leoni

Prof. dr. Zyhdi Dervishi: Akademik Marenglen Verli shkencëtar e pedagog me kuota të larta profesionalizmi dhe dinjiteti

Prof. dr. Zyhdi Dervishi: Akademik Marenglen Verli shkencëtar e pedagog me kuota të larta profesionalizmi dhe dinjiteti

Akademik, prof. dr. Marenglen Verli po i afrohet cakut kohor të 40-vjetorit të veprimtarisë kërkimore në fusha të studimeve historike. Në vitin 1977 ai ka botuar artikullin e parë shkencor në revistën e përtremuajshme “Studime historike”, e cila ishte revista më ndikuese në mendimin historik të hapësirës shqiptare të atyre viteve.

Ndër sociologët amerikane është mjaft i përhapur opinioni që e konsideron një përvjetor të tillë si kulmin e fazës së pjekurisë së plotë shkencore të studiuesve të disiplinave gjuhësore, shoqërore dhe historike, si çast bilancesh në shumë rrafshe të veprimtarisë profesionale, shoqërore dhe njerëzore. Prof. dr. Marenglen Verli (Akademik) e pret këtë përvjetor me një gamë të gjerë arritjesh sasiore e cilësore në lëmë të kërkimeve historike, në veprimtarinë publicistike dhe mësimdhënëse si lektor i disiplinore të historisë në disa universitete që funksionojnë në hapësirat ku banojnë shqiptarët në Gadishullin e Ballkanit.

Ka botuar 4 punime monografike (1800 faqe), është bashkautor në 4 monografi të tjera të botuara (rreth 900 faqe), ka botuar 8 libra si përmbledhje artikujsh (me rreth 3200 faqe), ka përgatitur e botuar 7 vëllime memoarësh të zgjedhura (njërën me bashkautorësi që së bashku kanë 2800 faqe), ka redaktuar në aspektin shkencor monografi e artikuj dhe ka përgatitur për botim disa vëllime me dokumente e materiale historike (me rreth 4700 faqe), ka paraqitur në konferenca të ndryshme shkencore në hapësirën shqiptare dhe në vende të tjera mbi 100 kumtesa dhe referate shkencore. Me statusin e kryeredaktorit dhe të zëvendëskryeredaktorit ka ndihmuar në përgatitjen për botim të 36 numrave të revistës “Studime historike” (botim i Institutit të Historisë) dhe me statusin e anëtarit të redaksisë ka ndihmuar në përgatitjen për botim të mjaft numrave të revistave shkencore “Studia Albanica” që botohet nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë dhe “Kosova” (organ i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë) e “Dardania” që botohen në Kosovë. Ka botuar artikuj në mbi 60 revista që botohen në hapësirën shqiptare dhe në vende të tjera. Ka dhënë ndihmesë të veçantë në organizimin e punës dhe hartimin e vëllimit të tretë dhe të katërt të tekstit akademik “Historia e Popullit Shqiptar” (2007-2008) dhe në hartimin e fjalorëve enciklopedikë shqiptarë (të botuar në vitet 1985, 2008 dhe 2009). Në këta fjalorë është përfaqësuar me mbi 300 zëra, shumica e të cilëve kanë të bëjnë me problematikën e zhvillimeve historike të popullsisë shqiptare në Kosovë dhe në diasporë. Në studimet e Akademik Verlit trajtohen çështje të ndryshme të historisë së popullit shqiptar, por me përparësi trajtohen ato të popullsisë shqiptare që banon në trojet e veta në Kosovë, në Republikën e Maqedonisë, në Republikën e Malit të Zi, parashtrohen profile biografike të krijuara me “penalata” shkencore të 100 personaliteteve me ndikim të veçantë në historinë e shqiptarëve përgjatë shekullit XIX dhe shekullit XX, dhe veçanërisht në historinë e Kosovës, parashtrohen analiza shkencore teoriko-historike për situatën në ato vise gjatë shekullit XX, për ecurinë e zgjidhjes së problemeve të Kosovës, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore si dhe parashtruar në vizione të arsyetuara shkencërisht për zhvillimet e ardhshme në shumë rrafshe.

  1. Largpamës dhe konsekuent në orientimin shkencor

Ndër studiuesit shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore është formësuar edhe një prirje që ka dëmtuar jo pak ecurinë dhe sidomos cilësinë e realizimit të punimeve shkencore: të imponuar nga rrethana të caktuara ideologjike e politike ose të motivuara nga interesa praktike pragmatike, mjaft studiues të shkencave shoqërore e historike kanë ndryshuar më se njëherë fushën e studimit, duke mbetur në një farë mënyrë, si të thuash, çirakë të përhershëm në çdo fushë të re. Ndërsa Prof. Dr. Marenglen Verli nuk është tunduar nga përftimet praktike-pragmatike afatshkurtra që të siguron ndërrimi i fushës së studimit. Në vitin 1979 ai është emëruar në njësinë shkencore të sapokrijuar në përbërje të Institutit të Historisë që në atë kohë quhej “Sektori i Historisë së Kosovës”. Për rreth 38 vjet fusha kryesore e studimeve të Prof. Dr. Marenglen Verlit ka qenë dhe mbetet problematika shumë përmasore e zhvillimeve historike të Kosovës. Në sajë të një pune sistematike shumëvjeçare, me përkushtim dhe frymë atdhetare, ai është studiuesi më i kualifikuar, më i kompletuar në Institutin e Historisë të Republikës së Shqipërisë për problematikën aq komplekse të zhvillimeve të trazuara historike të Kosovës, veçanërisht përgjatë shekullit XX deri në ditët tona.

Me përkushtimin dhe përgjegjësinë e lartë qytetare për të realizuar studime sa më cilësore, sa më të dobishme, për të përgjithësuar përfundime sa më të argumentuara për të kaluarën dhe të ardhmen e zhvillimeve në Kosovë, Prof. Dr. Marenglen Verli ka studiuar fonde shumë të pasura dokumentesh arkivore që gjenden në arkivat e hapësirës ku banojnë shqiptarët në Ballkan dhe në arkiva të shteteve fqinj të shqiptarëve, ka studiuar pothuajse gjithçka që është shkruar për historinë e Kosovës, ka intervistuar drejtpërdrejtë pjesëmarrës të rëndësishëm në ngjarje kryesore historike të Kosovës, ka studiuar dorëshkrime kujtimesh dhe ka përgatitur për botim kujtime të tilla etj. Në rrjedhën e viteve recensentë të shumtë, si të thuash, kanë certifikuar cilësinë e lartë shkencore të punimeve të Prof. dr. Verlit. Për këtë mjafton t’i referohemi një recense të përgatitur nga Profesori i njohur britanik, Noel Malkolm, i cili në monografinë e mirënjohur “Kosova, një  histori e shkurtër” botuar në vitin 1988, shprehet se monografia “Reforma Agrare kolonizuese në Kosovë 1918-1921” e shkruar nga Prof. Verli dhe botuar në vitin 1992 është një ndër dy studimet më të para për programin e kolonizimit të viseve shqiptare në Jugosllavi. Kurse për monografinë “Shfrytëzimi ekonomik i Kosovës 1970-1990” botuar nga Profesor Verli në vitin 1994, po ky studiues ka theksuar se ky libër është analiza më e mirë mbi politikën e investimeve që zbatoi Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë në Kosovë. Profesor Malkolmi citon gjerësisht të gjitha botimet e prof. Verlit për Kosovën. Vlerësime të larta për profesor Verlin shpreh dhe studiuesja britanike Miranda Vickers. Në monografinë “Shqiptarët” botuar në Londër në vitet ’90 të shekullit XX, ajo e falënderon profesor Verlin për ndihmën që i ka dhënë me materiale dhe këshilla  për realizimin e librit të saj. Vlerësime të veçanta për punën e prof. Verli kanë dhënë Profesor Bujar Hoxha, Prof. dr. Ilia Kristo, akademik Beqir Meta etj.

Studimet e Prof. Dr. Marenglen Verlit (Akademik) për Kosovën janë një bazë e rëndësishme referimi jo vetëm për historianët shqiptarë dhe historianët e vendeve të tjera, por edhe për strukturat drejtuese e vendimmarrëse në Republikën e Kosovës e më gjerë. “Duke vlerësuar ndihmesën e dhënë përmes botimeve shkencore e publicistike për historinë e Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, më 30 shtator 2016, i ka akorduar “Medaljen Presidenciale të Meritave” me motivacionin “Për kontributin e dhënë në fushën e kulturës”.

Studimet sociologjike mbi komunitetet e studiuesve kanë zbuluar se marrëdhëniet ndërmjet tyre janë të ndërlikuara, përshkohen nga egoizmi profesional, nga smira, nga konkurrenca ndërmjet studiuesve dhe sidomos ndërmjet atyre të brezave të ndryshëm. Ndryshe nga përvoja të tilla mjaft të përhapura, Prof. dr. Marenglen Verli komunikon natyrshëm, me frymë mirëkuptimi e dashamirësie deri në altruizëm me studiuesit e të gjithë brezave, pasardhës dhe paraardhës. Këtë e dëshmon edhe fakti se Prof. dr. Muin Çami (1923-2011) pak para se të largohej nga kjo jetë ia besoi Prof. dr. Verlit vazhdimin dhe përfundimin e veprës “Shqipëria në Konferencën e Paqes (1919-1920)” me 756 faqe, e cila u botua në vitin 2015. Për këtë vepër shkencore kanë shprehur vlerësime profesionale të larta studiues gjermanë dhe shqiptarë. Studiuesi gjerman Erwin Lewin ka shkruar: “Vlera e re e kësaj monografie qëndron në faktin se autorët, në ndryshim nga punimet e së shkuarës që karakterizoheshin fort nga premisa ideologjike, kanë paraqitur një studim të diferencuar dhe të bazuar shkencërisht të temës, një punë që vendos parametra për kërkime të ardhshme. Jo më kot libri gjen vlerësim të madh në rrethet shkencore të Shqipërisë, nëpër veprimtari të Akademisë së Shkencave dhe nëpër recensa”.

Për këtë punim monografik mjaft të rëndësishëm në fondet e studimeve historike, historiani shqiptar, Akademik Beqir Meta ka shkruar: “Qëndrimi i delegacioneve shqiptare në Konferencën e Paqes është plotësuar ndjeshëm me argumente e analiza të reja. Arritje është fakti se të gjitha rrymat analizohen me gjakftohtësi dhe në një ekuilibër historiografik. Kjo analizë ndryshon nga trajtesat e kaluara që një palë shihej si krejt pozitive dhe pala tjetër si krejt negative. Janë pasqyruar në detaje rrymat e mendimit politik shqiptar në delegacionet shqiptare që shkuan në Paris. Qëndrimet e tyre janë analizuar me kompetencë shkencore dhe në bazë të argumenteve shumë të plota e interesante.

Studimi bazohet si në burime të shumta dhe tepër të begatshme arkivore vendase dhe të huaja, ashtu dhe në një literaturë të gjerë historiografike shqiptare dhe të huaj, e vjetër dhe e ditëve të sotme”.

  1. Me profil perëndimor të spikatur

Ndonëse është arsimuar në shkollën shqiptare në të gjithë nivelet dhe në ato vite kur shteti shqiptar ishte mjaft i izoluar nga zhvillimet e vrullshme europiane e botërore, Prof. Dr. Marenglen Verli është “formatuar” me tiparet kryesore të personalitetit të intelektualit modern perëndimor. Ai është djalë i vetëm i dy prindërve mësues me arsim të lartë. Nëna e tij, Amali, është arsimuar në shkollën pedagogjike “Nëna Mbretëreshë” e Tiranës në fund të viteve ’30 të shekullit XX, në të cilën ndikimi i kulturave perëndimore ishte mjaft i pranishëm. Ajo ka qenë në brezin e parë të studentëve të Degës Histori-Gjeografi të Universitetit të Tiranës (dhjetor 1946 e në vijim), ku jepnin leksione dijetarët më të shquar shqiptarë, të arsimuar të gjithë në universitetet e shquara të vendeve të tjerë, kryesisht të atyre perëndimore si Aleks Buda, Eqerem Çabej etj. Edhe babai, Stefani kreu Liceun Kombëtar Francez të Korçës dhe shkollën Normale të Elbasanit në vitet ’30 të shekullit XX dhe ishte në brezin e parë të studentëve të Degës Matematikë-Fizikë dhe më pas të Degës së Inxhinierisë Elektrike të Universitetit të Tiranës. Vetë Profesor Verli pohon se dashurinë për historinë ia kultivoi e ëma, ndërsa tiparet e tjera të karakterit ju formuan më shumë në ndikimin e gjyshit nga nëna dhe të babait Stefan. Gjatë 7 viteve që ka punuar si zëvendës drejtor i Politeknikumit të Tiranës (në vitet ’50 të shekullit XX), inxhinier Stefani për sjelljen e tij shumë korrekte u etiketua si Kancelari Meternik (drejtues i hekurt i Perandorisë Austriake në gjysmën e parë të shekullit XIX). Nën ndikimin shoqërizues të dy prindërve, që ishin modele mësuesish me cilësitë njerëzore më të mira dhe më të arrira, nën ndikimin e mjaft mësuesve dhe pedagogëve të arsimuar në universitetet më prestigjioze të vendeve perëndimore, nën ndikimin e programeve televizive dhe të leximeve të literaturës së autorëve perëndimorë në fushë të letërsisë, historisë, gjeografisë etj., Prof. Dr. Marenglen Verli në tërësinë e personalitetit të tij u formatua sipas profileve kryesore të modelit të intelektualëve perëndimorë.

