Mitrush Kuteli

A. Qeriqi: Monologu i shqiptarit në “Poemin kosovar” të Mitrush Kutelit, monolog i fenomenologjisë kombëtare

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

“Poemi kosovar” i shkrimtarit të madh shqiptar, Mitrush Kuteli është ndër krijimet antologjike të letërsisë shqiptare në përgjithësi. Në këtë krijim fenomenal, ai me një ndjenjë të thellë përkushtimi vëllazëror e kombëtar, ka përshkruar fatin e rëndë të shqiptarëve të Kosovës e më gjerë, të cilët praj vitit 1912 kishin ngelur nën kthetrat e fuqive të mëdha e nën mizorinë e shteteve fqinje, të cilat jo vetëm kishin pushtuar tokat shqiptare, por vepronin me të gjitha mënyrat për t’i shfarosur shqiptarët edhe  fizikisht. Po pavarësisht përgjakjeve, masakrave, shpërnguljeve të dhunshme e mizorive fashiste sllave e greke, shqiptarët mbijetuan, falë rezistencës dhe gjakut të derdhur për liri.

Kuteli në këtë poezi ka derdhur tërë fuqinë e tij intelektuale, fuqinë shprehëse të një krijuesi, që ndien thellë në shpirt fatin e gjysmës së kombit të katandisur buzë shfarosjes, i cili  fillikat vetë, pa asnjë ndihmë duhej të përballet me një botë të tërë të mizorive, që venin e vinin  nga të gjitha anët nga fqinjët grabitqarë, nga Rusia e nga të gjitha shtet e fuqishme të Evropës.

Shqiptari i Kosovës, pavarësisht uraganit shkatërrimtar, nuk ishte dhënë para barbarive e mizorive, por kishte qëndruar i fortë si stralli dhe ishte kalitur për të mbijetuar në çdo rrethanë me çdo kusht, duke i vënë gjoksin mizorive dhe duke përballuar të gjitha sulmet, me qëllim për të mbijetuar në trojet e veta historike, i lidhur tok me tokën, dheun, gurin, drurin dhe gjithçka që kishte qenë dhe ishte e vetja.

Monologu i shqiptarit të Kosovës në këtë krijim antologjik të Mitrush Kutelit, është i njëjtë me monologun e tragjedive antike, është monologu që buron nga shpirti i vrarë dhe i nakatosur i shqiptarit të Kosovës, por kurrë i dhënë, kurrë i dorëzuar. Është fati jetësor i njeriut për të mbijetuar mbi tragjeditë, dhunën e mizoritë e tërë një Evrope e tërë një Rusie e më herët e tërë një Turqie. Ishte  diku, atje, një Asim Qerim, mbetur jetim që në vogëli, kësulëbardhë e kryelidhë, kryelidhë me një shami, me tri shami, për trimëri! Është një  eshtërmadh me sytë plot shkëndi, si batërdi, dhe  ka uri, si s’ka njeri për drejtësi e për Liri, si gjithë asimët e gjithë qerimët e vendit të tij.

Askush, asnjë krijues tjetër  deri te Mitrush Kuteli nuk kishte depërtuar aq thellë në psikikën dhe temperamentin e shqiptarit të Kosovës, askush nuk e kishte pasqyruar më mirë, shqiptarin e nëpërkëmbur gjatë shekujve, të cilin e kishin katandisur e nakatosur të gjithë,  pa dallim, por nuk e kishin zhbërë dot. Vetëm si i tillë, i gatuar nga  rrënja e strallit, shqiptari i Kosovës dhe i trojeve të tjera  nën pushtimin serb e sllav, kishte arritur të mbijetonte.

