“Shpirti i Atdheut” libri që na sjellë poezi që burojnë nga dhimbja dhe krenaria e poetit, Ali Tahiri për njerëz të pendës dhe pushkës
Thuhet se poezia është bijë e dhimbjes dhe dashurisë por derisa lexuesi i vëmendshëm kupton poezitë e Ali Tahirin, e kupton se në sajimin e tyre ka hise edhe krenaria. Mbase ai duke i tipizuar ato me ndjenjën e krenarisë, dëshiron të na bëjë që krahas dhimbjes dhe dashurisë që kemi për më meritorët e kombit, që ne sot jetojmë dhe frymojmë lirshëm, të jemi edhe krenar me ta. Duke analizuar poezitë e shumta të librit “Shpirti i Atdheut”, njeriu do të ndjenë dashurinë, dhimbjen por edhe krenarinë që ka poeti, Ali Tahiri për heronjtë dhe dëshmorët e kombit e të vatanit, në shërbim të të cilit vunë gjithë çka, djersën, dijen, gjakun, jetën. Ai nuk ndalon në pasqyrimin e jetës së tyre të vetëm një periudhe të shkurtër të historisë por të dekadave dhe etapave të ndryshme. Nëpërmjet kësaj qasje, mbase ai dëshiron të na tregon që liria është frytë i përpjekjeve shekullore dhe se kombit e vendit tonë, nuk i kanë munguar heronjtë dhe dëshmorët e kombit, për asnjë dekadë dhe se fal tyre, flakadani i lirë nuk ka ndaluar e as nuk është shembur përdhe por ka kaluar nga një gjeneratë te tjera, duke ndriçuar çdo herë e më shumë rrugën e lirisë.
Poeti, Ali Tahiri, nëpërmjet poezive të renditura në librin “Shpirti i Atdheut” na jep edhe një porosi tjetër se gurët e themelit të tij janë përskuqur edhe nga gjaku i mijëra fëmijëve, sikur është poezia e parë “Intonim” e kapitullit të parë “Datë e përgjakur në kalendar”
….
“E ti, bëhu e fortë, shko e puthja shtatoren Leotrimit,
se sytë e tij ende e tregojnë atë ditë të krimit”
….
Për të vazhduar më tutje me vargjet tejet përmbajtjesore:
“Lotët edhe sot po rrjedhin si pika shiu.
Eh, sa i fortë qenka njeriu”
Nëpërmjet vargjeve të tilla kuptimplote, poeti Ali Tahiri ja ka dal që të na rikujtoj në mënyrë poetike urtësinë tonë popullore që na mëson se “Njeriu është më i fortë se guri”.
Libri “Shpirti i Atdheut” përmban poezi të shumta kushtuar kategorive të ndryshme të shoqërisë të cilat kontribuuan në një mënyrë apo tjetër për çlirimin e atdheut, sikur janë heronjtë dhe dëshmorët por edhe mësimdhënësit në përgjithësi dhe ata të viteve të ’90 –ta në veçanti, mandej personalitet nga fusha e dijes, por edhe njerëzve që nuk janë afirmuar sa duhet në shoqëri ani pse shpirti i tyre ishte i dëlirë dhe tejet human. E përbashkëta e të gjithë atyre që kanë zënë vend në mendjen dhe zemrën e poetit, Ali Tahiri, është dashuria e tyre e çiltër për kombin e atdheun dhe mbase këto karakteristika kryesore të tyre, kanë bërë që ai të ju jetë mirënjohës atyre dhe kontributin e tyre ta përjetësoi nëpër qindra poezi. Kjo mbase është edhe një veçanti e këtij libri me cikle të shumta të poezive. Një karakteristikë tjetër e poezive të tij, është edhe shtrirja hapësinore e tyre, duke ju kushtuar vargje afirmative bukurive të trojeve anekënd viseve të Shqipërisë etnike, sikur janë vargjet në vijim:
Lulëkuqja jonë,
sy kaltëroshe në mes të Evropës
historinë ta njohin
popujt e gjithë botës
E arta Kosovë, e ëmbla Prishtinë
me motrën Vlorë e gjithë Shqipërinë
bëhuni bashkë e shkoni përqafoni shtetin e Arbërit
në Krujë, aty ku e keni lavdinë.
Një kujdes të veçantë në poezitë e tij të dominuar nga dashuria e jashtëzakonshme që poeti ka për atdhetarët e dëshmuar, janë ato kushtuar heronjve që kanë kontribuar në shumë aspekte për komb e atdhe, sikur është heroi Ismet Asllani me vëllezërit e tij, Muharremin dhe Nazimin, që për çlirimin e atdheut vuri në shërbim, gjithë pasurinë e jashtëzakonshme, të krijuar me shumë mund e djersë dhe jetën e tyre, pa prit asgjë për kompensim.
Prapashticë, e dëgjove atë krismë të parë…?
Ai dëshmori që flamurin për çlirim e ngriti
Luftën e nisi në flakën e barotit
Bukë falte për popull e për luftëtar,..
Shpirti i tij, si rreze dielli, errësirën e ndriti.
Poeti, Ali Tahiri nuk është mjaftuar vetëm me poezi kushtuar heronjve dhe dëshmorëve të kombit por ju ka kushtuar vargje edhe atyre që me një vetëmohim të pashoq, tërë jetën ia kanë kushtuar kombit e atdheut si dhe afirmimit të veprimtarisë së heronjve dhe dëshmorëve të të gjitha trojeve të Shqipërisë etnike, përgjatë gjithë historisë. E tillë është poezia me titull “Emri që jeton”
Erdhe nga lugina e Krojmirit si uragan para agimit
Në rini për liri u ndeze si qiriri i Naimit
Nëpër burgje stoikisht rezistove
Si feniks u dogje, u ringjalle, kurrë nuk u dorëzove
….
Bacë, Ahmet Qeriqi, je palca e kombit
,…
Dheut të Kosovës ia dhurove shpirtin e bardhë
Zemrën e kristaltë, Ti, i miri shqiptar
Tani bacë, lirinë e Kosovës arrite me e prekë, kënaqu e prehu i qetë
Vula e kombit s’të la me vdekë, pavdekësinë ta vulosi në dy jetë
Lirisht mund të thuhet se poezitë e librit “Shpirti i Atdheut”, të autorit, Ali Tahiri janë të shkruara me një gjuhë lehtë të kuptueshme, me figura të shumta stilistike, që janë në funksion të krijimit të një imazhi sa më adekuat dhe të qartë të tematikave që trajton në to si dhe të karaktereve unike të heronjve dhe dëshmorëve të kombit, alfa dhe omega e të cilëve ishte kombi dhe atdheu.
E ti Xheva jonë, Heroinë e gjallë
Para puthe lirinë, e më pas Fehmiun në ballë
Dy legjenda, të qëndisura në flamur
Ju bashkëshortë të lumtur për liri… grua e burrë.
Përveç poezive të shumta kushtuar heronjve, dëshmorëve dhe personaliteteve të ndryshme të kombit, poeti, Ali Tahiri ndërmjet vargjeve të tij kuptim plote e atdhetare, shfaq shqetësimin e një dukurie që fatkeqësisht e ka shoqëruar kombin tonë përgjatë gjithë historisë e që po e shoqëron edhe sot – dukuria e përçarjes përkundër rrezikut të përhershëm nga fqinjët grabitqar:
Ujqërit nga të katër anët po ulërijnë, po na ngacmojnë
Ata duan me dhëmbë të na kafshojnë
Ti, vëllait tënd i sulesh si bishë e si djall,
E me ujqërit s’do me u përballë!
Tani e tutje, poezitë e poetit, Ali Tahiri, të afishuara nga Radio Kosova e Lirë, lexuesit i ofrohen të botuara edhe në libra duke i bërë ato edhe më të qasshme me shpresë se në të ardhmen ai do të na ofroi edhe poezi të tjera të karakterizuara me një dashuri të çiltër për atdheun e kombin dhe për heronjtë dhe dëshmorëve të të gjitha periudha të historisë, nga të gjitha viset e Shqipërisë etnike.
Recensent Prof. Fatmir Greiqevci