Si kushdo tjetër, edhe Prof. Dr. Verli në rrjedhën e jetës është gjendur në situata të pafavorshme, çoroditëse. Por ai asnjëherë nuk është shkurajuar përballë vështirësive të shumëllojshme, nuk e ka humbur orientimin e tij drejt objektivave profesionale e shoqëror. I diplomuar me rezultate shumë të mira në Degën Histori-Gjeografi të Universitetit të Tiranës në vitin 1973, Marenglen Verli u emërua mësues në Shkollën e Mesme të Përgjithshme të Laçit. Mjaft prej studentëve të shkëlqyer të atyre viteve që emëroheshin në qytetet e vegjël periferikë largoheshin nga biblioteka dhe nga leximet dhe e kalonin pjesën më të madhe të kohës së paspunës në shoqërinë e gotës së pijeve alkoolike. Ndërsa mësuesi i ri Marenglen Verli, përgjatë 5 viteve që punoi në gjimnaz bëri përpjekje sistematike, jo vetëm për t’u aftësuar si mësimdhënës, por edhe për të përvetësuar mjeshtërinë aq të vështirë të studiuesit, të të shkruarit sipas standardeve shkencore dhe më të avancuara për kohën. Megjithëse në moshë fare të re ai përgatiti kumtesa për sesione shkencore që u organizuan në bazë rrethi dhe në nivel kombëtar (1976), shkroi dhjetëra shkrime për organet e shtypit teoriko-publicistik të atyre viteve, madje botoi artikuj edhe në revistën më profesionale për çështje të historisë “Studime historike”. Kësisoj mësuesi i ri bënte përpjekje sistematike vetkualifikuese, pa e ditur se pas pesë vitesh përvojë mësimdhënie në arsimin e mesëm do të arrinte statusin e studiuesit profesionist si punonjës me kohë të plotë në Institutin e Historisë .

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 38 vite që kur është larguar nga Shkolla e Mesme e Përgjithshme e Laçit, mësuesi Marenglen Verli kujtohet e respektohet si rrallëkush. Për nxënësit, prindërit e tyre dhe kolegët ai ishte modeli i mësuesit korrekt në gjithçka deri në mani, metodik dhe gjithnjë i preokupuar për të arritur rezultatet maksimale në punë, i prirur për të ndihmuar me shpirt altruist kolegët dhe sidomos nxënësit, për të kultivuar te ata frymën e kolektivitetit dhe të ambicies për rezultate sa më të larta. E vlerësonin për elegancë të veçantë në komunikimin jo vetëm kur i vlerësonte pozitivisht nxënësit, por edhe kur i qortonte me pikësynime përherë dashamirëse e motivuese në kahun e më të përparuarës.

Një nga nxënësit e tij më të mirë të shkollës së mesme, Sinan Tafaj, tani doktor i shkencave juridike dhe një nga avokatët më të shquar të vendit veçanërisht për njerëzit me aftësi të kufizuara e kujton dhe e vlerëson në mënyrë lakonike, por mjaft domethënëse: “Profesor Marengleni ishte më seriozi ndër mësuesit e rinj të gjimnazit, sqimatar. Korrekt dhe mjaft i ditur. Nuk ishte i njëanshëm dhe nuk afrohej shumë me nxënësit. Botimet në revistat e kohës e dallonin nga mësuesit e tjerë. Ne mendonim se për kapacitetet e tij Laçi ishte diskriminim dhe sakrificë që ai e përballonte pa u ankuar, me dinjitet. Nuk ishte i politizuar si shumica e kolegëve. Me një hije ftohtësie në dukje, ai gjente në çdo situatë gjuhën e komunikimit të natyrshëm me nxënësit e çdo niveli dhe me kolegët. Në gjithçka ishte modeli më i arrirë i mësuesve në gjimnazin e Laçit”.

Përvojën e mësimdhënies në shkollën e mesme ai do ta avanconte në auditorët e Universitetit të Tiranës dhe të disa universiteteve të tjera të hapësirës shqiptare. Personaliteti i tij si pedagog është i vetëpërllogaritur në çdo profil: në gjuhën e artikuluar qartë, elegancë në veshje dhe në komunikim me studentët, në ftohtësinë autoritariste të regjistruar si mekanizëm për t’i imponuar studentëve që ato të bëjnë përpjekjet maksimale për përvetësimin e lëndës. Ai ka punuar dhe punon në mënyrë të diferencuar me grupe të ndryshme studentësh sipas nivelit të përparimit të tyre në studime dhe interesave profesionale të specifikuara. Profesor Verli stimulon në mënyrë të veçantë dhe me forma të shumëllojshme studentët e ekselencës. Shpesh atyre u dhuron edhe libra. Ai është i afërt dhe i largët me studentët: aq i afërt sa është e nevojshme për t’i njohur sa duhet profilet kryesore të personalitetit të çdo studenti dhe aq i distancuar sa për t’iu imponuar atyre me stil aristokratik që të kryejnë me korrektësi detyrimet e përvetësimit të lëndës. Një student i Degës së Sociologjisë në Universitetin e Tiranës, mjaft i pasionuar pas literaturës historike, një ditë më tha: “Profesor Marengleni sillet me studentët i ftohtë si markez sqimatar deri në perfeksion dhe dashamirës si xhentëlmen që dëshiron vetëm t’u dhurojë të tjerëve dhe të mos marrë asgjë prej tyre”. Dhe dhurata më e vyer që Profesor Verli u ka bërë studentëve është korpusi i librave që ai ka shkruar dhe përgatitur për botim në shërbim të formimit të tyre shkencor dhe profesional. Por ky “markezi”, “xhentëlmen” shkon edhe përtej botës së auditorit dhe të letrave. Ai kryen edhe punë praktike në angazhimet familjare dhe institucionale. Shpesh ai luan edhe rolin e marangozit, të elektricistit etj.

Në Universitetin e Tiranës kanë punuar dhe punojnë profesorë të shquar, të cilët janë korrektë dhe mjaft kërkues ndaj studentëve, por nuk janë kërkues ndaj fëmijëve, sidomos kur kanë fëmijë të vetëm, veçanërisht një vajzë. Profesor Verli është krejt i ndryshëm nga kjo kategori kolegësh. Ai ka ndikuar shumë që vajza e tij e vetme të formatohet sipas modelit më të arrirë të studentëve të vendeve perëndimore. Kur i jepja leksione sociologjie në Fakultetin e Ekonomisë ajo më ngjante me studentët gjermanë të degës së Sociologjisë të Universitetit “Friedrich Schiler” të Jenës, të cilëve në qershor-korrik 1998 u kam përcjellë leksione: ajo ishte shumë e thjeshtë, shumë korrekte, shumë studioze. Një edukim të tillë të fëmijëve gjermanët e konsiderojnë përgjegjësi, obligim parësor ndaj atdheut, ndaj kombit.

Studimi i biografive të shkencëtarëve të shquar tregon se ata ishin sa seriozë aq edhe me humor të hollë. Edhe Akademik Verli e ka mjaft të kultivuar një profil të tillë. Humori elegant, të pashtershëm ai e ka përdorur dhe e përdor me efikasitet edhe për të tejkaluar ngërçe që janë krijuar jo rrallë gjatë 25 viteve të fundit nga trysna politike dhe ideologjike që kanë ushtruar strukturat politike vendimmarrëse mbi institucionet kërkimore-shkencore, sidomos atyre të historisë.

  1. Autoritar dhe i ekuilibruar, larg skajshmërive

Nga viti 1979 deri në ditët tona studimet historike në Republikën e Shqipërisë janë ndodhur pothuajse vazhdimisht nën trysninë deformuese të proceseve ideologjike e politike. Në jo pak raste trysni të tilla i kanë detyruar historianët të keqinterpretojnë fakte të caktuara historike, veçanërisht ata që kanë të bëjnë më drejtpërdrejtë me ngjarjet politike më ndikuese në historinë e shqiptarëve. Prof. Dr. Marenglen Verli ka arritur të përballojë trysni të tilla dhe t’i shmangë skajshmëritë me ngjyresë politike dhe ideologjike në studimet vetjake, në drejtimin e Institutit të Historisë dhe të revistës “Studime historike” përgjatë viteve 2005-2008 i ndihmuar nga tri rrethana socialkulturore.

