Brickos

Qytetarët e Mitrovicës i japin mbështetje të fuqishme kryetarit Bahtiri

Në një takim të ftuar nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ku morën pjesë intelektualë, përfaqësues të shoqërisë civile, të OJQ-ve, Bashkësisë Islame, përfaqësues të lagjeve veriore të qytetit dhe të tjerë, është diskutuar për gjendjen e përgjithshme politike e të sigurisë, me theks të posaçëm për aktivitetet që po ndërmerren për lirimin , lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe automjeteve për urën kryesore mbi lumin Ibër.

Kryetari Bahtiri  ju tha fillimisht të pranishmëve, se falë punës së institucioneve komunale, policisë së Kosovës e institucioneve tjera vendore e ndërkombëtare të sigurisë, por para së gjithash falë sjelljeve dhe kontributit të vet qytetarëve, të të gjitha komuniteteve, situata politike dhe e sigurisë në komunë është mjaftë stabile, me tendencë të përmirësimit të mëtutjeshëm.

Madje, tha ai, komuna e Mitrovicës është komuna ku krimet e ndryshme, veprat për kundërvajtje dhe ato penale, kanë shënuar rënie më të madhe në Republikën e Kosovës.

Në vazhdim kryetari Bahtiri ju tha të pranishmëve se aktivitet kryesor gjatë muajve të fundit ka pas në përpjekjet për realizimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe lëshimin e saj për lëvizje dhe qarkullim të lirë të njerëzve dha mallrave, deri në fund të këtij muaji.

“Unë  shpresoj që kjo gjë të ndodhë brenda afatit kohor të marrëveshjes. Mirëpo, dua të ju njoftoj se ka përpjekje që rivitalizimi i urës të ndërlidhet, përkatësisht të kushtëzohet me bisedime të reja ndërmjet komunës që unë e drejtoj dhe asaj të formuar në veri, për përcaktimin e ri të kufijve administrativ ndërmjet dy komunave, gjë që është e pa pranueshme për mua”, tha ai.

Kryetari Bahtiri i njoftoj pjesëmarrësit në takim se ka pas disa herë biseda me përfaqësuesit e institucioneve më të larta të vendit dhe atyre ndërkombëtarë në Prishtinë,  lidhur me këtë çështje.

Ai bëri të ditur se në këto takime ka ripërsëritur disa herë qëndrimin dhe vendosmërinë e tij  për të respektuar plotësisht kufirin administrativ ndërmjet dy komunave, ashtu sikur është parapa me pakon e Ahtisarit, kufi të cilin e kanë pranuar edhe vet serbët, por që tani kanë ndryshuar mendjen dhe duan të përfitojnë në dëm të komunës së Mitrovicës, të së cilës i kanë takuar edhe vet ata deri tash.

Diktuesit e shumtë nga pjesëmarrësit e takimit, pasi vlerësuan pozitivisht punën e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, lidhur me këto dhe çështjet tjera, thanë se vonesat për rivitalizimin e urës dhe përpjekjet për të kushtëzuar këtë me përcaktimin e ri të vijës ndarëse administrative midis dy komunave, janë të pa pranueshme dhe mund ndikojnë negativisht në situatën e përgjithshme në komunë.

Duke u nisur nga kjo, ata i dhanë mbështetje të fuqishme dhe të pa rezervë kryetarit Bahtiri për të vazhduar vendosmërinë e tij që marrëveshja e Brukselit lidhur me rivitalizimin e urës të respektohet në tërësi dhe brenda afateve të përcaktuar dhe që vija ndarëse administrative midis dy komunave të mos negociohet në asnjë mënyrë, sepse ajo është vendosur njëherë dhe me pëlqimin e të gjitha palëve.

Po ashtu, pjesëmarrësit në takim kërkuan nga kryetari Bahtiri që të njoftoj drejtuesit e institucioneve më të larta të vendit dhe përfaqësuesit e BE-së dhe ambasadat e shteteve ta huaja në Prishtinë për qëndrimet që dolën nga takimi.

Kontrolloni gjithashtu

Në Sllatinë të Epërme të Vitisë u përkujtua dëshmori Njazi Rexhepi dhe u shënua dita e shkollës

Sot, në Sllatinë të Epërme të Vitisë, u shënua dita e shkollës dhe u përkujtua …