Ai nuk ishte dhënë kur ia kishin vrarë babanë, vëllanë, as kur e kishin dëbuar nga toka e tij, as kur e kishin kthyer në lypës, apo me sharrë në krah, as kur e kishin torturuar mizorisht. Nuk kishte pranuar të tradhtonte njerëzit e tij, as të shkonte në ushtrinë e pushtuesit, as të ikte për në Anadoll, apo në “Albani” ku ishte krijuar “shteti i ri”, sepse Kosovari ishte i lidhur për tokën e tij. Ai kishte qëndruar, sepse ishte Zot në  vendin  e tij, qysh kur ishte Iliri dhe  askund në ato troje nuk kishte pasur shka të zi, sepse ishte zot në shtëpinë e tij ku kishin jetuar të parët, denbabaden. I tillë ishte, si Asim Qerim, si të gjithë të afërmit e bashkëkombësit e tij që i kishte katandisur shjaku i zi, me ndihmën e Rusisë dhe të Evropit, po aq hileqar e  të zi.

Kishte duruar shumë dhe po aq shumë iu kishte shtuar  etja për liri, për drejtësi, për ta punuar tokën e tij, për t’i parë fushat e mbjella me grurë e livadhet me barë shumë. Dhe kurrë nuk e kishte humbur shpresën, ndërsa  një ditë i doli shkakut të zi në kufi dhe ia prish kufirin ku me dhunë e kishte vendosur, ai, Mali i Zi.

Ta shemba shka kufirin, që ngrite ti, në vendin tim e përmbi varr të babës tim. Ta shemba, ta dogja, me zjarrin e shpirtit, të  vuajtjes, sepse ti shkja i zi ma bërë borxh këtë batërdi.

Poemi kosovar i Mitrush Kutelit përfundon me mesazhin historik të shqiptarit, me moton e tij  autentike që e kishte përcjellë duke qenë i kalitur gjatë shekujve, gjatë përleshjeve e katandisjeve nëpër epokat e tij heroike, sepse  këtu ka qenë dhe këtu do të jetë, sepse unë jam këtu, e do të jem denbabaden, sa mali të bëhet hi, e hiri mal përsëri.

Për kohën kur ishte shkruar dhe ishte botuar, “Poemi kosovar”, ishte një pasqyrim realist i rrethanave të kohës, sepse shqiptarët e Kosovës nën regjimin despotik e mizor të Jugosllavisë monarkike nuk kishin gëzuar as edhe një të drejtë të vetme, njerëzore as kombëtare, andaj çlirimi i trojeve shqiptare pas kapitullimit të Jugosllavisë më 21 prill të vitit 1941, ishte çlirim i vërtetë, në kushte dhe rrethana historike të kohës. Ishte  hera e parë pas tridhjetë viteve që shqiptarët kishin filluar të marrin frymë dhe të gjezdisin nëpër tokat e atdheut prej Pazarit të Ri e deri në Janinë, Pargë, Prevezë e në Çamëri, prej Manastirit e deri në Ulqin, Plavë e Guci, që dikur kishte qenë vetëm, një copë Iliri.

Për shkaqe ideologjike, “Poemi kosovar” nuk u mësua nëpër shkolla në Shqipëri as në trojet e Kosovës e të Iliridës, por u lexua tinës, u shumëzua e shpërnda bashkë me poemën e Pirro Floqit, “Kosova e robnueme” poezinë e Asdrenit për bashkimin e Kosovës e Çamërisë me Shqipëri e poezi të  tjera.

Paja Jovanovic - Albanian in Ambush

 

QËNDRIMI

 

Jam shqiptar

e kosovar:

Zot e krenar,

Zot e bujar

mbi këtë Dhe,

që e kam fe

e përmbi fe:

e kam Vatan!

E kam Atdhe!

Që gjysh stërgjysh,

që brez pas brez,

që gjithmonë!

Ti shka thërret

ti shka bërtet,

deri lart në retë:

se jam barbar.

Nuk jam ashtu

si bërtet ti,

si buçet ti,

ti, Mal i Zi.

 

Po Vendin tim e dua,

lirinë e dua,

e nuk dua

zot

mbi mua.

Se jam këtu kur s’kish njeri,

kur s’kish kufi

as fqinjëri,

as shkja të zi.

 Se jam këtu kur Mal i Zi

ish Iliri:

kur nga një det në tjetrin det

isha zot vetë!

Unë jam këtu nga moti

kur vetë Zoti

e bëri fushën fushë

e malin mal.

Unë jam këtu e do të jem

-dem baba dem-

sa mali të bëhet hi

e hiri mal përsëri

 

 

DURIMI

 

Ma thonë emrin

Asim Qerim

mbetur jetim

që në vogëli.

Jam si më sheh

e si më njeh:

kësulëbardhë e kryelidhë,

kryelidhë me një shami,

me tri shami:

për trimëri!

Jam eshtërmadh

i vrazhdët jam

e bojalli-

dhe sytë e mi:

janë plot shkëndi,

si batërdi.

Dhe kam uri

si s’ka njeri

për Drejtësi

e për Liri

si gjithë asimët

e gjithë qerimët

e Vendit tim.

Ma thonë emrin Asim Qerim,

mbetur jetim

që në vogëli.

Se babën tim ma vranë

naçallnikët,

podporuçnikët.

Ma vranë,

se urdhër dha Vojvoda

e Krali- vetë:

Të vritet.

Se ish Kosovar!

Dhe se ish zot

mbi këtë Dhe!

Dhe tokën që kisha nga Baba

nga gjyshi

rrënjë pas rrënje

prej qindra vjet,

prej mijëra vjet

ma muar.

Ah!

Ma muar Vatanin

që e desha

si xhanin!

Ma muar

me armë në duar

me gjak nëpër duar

Agrarët!

Xhandarët

Tuxharët!

Të gjithë tok

u bënë shok:

si sorrat!

për kërme.

Oborrin ma muar

deri në shtëpi

dhe ngrehe për vete shtëpi

në sytë e mi.

Dhe unë,

ja, unë!

që isha zot

që qëmot:

mbeta pa dhe,

bujk pa dhe

bari pa kope

këtu,

në dherin  tim.

Dhe plori m’u ndryshk,

Hambari m’u myshk…

Po shpresa s’m’u vyshk!

Durova,

durova,

Sa nuk duron njeri,

as Perëndi!

Më thanë të shkruhem vojnik

e mynafik

i kombit tim.

Më dhanë armë të vras

vëllanë,

sipas kanunit

të gjakut…

Po s’desha!

Dhe në e bëra ma falni,

se jam gjaknxehtë.

Më thanë të ngrihem të ik

ku qielli puthet me dhenë;

Stamboll,

Anadoll,

e më tej.

Se vetëm andej

paska për ne

popull pa zot –

vend boll…

Po malli i tokës s’më la,

po malli i fushës s’më la,

as gjaku i babës s’më la.

Dhe mbeta këtu,

i huaj,

si qen,

në vendin tim,

të babës tim…

Mbeta rajá,

e ndër rajá,

si për hatá;

në uri,

në qesëndi,

në skllavëri

të shaut të zi.

Më thanë të ik në Allbani,

vatan i ri

i kombit tim,

si shkoi Selmani,

Hasani

e Dani.

Po dot nga toka s’u ndava

dhe mbeta të jem

ku jam

e ku do të jem.

Më thanë të shkoj në sheher

të shqahut të madh,

me sharrën në krah,

me kryet përdhé,

jaban

e beter;

portë më portë,

derë më derë,

i mjerë

e zemër sterrë,

për një kotherrë

bukë.

Po malli i vendit s’më la.

Ah, malli i gjakut s’më la

e mbeta këtu,

rajá.

ndënë raja

të ha një bukë – zehër

lagur me lot,

njomur me vrer

dhe të pres, po të pres!

Një tjetër mëngjes.

E dit për dit,

E net për net, e vjet pas vjet

rrojta

e vojta

kaba

ndënë shkjah:

raja

ndënë raja,

si në hata

si tjatër s’ka!

Po prita

Dhe prita

Të vijë dhe për mua

Drita!

Tani

Tani,

Liri!

 

 

SULMI

 

Ta shemba shka kufirin

që ngrite ti

në vendin tim e përmbi varr

të babës tim.

Ta shemba,

ta dogja,

me zjarrin e shpirtit,

të vuajtjes

dhe të urrejtjes.

Me zemërim,

me vrull të madh,

e bubullimë

që s’ka mbarim

Se vjet ti më çave,

më ndave,

më vrave,

armik – lugat,

armik -xhelat!

Ti bëre azape:- s’u tremba.

Ti ngrite kufin me gjemba,

fortesa ti ngrite:

t’i shemba!

Tani!

Tani!

Atje ku ti

o Mal i Zi

ngrite kufi

që ndanin,

e çanin

vëllazëri:

Hej!

Sot,

shkon

e valon,

parmenda!

T’i bëra të gjitha rrëmujë

dhe ty

gjurma t’u zhduk

si në ujë.

Ta shemba armik kufinë

derë burgu

dhe është tani

si ish!

si do të jetë

përjetë:

Lëndinë!

 

NDËRTIMI

 

I bie arës mes-për-mes

e deri në brez

e përmbi brez

humbas

me gas

në grurin tim,

të Dheut tim,

të babës tim,

të birit tim:

sot e përjetë,

jetë pas jete!

 Dhe ndje qysh flet

me zë të qetë

im-Atë vetë

nga balta poshtë:

Ta mbroni Dhenë

ku eshtrat kam

ku hi e tokë

e pluhur jam…

Ta mbroni Dhenë

që të ushqen

dhe sot si dje:

me kurmin tim…

Ta mbroni Dhenë,

me zjarr ta mbroni,

me gjak ta mbroni.

Të derdhni gjakun

me grushte plot

po kurrë lot,

as sot, as mot!…

Se loti është robëri,

Gjaku: Liri!

Jam eshtërmadh

e bojalli

e me japi,

si më sheh ti,

si më njeh ti.

Po kam një zemër

në gjoksin tim

që pa pushim

me rreh

si Durim.

Dhe Babën tim kur e kujtoj

Lotoj…

Të pashë të vrarë, or Baba,

e pa qefin si për hata,

rreth e përqark me xhandarma.

Desha të qaj e s’qava dot,

e të bërtas, s’bërtita dot,

pa asnjë lot, pa asnjë lot.

Dhe prita sot të derdh një lot

 

ÇLIRIMI

 

Tani!

Tani!

Unë jam gati

të vdes që sot –

se rroj përmot;

mbytur me gjak

po jo me lot,

për këtë Dhe

që e kam si fe

e përmbi fe.

E kam Vatan!

E kam Atdhe!

Hej!

po buças me zë kaba

sa të dëgjohet në qiell

sa të dëgjojë fund e krye

kush gjak shqiptari ka në deje.

Shaban- vëlla!

Destan- baba!

Hej!

Komb i lirë e kosovar,

ti komb shqiptar,

ti Zot krenar

ti djalëri

ti pleqëri

bëju gati!

Bëju gati

për vrull të ri;

ta djegësh botën

ta bësh hi:

për Liri’

Për Shqipëri!

Tani,

tani!

– O Mal i Zi

ja unë

ja ti!

Por unë – jo ti,

se jam këtu kur s’kish njeri

dhe as kufi

as fqinjëri…

Unë jam këtu kur Mali i Zi

Me Shumadi,

Me Dalmaci –

Sa mban e gjitha Shkini

Ish ILIRI!

Kur nga një det në tjetrin det

isha Zot vetë.

Se jam këtu nga moti

kur vetë zoti

e bëri fushën- fushë

e malin mal!

Unë jam këtu

e do të jem

– dem baba dem –

Sa mali të bëhet hi

E hiri mal përsëri.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …