Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj mundësisë që Universiteti i Prishtinës t’i japë një çmim kryeministrit dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke e cilësuar një veprim të papranueshëm dhe në kundërshtim me vlerat akademike. Përmes një reagimi publik, Krasniqi ka kujtuar disa ngjarje të kaluara që, sipas tij, dëshmojnë për sjellje të dhunshme ndaj institucionit më të lartë arsimor në vend. Ai ka përmendur sulmin ndaj ish-rektorit Mujë Rugova gjatë një ceremonie zyrtare, si dhe protestën e vitit 2015 në oborrin e Universitetit, të cilën e ka cilësuar si “dhunim brutal të autonomisë universitare”. “Albin Kurti dhe LVV njihen si dhunues brutalë të Universitetit të Prishtinës. Nëse në këtë universitet i jepet çmim liderit të LVV-së, i bie që po shpërblehet dhuna dhe po vlerësohet vandalizmi,” ka shkruar Krasniqi, duke shtuar se një veprim i tillë do të përbënte fyerje për të gjithë ata që kanë kontribuar për pavarësinë dhe dinjitetin e universitetit. Ai ka kërkuar nga organet e Universitetit të Prishtinës që të ruajnë integritetin akademik dhe të mos e politizojnë nderimin institucional.
