RKL

Pse disa individë dhe grupe njerëzish e teprojnë vazhdimisht në të drejtat dhe “meritat” e tyre?

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Në Kosovën e pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fitores historike, në qershor të vitit 1999 me çlirimin nga Serbia kolonialiste dhe okupatore, u krijua një klimë  e re në të gjitha segmentet e jetës së organizuar shoqërore në Kosovë e përgjithësisht në trojet e okupuara shqiptare nga ish-RSFJ dhe qeveritë e mëvonshme.

Jeta në liri iu takon të gjithë shqiptarëve, e të tjerëve që jetojnë në Kosovë, si atyre që kishin sakrifikuar gjithçka për çlirim nga robëria, si atyre, të cilët nuk kishin asnjë mëritë, përveç nëse njohin për mëritë ikjen nga toka e gjakosur e Kosovës, por edhe të atyre të kishin kundërshtuar luftën, dhe  jo pak prej tyre që kishin bashkëpunuar me regjimin më kriminal e më vrastar që kishte njohur Evropa, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Sojin e bashkëpunëtorëve, pas luftës  e kishte marrë në mbrojtje Policia e UNMIK-ut, duke qenë se ata ishin deklaruar të rrezikuar nga UÇK-ja. Nga brumi i sojit të tillë, dëshmitarë të mbrojtur, janë ngritur e po ngrihen aktakuza kundër çlirimtarëve.

Të gjitha këto t’ i quajmë kategori, përditë shpalosin të drejtat e tyre, meritat e tyre gjithnjë duke u mbajtur në vetët e grupet e tyre.

Teprimi në të drejtat, është kthyer në një konkurrencë, me qëllim për të treguar se kush ka qenë “dikushi”, kush ka merita më shumë, kush cilit grup apo cilit orientim politik i përket, me pretendime për të treguar epërsi, zotësi, dije, strategji, duke i ngjyrosur me patriotizëm të thekur, në të shumtën e rasteve me patetikë dhe rrahje gjoksi, pa brendi, pa përmbajtje, pa fakte e dëshmi reale.

Teprimi, për ta paraqitur veten në vendin e parë të më meritorëve, bëhet për shumë shkaqe, por emërues  i përbashkët e tyre është përfitimi material, duke e arsyetuar me aktivitetin, punën, mundin, burgun, përndjekjen nga regjimi, ikjen nga Kosova,  pasi i kishte përndjekur regjimi e të tjera. Ne që kishin qëndruar në Kosovë, nuk na paska ndjekur regjimi, andaj edhe paskemi qëndruar e jetuar nën robëri.

Kjo kategori e njerëzve tanë, kuptohet jo e të gjithëve, shquhet për egoizëm, xhelozi, mungesë besimi në vete, mungesë identiteti të mirëfilltë të personalitetit, mungesë në paraqitjen reale të fakteve e rrethanave, devijime të karakterit, urrejtje të papërmbajtur ndaj gjithë të tjerëve, mos durim ekstrem,  por edhe ekzagjerime tej çdo mase për veten apo klanin, për partinë apo mjedisin e vet familjar e shoqëror. Këta njerëz jetojnë duke improvizuar, jetojnë duke luajtur rolin e më të mirëve, më të përkushtuarve, më meritorëve me  të pazëvendësueshmëve.

Këtë mbiprodhim,  pas luftës  e kanë favorizuar rrethana e reja shoqërore e politike në vend, liria e shprehjes dhe e organizimit, liria pa kufi në të gjitha segmentet e jetës dhe këtë liri e kanë shfrytëzuar më së miri dinakët, servilët, të gjindshmit, të lakueshmit, pakurrizorët, ikanakët gjatë luftës, shumë nga mërgimtarët dhe të gjithë ata që janë munduar dhe mundohen ta mbajnë sa më lartë  flamurin,  flamurin e meritave për komb e atdhe, edhe pse jo pak prej tyre ia kanë punuar dhe ia punojnë mbi kurriz kombit e atdheut.

Teprimi në të drejtën e vet, në radhë të parë bëhet për tu imponuar, me qëllim për ta paraqitur veten, klanin apo partinë si më të mirën, më të vlershmen dhe për të vjelë pastaj favoret. Në këtë mënyrë, të tillët bëjnë përpjekje që gjithnjë ta mbajnë zërin sa më lartë, nga frika e konkurrencës dhe nga mendësia profane, megallomane.  Të tillët, në radhë të parë nuk kanë besim në vete, sepse thellë në qenie i ndiejnë zbrazëtitë, mungesën e intelektit, akëcili ndien  mungesën e arsimimit të mirëfilltë, por të veshur për së jashtmi me diploma e merita.

Gara për të qenë gjithnjë në radhë të parë, iu bëhet qëllim i jetës dhe shkon deri atje sa disa nga ta edhe harrojnë përse jetojnë, harrojnë familjet, harrojnë rrethin, disa harrojnë përkatësinë,  kombin e atdheun, pasi qëllimi për të qëndruar gjithnjë në ballë, me apo pa asnjë pikë merite, bëhet fiksion, bëhet sëmundje e pashërueshme, e cila në fund degjeneron në “panairin e vaniteteve”, në botën e kotësive.

Kemi raste kur një individ i këtij lloji njerëzish, nuk ka mbajtur as dy vjet të plota burg në kohën e pushtimit, por rrahë gjoks aq shumë, gënjen aq shumë për torturat që ia kanë shkaktuar udbashët, për rezistencën e pathyeshmërinë, sa pretendon të paraqitet si më i persekutuari nga të gjithë të tjerët. Duke u shërbyer me gënjeshtra e mashtrime të tilla, ai, aty ku i duket e leverdishme luan rolin e viktimës, për të zgjuar dhembjen e të tjerëve dhe për të arsyetuar postet, të cilat i ka mbajtur dhe i mban, duke e bindur veten se i meriton të gjitha, sepse ka vuajtur dhe vuan për popullin, nuk është me rëndësi se i do apo nuk i do populli meritat e tij

Ekzemplarë të tillë kemi me shumicë, sidomos në mesin e një kategorie megalomanësh pa identitet të mirëfilltë intelektual, me mungesë të shprehur të njohjen së realitet, mungesë e theksuar leximi e arsimimi.

Këta megalomanë të pandreqshëm e kanë edhe një hall tjetër.

Vazhdimisht iu duket vetja se janë harruar e po harrohen, madje për së gjalli, andaj trumpetojnë për të treguar se janë e do të jenë, se kanë qenë e janë themeltarë të lëvizjeve, grupeve, partive, se ata kanë qenë gjithnjë të parët, sepse me ta paska filluar dhe paska mbaruar historia. Sipas tyre nuk është me rëndësi kush ka luftuar, kush ka rënë për atdhe, por më me rendësi qenka kush ia paska vënë emrin një lëvizjeje të caktuar, kush ia paska vënë emrin UÇK-së, kush paska organizuar ndonjë grup për të hyrë në Kosovë gjatë luftës.

Këto janë prioritetet e tyre, sepse duan të mbulojnë diçka të madhe që u ka ndodhur, pasi ata nuk e kanë pasur guximin ta dëshmojnë veten fizikisht, atje ku ka ndodhur dhe ku është shkruar me gjak historia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nuk bëhet fjalë këtu për disa nga krerët e luftës, por për shumicën tjetër, e cila para dhe gjatë luftës ka jetuar në bollëk e begati, jashtë Kosovës,  me krejt familjen afër, madje disa syresh duke përfituar për aq sa kanë mundur  edhe nga fondet e luftës.

Të tillët, prej mbarimit të luftës e deri tani rrahin gjoks, mbajnë manifestime, flasin, vendosin pllaka me mbishkrime, në fshatra e lagje qytetesh  ku kanë fjetur ndonjë natë kur ishin ilegalë, apo të vetëshpallur si të ndjekur nga regjimet serbe.

Të tillët  shkruajnë nëpër portale, i atribuojnë vetes meritat për të folur në emër të luftës, të kombit dhe të krejt shqiptarëve, sepse ata mendojnë për vetët e tyre se janë të pazëvendësueshëm, se pa ta as liria e Kosovës nuk paska kuptim…

Sa të mjerë janë, kur mendojnë se nuk i njohim, se nuk i dimë “meritat” e tyre…

 

 

Ahmet Qeriqi

23 mars 2022

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …