leoni

Prof. Dr. Jeton Kelmendi: Poshtërimi i Kosovës nga Gjykata Speciale, një akt i turpshëm dhe kundër njeriut

Prof. Jeton Kelmendi PhD: DREJTËSIA PO BËN POLITIKË, NDËRSA POLITIKA PUNËN E DREJTËSISË NË KOSOVË

Në një demokraci funksionale, kufizimi dhe ndarja e pushteteve ndërmjet ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit është themeli i sundimit të ligjit. Megjithatë, në Kosovën e pasluftës dhe në veçanti në periudhën e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje nën udhëheqjen e Albin Kurtit, po përjetohet një përmbysje dramatike e kësaj ndarjeje. Qeveria, përmes një diskursi politik të fortë dhe shpeshherë emocional, ka ndërmarrë rolin e interpretuesit suprem të Kushtetutës, ndërsa organet e drejtësisë – përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese – kanë filluar të adoptojnë një gjuhë gjithnjë e më neutrale dhe të zbutur, që shpesh shmang thelbin ligjor të çështjeve në emër të stabilitetit politik. Thë më shkurt drejtësia po bënë politikë. Ky është një zhvillim alarmues që rrezikon jo vetëm integritetin e sistemit të drejtësisë, por edhe vetë arkitekturën kushtetuese të shtetit të Kosovës. E sa e dëmshme është veç jemi duke e pare dhe ndier.

Kurti dhe Vetëvendosje si interpretime alternative të Kushtetutës

Qeverisja e Albin Kurtit karakterizohet nga një qasje e theksuar populiste ndaj rendit kushtetues. Në shumë raste, Kryeministri Kurti dhe përfaqësuesit e tij i qasen Kushtetutës jo si një akt suprem juridik, por si një tekst i interpretuar sipas momentit politik. Kjo qasje është reflektuar qartazi në deklaratat e Kurtit rreth vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për çështje të ndjeshme si votimi i qeverisë, mandatarët, ose më së fundi, në çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në vend që të mbështetet tek përmbajtja tekstuale dhe fryma e Kushtetutës, Kurti tenton të krijojë një “Kushtetutë morale”, të ndërtuar mbi bindjet e tij ideologjike dhe elektorale. Kështu, kur Kushtetuta nuk i përshtatet axhendës së tij politike, ajo diskreditohet si e paplotë, e papërfunduar, apo si produkt i presioneve ndërkombëtare dhe politikave 20 vjeçare siç i demonizon ai dhe kurtet e tij. Ky diskurs e minon rëndë autoritetin kushtetues dhe hap rrugë për një praktikë të rrezikshme: ku politika vendos rregullat e interpretimit juridik. Në fakt nuk është vetëm Gjykata Kushtetuese që trajtohet kështu nga ai, por i tërë sistemi i drejtësisë; për shembull shih gjykimet e përsonave të VV-së për vepra penale dhe korrupsion etj.

Gjykata Kushtetuese dhe drejtësia që flet me gjuhën e paqartësisë

Në anën tjetër, institucioni më i lartë i drejtësisë kushtetuese – Gjykata Kushtetuese – duket se ka zgjedhur rrugën e minimizimit të tensioneve politike, në vend të mbrojtjes së prerë të ligjit. Në vendimet e saj të fundit, kjo gjykatë ka dëshmuar një tendencë të zbutjes së toneve, shmangies së drejtpërdrejtë të përgjegjësive ligjore, dhe në disa raste, përdorimi i një gjuhe të baraspeshuar që më shumë se sa drejtësi, përcjell porosi politike. Rasti më tipik është vendimi mbi konstituimin e Kuvendit të Kosovë. Në vend se të shprehet prerazi për obligimet kushtetuese që burojnë mandatari dhe forma e votimit, gjykata vetëm sa e ka ngatërruar edhe më shumë punen sepse siç e ka publikuar vendimi nuk po kuptohet nga Kurti, por gjithnjë po interpretohet sipas axhendave të tij. Pra gjykata zgjedhi një formulim që e relativizon interpretimin, duke u lënë hapësirë interpretimeve politike, ndërsa juristet tanimë janë të pabesueshëm. Kjo zbutje e qëndrimeve është simptomë e një drejtësie që kërkon të shmangë përplasjen me politikën, edhe kur kjo dëmton rendin kushtetues.

Rasti i deputetëve të VV-së dhe juridiksioni i përkulur

Një prej rasteve më shqetësuese të ndërhyrjes politike në sistemin e drejtësisë është mënyra se si organet e drejtësisë – Prokuroria dhe Gjykatat – kanë trajtuar rastet penale ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë aktet e dhunës, pengesat ndaj institucioneve dhe veprimet që bien ndesh me rendin kushtetues. Në shumë raste, deputetë të kësaj partie janë përfshirë në akte që nga hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend, deri tek mobilizimi i protestave që kanë rezultuar në sulme ndaj institucioneve. Megjithatë, shumica e këtyre rasteve janë përmbyllur pa pasoja reale juridike – me aktgjykime të lehta, refuzime të ndjekjes penale apo, në disa raste, lirime të dyshimta. Ky standard i dyfishtë vë në pah një tjetër aspekt të alarmit: drejtësia selektive. Kur pjesëtarët e elitës në pushtet trajtohen me indulgjencë të tejskajshme nga organet e ndjekjes, krijohet një ndjenjë mosndëshkueshmërie që dëmton themelet e barazisë para ligjit.

Roli i Presidentes dhe heshtja institucionale

Në këtë lojë delikate të përmbysjes së roleve midis politikës dhe drejtësisë, edhe Presidentja e vendit ka kontribuar me heshtjen e saj strategjike. Edhe pse Kushtetuta e Kosovës e vendos në një rol mbikëqyrës të unitetit institucional, Presidentja nuk ka qenë një zë i qartë në mbrojtje të rendit kushtetues kur ekzekutivi e ka tejkaluar mandatin apo ka kontestuar vendimet gjyqësore. Shihe këtu edhe uzurpimin e qeverisë tash e sa muaj pas zgjedhjeve. Ky lloj mosreagimi jo vetëm që krijon një precedent të rrezikshëm, por edhe përforcon perceptimin se drejtësia dhe politika janë bërë një dhe e njëjta gjë në një marrëdhënie të simbiozës dhe jo të ndarjes.

Kur politika flet si gjykatë dhe gjykata si analist politik

Kur një Kryeministër merr përsipër të shpallë se një vendim gjyqësor është i padrejtë dhe në përputhje me vullnetin popullor – pa asnjë referencë juridike – kemi të bëjmë me arrogancë kushtetuese. Por më keq akoma është kur një gjykatë, në vend se të flasë me gjuhën e normës ligjore, përdor terminologji të tillë si “duhet konsideruar në kontekst të ndjeshmërisë politike” apo “duhet pasur parasysh qëllimi i përgjithshëm i stabilitetit”. Këto janë nocione të huaja për drejtësinë. Drejtësia nuk ka për mision stabilitetin, por ligjshmërinë. Stabiliteti është produkt i respektimit të ligjit, jo i kompromisit me të.

Pasojat afatgjata: delegjitimimi i sistemit

Nëse kjo prirje vazhdon – ku drejtësia bën politikë, dhe politika drejtësi – pasojat do të jenë afatgjata dhe të rënda:

  • Humbja e besimit publik: Qytetarët nuk do ta perceptojnë më drejtësinë si një garanci të drejtësisë, por si një instrument të politikës.
  • Korrupsioni institucional: Politikanët do ta dinë që mund të ushtrojnë presion mbi drejtësinë për të shpëtuar nga ndjekjet penale.
  • Ngërç demokratik: Ndarja e pushteteve zëvendësohet nga ndarja e roleve sipas interesit partiak.
  • Stagnimi i integrimeve evropiane: BE nuk do të pranojë një shtet ku sundimi i ligjit është vetëm frazë politike.

E ku jemi në këtë aspect, kjo tanimë shihet qaratzi se krejt çka del kundër sistemit dhe parties fituese është e keqe dhe i takon 20 vjetëve që i quajnë Kurti dhe kurtet e VV-s.

Kosova ka nevojë urgjente për të rindërtuar autoritetin e institucioneve kushtetuese dhe të drejtësisë. Kjo nuk mund të bëhet nëse drejtësia sillet si politikë e butë, dhe politika si drejtësi militante. Është koha për të rikujtuar që Kushtetuta është akti themeltar dhe përfaqëson jo vetëm kontratën mes shtetit dhe qytetarit, por edhe garancinë se askush – as Qeveria, as Kryeministri, as një deputet, e as gjykata – nuk është mbi ligjin. Drejtësia nuk është për të qenë e butë për të fortët dhe e fortë për të dobëtit. Drejtësia është për të qenë e drejtë, për të gjithë. Deri të kthehemi të kjo çështje nuk do kemi ditë të mira.

Kontrolloni gjithashtu

Marenglen Kasmi

Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi: Kufijtë e identitetit: Shqiptarët e Kosovës dhe narrativa e “kombit kosovar”

Kohët e fundit në media e rrjete sociale po hasen gjithnjë e më tepër reflektime …