Rama nga Bordi i Paqes: 6 vite paraburgim për Thaçin janë deformim i drejtësisë ndërkombëtare, thirrje Trumpit për veprim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ngritur çështjen e procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalimit të tij në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, duke kërkuar angazhim ndërkombëtar për atë që e cilësoi si “deformim të drejtësisë ndërkombëtare”.

Në adresimin e tij, Rama përmendi rolin e ish-presidentit amerikan Donald Trump në afrimin e Kosovës dhe Serbisë drejt një marrëveshjeje përfundimtare gjatë mandatit të tij të parë, duke theksuar se procesi politik i asaj kohe ishte ndërprerë nga aktakuza ndaj Thaçit.

Sipas Ramës, fakti që ish-presidenti i Kosovës ka kaluar gjashtë vite në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës duhet të shqetësojë edhe vetë shtetet që financojnë këtë mekanizëm gjyqësor.

“Disa nga shtetet demokratike që e sponsorizojnë këtë gjykatë duhet të ndihen të turpëruara nga ky deformim i drejtësisë ndërkombëtare”, deklaroi ai, duke shtuar se situata kërkon reflektim dhe veprim politik.

Kryeministri shqiptar iu drejtua drejtpërdrejt Trumpit me një thirrje publike, duke kërkuar ndërhyrje para se, sipas tij, “shumë gjëra të këqija mund të ndodhin përsëri”.

Në të njëjtin fjalim, Rama përgëzoi presidentin amerikan për nismën e Bordit të Paqes, duke theksuar se Shqipëria ndihet e nderuar që është pjesë e këtij mekanizmi dhe duke hedhur poshtë pretendimet se iniciativa synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara.

Ai shtoi se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe dialogu mbeten rruga e vetme për stabilitet afatgjatë në rajon.

Kontrolloni gjithashtu

PDK: Presim vendim të drejtë dhe të pandikuar, besojmë në pafajësinë dhe lirinë e çlirimtarëve

Partia Demokratike e Kosovës përcolli me vëmendje paraqitjen e fjalëve përfundimtare në Dhomat e Specializuara …