Rama: Serbia mban përgjegjësinë kryesore për bllokimin e dialogut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se përgjegjësia kryesore për ngecjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bie mbi Beogradin, pasi sipas tij, autoritetet serbe vazhdojnë të mos e pranojnë realitetin e krijuar me pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për Euronews Serbia, Rama deklaroi se Serbia duhet të pranojë ndryshimet që kanë ndodhur në rajon.

“Serbia është më përgjegjësja për situatën në dialog, sepse nuk është e gatshme ta pranojë realitetin, ndërsa realiteti ka ndryshuar. Nuk ekziston më diçka që quhet ‘Kosova dhe Metohia’; ekziston Republika e Kosovës”, ka theksuar Rama.

Duke komentuar faktin se pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ai theksoi se kjo nuk ndryshon realitetin ndërkombëtar.

“Pesë nga 27 janë ende pak. Kjo tregon se shumica dërrmuese e vendeve e kanë pranuar realitetin. Nuk bëhet fjalë për dobësi, por për pranimin e faktit se realiteti ka ndryshuar. Ashtu si kombet e tjera të ish-Jugosllavisë gjetën rrugën drejt pavarësisë, edhe shqiptarët kishin të drejtën e vetëvendosjes”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Rama ka theksuar se pavarësia duhet të shoqërohet me bashkëpunim dhe respekt për të drejtat e pakicave, duke nënvizuar se serbët përbëjnë pakicë në Kosovë.

Rama ka përsëritur se Serbia, si shteti më i madh në rajon, duhet të pranojë realitetin e ri politik.

“Sipas mendimit tim, dhe këtë e kam thënë edhe në Beograd, sa më shpejt që Serbia ta pranojë se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë”, ka thënë Rama.

Kontrolloni gjithashtu

Elisa Spiropali: Kosovës nuk ia fali kush lirinë por e fitoi me gjak

Ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres …