Radio Kosova e Lirë shënoi 27-vjetorin e themelimit nën hijen e mungesës së Prof. Ahmet Qeriqit

Radio Kosova e Lirë shënoi dje 27-vjetorin e themelimit të saj, në një përvjetor të veçantë, të mbushur me emocione të thella, mall dhe përulje, për shkak të mungesës fizike të drejtorit dhe shtyllës kryesore të saj, Prof. Ahmet Qeriqi, i cili u nda nga jeta më 7 mars 2025. Ky përvjetor, ndryshe nga vitet e tjera, u përjetua me një ndjenjë të theksuar zbrazëtie, por edhe me një respekt të jashtëzakonshëm për veprën dhe trashëgiminë që Profesor Ahmet Qeriqi la pas. Në këtë ditë përkujtimore e urimi, në ambientet e Radios Kosova e Lirë u mblodhën dhjetëra mysafirë: bashkëpunëtorë të hershëm dhe aktualë, familjarë dëshmorësh, çlirimtarë, ish-të burgosur politikë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, të cilët për dekada kanë qenë pjesë e pandashme e rrugëtimit të kësaj medie. Si zakonisht dhe sipas traditës së Radios Kosova e Lirë, mysafirëve iu dhurua nga një kalendar i RKL-së, simbol i vazhdimësisë, kujtesës dhe misionit që kjo radio mbart prej 27 vitesh. Megjithatë, asnjë simbol nuk mundi të zëvendësojë praninë e atij që e ndërtoi, e mbrojti dhe e udhëhoqi këtë institucion me përkushtim jetësor. Nuk ishte e lehtë për të pranishmit të gjenin fjalë urimi. Shumë prej tyre, mes emocioneve dhe heshtjes, kujtuan me pietet kontributin kolosal të drejtorit Ahmet Qeriqi, intelektualit, veprimtarit, zërit të palëkundur të lirisë dhe njeriut që e shndërroi Radion Kosova e Lirë në një arkiv të gjallë të rezistencës, sakrificës dhe historisë kombëtare. Në këtë 27-vjetor, Radio Kosova e Lirë dëshmoi edhe një herë se është më shumë se një media: është kujtesë kolektive, është mision dhe amanet. Një amanet që do të vazhdojë të jetojë, në nderim të veprës dhe idealit të Prof. Ahmet Qeriqit, dhe në shërbim të fjalës së lirë shqipe.

Kontrolloni gjithashtu

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar lidhur me Projektligjin për Pagat, të cilin e ka publikuar Qeveria

Komunat në krizë financiare: Mbi 126 milionë euro të ekzekutuara, projektet zhvillimore në rrezik serioz

Gjatë vitit 2025, komunat e Republikës së Kosovës janë përballur me një goditje të rëndë …