhën popullore shpesh quhen “ndërskambca” – veprime ose qëllime të fshehta që prishin besimin dhe e minojnë marrëdhënien nga brenda.

Ironia e kohës sonë qëndron pikërisht në faktin se, ndonëse teknologjia ka avancuar dhe transparenca është predikim i përhershëm i shoqërive demokratike, maskat psikologjike e sociale janë bërë edhe më të vështira për t’u zbuluar. Kësisoj, njeriu i sotëm ndodhet përballë një sfide të re, jo më të zbulojë fytyrën e mbuluar me maskë, por të deshifrojë motivin që ajo përpiqet të fshehë. Dhe kjo kërkon jo vetëm sy të mprehtë, por edhe një ndjeshmëri të hollë etike dhe një përvojë të thellë jetësore.

Në strukturat komplekse të ndërveprimeve njerëzore, hasim shpesh individë që, ndonëse duken të çiltër dhe pa maska në kuptimin e drejtpërdrejtë, mbajnë brenda vetes një mori “fytyrash” – forma të ndryshme të vetëprezantimit, të cilat funksionojnë njësoj si maskat, fshehin, shtrembërojnë ose imitojnë të vërtetën. Këto fytyra të shumta nuk janë gjithmonë të dukshme në sipërfaqe, por shfaqen në mënyrë selektive, varësisht nga situata, interesi apo qëllimi momental.

Këta individë mund të duken si të çliruar nga çdo lloj fasade, të natyrshëm e të besueshëm në paraqitje, por në fakt janë mjeshtër të kamuflimit emocional dhe të ndërtimit të identiteteve të shumëfishta. Secila “fytyrë” që ata shfaqin është një formë e mirëmenduar e adaptimit – herë për të përfituar, herë për të manipuluar, e herë për të shmangur përgjegjësinë ose vërtetësinë e vetvetes. Ajo çka i bën të frikshme këto “fytyra” është pikërisht natyra e tyre iluzive, nuk janë maska të dukshme që mund të hiqen apo të vërehen lehtësisht, por janë pjesë e një loje të rafinuar psikologjike që ndërtohet në heshtje dhe me kujdes.

Në këtë kuptim, këta persona mbartin në vete një formë të brendshme të përçarjes së identitetit – janë njëherazi shumë e asnjë – dhe pikërisht kjo luhatshmëri i bën të paparashikueshëm, shpeshherë të rrezikshëm. Prania e tyre mund të krijojë ndjesinë e një sigurie të rreme, të një afërsie të ndërtuar mbi bazamente të lëkundshme, ndërkohë që çdo fytyrë e re që shfaqin, e largon gjithnjë e më shumë mundësinë e njohjes së vërtetë.

Në analizën psikologjike dhe sociologjike, kjo dukuri mund të shihet si shenjë e krizës së autenticitetit në shoqërinë moderne – një shoqëri ku suksesi shpesh kërkon përshtatje të vazhdueshme, ku imazhi ka më shumë peshë se përmbajtja, dhe ku të qenit i vërtetë shpesh nënkupton të jesh i pambrojtur. Brenda këtij realiteti, “fytyrat” funksionojnë si armë mbijetese, por edhe si barriera që pamundësojnë ndërtimin e marrëdhënieve të sinqerta dhe autentike. Kësisoj, ndonëse nuk mbajnë maska në kuptimin tradicional, këta individë janë të veshur me shtresa të shumta simbolike që e bëjnë të vështirë të depërtosh tek thelbi i tyre i vërtetë – fytyra e tyre e pastër, nëse ajo ekziston ende.

Jo rrallë, në përsiatjet e mia mbi natyrën e sjelljes njerëzore në kohët moderne, ngrihet një pyetje thelbësore- pse vazhdojmë të mbajmë maska, pse ndjejmë nevojën t’i fshehim ndjenjat, mendimet dhe qëndrimet tona pas fasadave të stisura, në një kohë kur – të paktën në parim – jemi të lirë, kemi shtetin tonë dhe institucionet tona janë të drejtuara nga njerëzit tanë?

Sot, kur përkatësia jonë kombëtare është e konfirmuar dhe zëri ynë mund e duhet të dëgjohet në hapësirën publike, lind një kontrast i thellë mes mundësive të reja të lirisë dhe prirjes së vazhdueshme për konformizëm emocional dhe etik. A thua ende na ndjek hija e frikës nga e kaluara? Apo kemi ndërtuar një kulturë të re të hipokrizisë së qetë, ku maskat nuk janë më mjet mbrojtës, por mjete të heshtjes dhe vetësabotimit?

Maskat moderne nuk janë më mjete për të mbijetuar nën shtypje, por mjete për të ruajtur një rend shoqëror artificial, ku shfaqja mbizotëron mbi thelbin. Pse ndjejmë nevojën të shfaqim kënaqësi kur, në thelb, përjetojmë pakënaqësi? Pse të jemi të mirësjellshëm në mënyrë të sforcuar, kur brenda vetes ndjejmë mosdurim, zemërim apo kundërshti? Dhe mbi të gjitha, pse të simulojmë dashamirësi, kur brenda nesh fshihet dëshira për rivalitet, përbuzje apo urrejtje?

Të gjitha këto janë forma të maskimit – maska emocionale dhe etike – që nuk pasqyrojnë as nevojë, as ndershmëri, por më shumë një marrëveshje të pavetëdijshme kolektive për të mos tronditur sipërfaqen e realitetit. Por një shoqëri që mbështetet në buzëqeshje të sforcuara, në mirësjellje formale dhe në heshtje që fshihen pas “normalitetit” të rremë, rrezikon të humbasë autenticitetin dhe sinqeritetin, dy vlera themelore për ndërtimin e një etike të shëndetshme qytetare.

Të qeshësh kur të vjen të qash, të heshtësh kur duhet të flasësh, të pajtohesh kur mendon ndryshe – janë veprime që rrjedhin nga një kulturë e fshehjes, jo nga një përkushtim ndaj respektit të vërtetë. Në këtë mënyrë, maskat nuk janë më mekanizma për t’u mbrojtur nga jashtë, por bëhen pengesa që na ndajnë nga vetvetja dhe nga të tjerët.

Në një shoqëri të lirë, që aspiron për drejtësi, barazi dhe dinjitet njerëzor, nuk ka vend për maska të pavërteta. Ka vend për fytyra të hapura, për emocione të sinqerta, për qëndrime të drejtpërdrejta. Sepse vetëm përmes autenticitetit ndërtohet besimi, dhe vetëm përmes sinqeritetit fitohet dinjiteti i vërtetë i individit dhe i komunitetit.

Në një botë ku marrëdhëniet ndërnjerëzore gjithnjë e më shumë zhvillohen nëpërmjet perceptimeve të ndërtuara, fasadave të kujdesshme dhe sjelljeve të kalkuluara, shtrohet një pyetje thelbësore dhe filozofike: kush je ti, o njeri, nëse brenda vetes mbart shumë fytyra, por asnjë maskë të vërtetë? Në një epokë të komunikimit të pandërprerë, të rrjeteve sociale dhe të shfaqjes së përhershme, kufiri mes asaj që jemi dhe asaj që paraqesim është bërë gjithnjë e më i paqartë.

Kjo na çon drejt një dileme të mprehtë etike dhe ekzistenciale: cila është më e rrezikshme dhe më e frikshme për shoqërinë – maska e vërtetë, e dukshme, që pranohet si e tillë dhe ndoshta edhe çmontohet përmes kohës dhe dialogut, apo ajo maskë e kamufluar, e padukshme, që shfaqet si fytyrë e sinqertë por mbart qëllime të tjera, të heshtura, të fshehta dhe shpeshherë të dëmshme?

Në takime e biseda të përditshme, në hapësira publike dhe private, gjithnjë e më shumë vërehen këto maska – të rafinuara, të buzëqeshura, por të zbrazëta në përmbajtje dhe të dyshimta në qëllim. Këto nuk janë më mjete për të mbijetuar në një sistem shtypës, por mekanizma për të fituar avantazh personal, për të ruajtur fasadën e moralit ose për të manipuluar realitetin sipas interesave të vetvetes.

Pikërisht në këtë kontekst lind rëndësia e autenticitetit si vlerë shoqërore dhe etike. Njeriu më i vlefshëm, më i ndershëm dhe më i dobishëm për një shoqëri demokratike e progresive, është ai që paraqitet siç është – pa maska, pa dyfytyrësi, pa nevojën për të shfaqur një tjetër version të vetes për të qenë i pranueshëm. Vetëm ai që qëndron në të vërtetën e tij, në mendimin dhe ndjenjën e tij të pastër, mund të kontribuojë realisht në ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme, të drejtë dhe të vetëdijshme.

Kosova dhe hapësira shqiptare në përgjithësi, në përpjekjet e saj për të ndërtuar institucione funksionale, për të konsoliduar shtetin e së drejtës dhe për të kultivuar një etikë të re qytetare, ka nevojë të domosdoshme për individë pa maska – për njerëz që guxojnë të jenë vetvetja, që nuk e kamuflojnë mendimin për të qenë të pëlqyer, dhe që nuk e shesin ndërgjegjen për interesa të përkohshme.

Sepse, në fund të fundit, vetëm përmes autenticitetit të individit ndërtohet besimi kolektiv – dhe vetëm mbi këtë besim mund të ngrihet një shoqëri shqiptare më e drejtë, më e denjë dhe më e afërt me idealet për të cilat është sakrifikuar aq shumë.

20 maj 2025

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Gëzuar ditëlindjen "Kushtrim Brezash"! 6 MAJ 1992- 6 MAJ 2025, 33 vjet.

Gëzuar ditëlindjen “Kushtrim Brezash”! 6 MAJ 1992- 6 MAJ 2025, 33 vjet.

Gazeta “Kushtrim brezash” filloi botimin e saj në datën 6 maj 1992 Një çerek shekulli …