  1. Ai është shoqërizuar në një mjedis familjar intelektual. Vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore babai, nëna dhe 4 xhaxhallarët e tij përfunduan studimet universitare në Shqipëri dhe në vende të tjerë dhe më pas janë angazhuar në veprimtari intelektuale të niveleve të larta si pedagogë universitetesh, nëpunës të lartë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, autor tekstesh, kryeredaktorë gazete etj. Madje një nga xhaxhallarët ka kryer detyrën e Ministrit të Financave të shtetit shqiptar për 18 vjet. Përvoja tregon se në periudhën e regjimit socialist totalitar, sa më të ngritur të ishin intelektualist shqiptarët, aq më pak rrezikoheshin të shkisnin në pozitat e militantëve politikë fanatike, aq më tolerante ishin veçanërisht për çështje politike dhe ideologjike.
  1. Akademik Marenglen Verli, në sajë të studimeve sistematike të pandërprera ka njohuri të gjera, të detajuara e të shumanshme për zhvillimet historike kryesore në rrafsh botëror dhe për popullin shqiptar. Një kulturë e tillë i ka kultivuar vetëdijen relativiste në kuptimin dhe interpretimin e çështjeve historike, veçanërisht të atyre më delikate dhe më të debatueshme. Profili relativist i vetëdijes shkencore e ka ndihmuar atë të sfumojë në një masë të konsiderueshme trysninë e strukturave shtetërore e partiake për interpretime politike e ideologjike të ngjarjeve e zhvillimeve historike të popullit shqiptar, të përshtatet pa sforcim me strukturat konceptuale perëndimore më të përparuara të shkencave historike pas shpërbërjes së sistemit socialist totalitar dhe përfshirjes së Republikës së Shqipërisë në rrjedhën e proceseve demokratizuese.

Ndryshime të tilla mishërohen edhe në rritjen e vrullshme të sasisë dhe të cilësisë së studimeve, artikujve e referimeve shkencore, si dhe punimeve monografike të botuara prej tij në hapësirën shqiptare dhe në vende të tjera pas vitit 1990.

  1. Shumica e studiuesve profesioniste të ballit të parë karakterizohen nga njëfarë ngathtësie në zgjidhjen e çështjeve praktike. Ndërsa akademik Marenglen Verli është i admirueshëm edhe për shpirtin e tij praktik dhe aftësitë menaxhuese në zgjidhjen sa më të shpejtë, racionale e vizionare jo vetëm të çështjeve të përditshme të jetës familjare, por edhe të drejtimit të strukturave studimore e botuese si Instituti i Historisë i Republikës së Shqipërisë, revista shkencore “Studime historike” dhe së fundi të Qendrës së Studimeve Albanologjike etj. Rregulli, korrektësia, etika janë pjesë e kërkesave të tij ndaj vetes dhe të tjerëve, jo vetëm si drejtues por edhe si koleg, bashkëpunëtor dhe mik.

I përkushtuar për të justifikuar besimin e kolegëve që i ngarkuan detyrën e drejtuesit të Qendrës së Studimeve Albanalogjike brenda katër muajve ka orientuar përpjekjet dhe buxhetin e kufizuar të institucionet në dy drejtimet themelore: Në përmirësimin e kushteve të punës të punonjësve dhe në shpërblimin motivues sipas sasisë dhe cilësisë së punës. Pjesë e filozofisë së tij të punës është përdorimi me racionalitet i kapaciteteve të forcave krijuese, shtimi i numrit të botimeve (për vitin 2017 janë parashikuar për botim 40-46 vëllime), shpërndarja e publikimeve të Qendrës së Studimeve Albanologjike në shumë biblioteka të hapësirës shqiptare etj.

Me intuitën intelektuale, me prakticizmin dhe vlerat e një organizatori e menaxheri të veçantë që me pak para di të bëjë shumë punë, me përkushtimin total për t’i shërbyer me shumëçka çështjes kombëtare dhe me shpirtin altruist për të ndihmuar kolegët e bashkëpunëtorët, miqtë, të njohurit e deri të panjohurit, ai për çdo çështje, sado të ndërlikuar në rrafsh teorik dhe organizativ ka ofruar dhe ofron zgjidhjet më optimale, më racionale dhe më vizionare. Si i tillë, Akademiku Marenglen Verli është një model krejt i arrirë i studiuesit profesionit të klasit të parë, i drejtuesit të strukturave shkencore me format klasik dhe modern, i përshtatshëm për çdo kohë, i aftë për të përballuar sfidat e organizimit të çdo veprimtarie shkencore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …