Projekti Gratë në punë online “WOW“ shtrihet në Gjilan dhe Prishtinë

Me iniciativë  të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në Gjilan është promovuar projekti Gratë në Punën Online faza e tretë (WOW ), mbështetur  nga USAID. Me këtë rast është nënshkruar  Memorandum i  Mirëkuptimit në mes Ministrisë Zhvillimit Ekonomik, USAID dhe Komunës së Gjilanit.  Me këtë rast, zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj Gashi, ka thënë se  nisja e këtij projekti edhe në Komunën e Gjilanit është një hap i rëndësishëm, i cili do t’i  mundësojë shumë grave të gjejnë punë online.  “Nga ky projekt në Komunën e  Gjilanit do të përfitojnë  60 gra, të cilat do të trajnohen për të gjetur punë online. Ky projekt tashmë është në fazën e tretë, pasi në fazën e parë dhe të dytë kanë qenë të përfshira pesë komuna. Nga 150 vajzat e trajnuara, mund të konfirmoj se 77 prej tyre kanë gjetur së paku një punë online”, ka thënë zëvendësministrja  Zogaj Gashi pas nënshkrimit të memorandumit.

Ajo me tej ka shtuar se nga projekti WOW faza e parë dhe e dytë  vajzat e trajnuara kanë arritur të lidhin në total mbi 270 kontrata pune të profileve të ndryshme, duke shtuar se me këtë projekt po arrihet që të krijohet edhe vetëbesim te vajzat e reja që të bëjnë karrierë në profile në sektorin e teknologjisë informative që mund të gjejnë punë dhe se ato mund të jenë të barabarta në konkurrencën globale”.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka falënderuar MZHE-në dhe USAID-in për përfshirjen e këtij projekti në Komunën e Gjilanit.

“60 zonja të Komunës së Gjilanit do të përfitojnë nga ky program pas konkurrimit. E falënderoj për mbështetjen drejtorin e misionit të USAID  James Hope, pasi Gjilani është përfitues i këtij projekti, sikur edhe zëvendësministren Zogaj-Gashi, për inicimin dhe përkushtimin që ky projekt të realizohet në Gjilan. Presim arritjen e rezultateve të shkëlqyeshme në këtë projekt”, ka thënë pas nënshkrimit të këtij memorandumi, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Nga ana e tij  drejtori i misionit të USAID në Kosovë, James Hope, tha se nuk është e rastësishme që ky projekt po zhvillohet në Komunën e Gjilanit, por për shkak të partneritetit të madh që kanë ata me këtë komunë në fushën e ndërmarrësisë, edukimit etj.

Sipas Hope ky projekt adreson disa nevoja shumë të rëndësishme në Kosovë. Së pari e shfrytëzon një potencial të jashtëzakonshëm, i cili ekziston në Kosovë për teknologjinë informative, por një aspekt tjetër është se ai e mundëson rritjen e një pjesëmarrje jo të mjaftueshme të grave në ekonomi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …