Ramë ORACA: DISA FJALË PËR ROMANIN /45 LETRA PËR MARTINËN/ TË AUTORES SABILE KEÇMEZI-BASHA

Ramë ORACA: DISA FJALË PËR ROMANIN /45 LETRA PËR MARTINËN/ TË AUTORES SABILE KEÇMEZI-BASHA

Ky roman të cilin autorja ia kushton babait së saj, është Botim i Shtëpisë Botuese “Rozafa” në Prishtinë, viti i botimit 2025. Romani “45 Letra për Martinën”, përmban një dokument unik të ndërthurjes mes jetës intime, qëndresës morale dhe punës intelektuale në kushte të dhunës totalitare. Liri, një i burgosur politik në burgun e Nova Gradishkës, të 45 letrat i shkruan për vajzën e tij ende të pa lindur e të pagëzuar me emrin Martinë. Këto letra nuk janë vetëm dëshmi biografike, por një laborator ekzistencial ku përpunohen idetë për lirin e atdheut.

Emërtimi simbolik i personazheve Liri dhe Martinë janë boshti thelbësori i gjithë romanit. Në trekëndëshin letrar Gjyshja, Liri dhe Martina përfaqësojnë një formë të veçantë të filozofisë së të jetuarit në kohë robërie. Stili i autores Basha karakterizohet nga përmbajtja gjuhësore shumë e pasur dhe emocioni i përmbajtur i të rrëfyerit. Në vend të patetikës së tepruar, autorja e ndërton atmosferën përmes imazheve të qarta që përmbajnë letrat e babait të saj dhe figurave metaforike të cilat autorja mjeshtërisht i zbërthen. Ky zbërthim stilistik e shndërron tekstin në një hapësirë reflektimi, ku lexuesi jo vetëm që ndjek ngjarjet, por ai edhe ndalet për t’i arkivuar ato. Një meritë e dukshme e romanit është ndërthurja e përvojës profesionale e autores si studiuese e historisë me krijimtarinë e saj letrare.

Romani “45 Letra për Martinën” përfaqëson një shembull domethënës të letërsisë në gjithë hapësirën shqiptare. Autorja, Basha përmes letrave të babait të saj, vë në funksion argumentin e së vërtetës dhe arrin të krijojë një kujtesë letrare ku trauma, dhimbja dhe përpjekja për të kuptuar të shkuarën marrin formë estetike. Në këtë kuptim, romani nuk është vetëm një pasqyrë e një periudhe të shkuar, por një akt i vetëdijshëm artistik dhe moral që synon të ndalojë procesin e harresës.

Autorja në mënyrë fakto-grafike, lexon letrat e babait, ku në njërën nga ato, ai  shkruan: ”Ëndrrat nuk trashëgohen, Martinë”. Autorja përdor metafora dhe figura që theksojnë tensionin mes individit dhe pushtetit, ndërmjet traumës kolektive dhe përpjekjeve për mbijetesë. Gjuhësisht, romani toleron një stil të matur, që nuk bie në patetikë, por ruan emocionin e situatës përmes imazheve dhe heshtjeve midis rrëfimeve të personazheve,  siç janë: Bardhi, Sadiku, Hansi, Fitor Bjeshka, Shpëtim Shkoza, Zoja, Era, etj. Të gjitha letrat për Martinën i takojnë një periudhe që ka lënë plagë në ndërgjegjen kolektive. Ky roman sjell në kujtesë vitet e pasluftës së dytë botërore si një plagë të hapur mes nesh!

Këto letra, të Lirit të shkruara në burg janë dokument i një shpirti që, edhe pse i mbyllur fizikisht, ai mbetet i pamposhtur në mendim, reflektim dhe krijimtari intelektuale. Të 45 letrat e Lirit, nisur nga e para janë, një udhërrëfyes për Martinën. Secila prej tyre përmban në vete nga një dramë jetësore të Lirit, i cili këto letra i ruante në fshehtësi të thellë burgu.

Liri është shembull i një stoicizmi modern. Në vend që të ankohet, ai synon ta kuptojë vuajtjen, dhe atë ta shndërrojë në forcë intelektuale. Letrat nuk janë një kronikë e dëshpërimit, por një ditar i rezistencës. Ai e sheh veten si ndërtues të një etike të re, të bazuar te përgjegjësia dhe koherenca mes mendimit dhe veprimit. Që nga viti 1945 autorja e librit sjell rrëfimet e Lirit për tragjedinë e Tivarit, për strajcën e Tonit, opingat e Balit, dhe krahun e këputur të Tonit. Pastaj për vdekjen e Bardhit, shokut të dhomës së burgut, për Sadikun, Hansin një gjerman mik i Lirit, të cilin e kishte për zemër, i cili në një rast i kishte thënë: “Ti e do Shqipërinë e Madhe, por mos hyr në konflikt me askënd, këtu ka shumë provokatorë. Mos fol për planet e tua, largohu nga njerëzit e dyshimtë dhe mos ndërro shumë fjalë me ta. Asnjëherë mos fli sikur çdo gjë është në rregull. Shiko vetëm punët e tua, mos u merr me thashetheme dhe, mbi të gjitha, mos i beso askujt”.

Liri edhe në qeli, ruante identitetin e tij kombëtar. Pavarësisht kushteve, mendja e Lirit mbetet e kthjellët. Ai përdor një gjuhë të thjeshtë, të hapur. Letrat janë të mbushura me analiza të shkurtra, citime kulturore dhe reflektime emocionale.

Teksti lëviz midis zhanreve: herë është ese, herë meditacion filozofik, herë rrëfim intim. Kjo e bën veprën shumëdimensionale dhe e ngrit atë përtej një letërkëmbimi të zakonshëm. Ai shkruan për shëndetin e rënduar, për vuajtjet fizike dhe për mallin e familjes. Këto pasazhe i japin veprës një dimension prekës, që depërton përtej politikës dhe e shndërron Lirin në figurë universale të vuajtjes dhe shpresës. Liri shkruan me një gjuhë të qartë, të përmbajtur, por jashtëzakonisht të ngarkuar me reflektim optimisti.

Teksti nuk është retorik; është i sinqertë, herë i ashpër, herë i butë, por gjithmonë i ndritur. Ai arrin të flasë me një elegancë të thjeshtë, ku çdo fjali mbart peshë. Letrat nuk janë thjesht shkrime private; ato janë dëshmi e jashtëzakonshme e forcës së një njeriu që refuzon të thyhet. Në këto letra ai shfaq një etikë të lartë të jetës, si porosi për Martinën, një disiplinë të rreptë mendimi dhe një vendosmëri për të mbetur njeri dhe intelektual, pavarësisht kushteve çnjerëzore.

Letrat janë dokument i një shpirti që, edhe pse i mbyllur fizikisht, mbeti i pathyeshëm për idenë e tij për lirinë e atdheut. Ai në një letër për Martinën shkruan “Liria ka ngjyrën e gjakut, bija ime”. Ai arrin të flasë me një elegancë të thjeshtë, ku çdo fjali mbart peshë. Në një nga letrat për Martinën, Liri shkruan: “Në vendin tim, askush nuk e do këtë sistem të kalbur. Askush nuk dëshiron të jetojë nën robëri, askush nuk pranon zinxhirët e pushtimit. Fjalët e mia ishin një himn i shpirtit, që kërkonte dritë, një zë i guximshëm në errësirën e frikës, që përmbyste çdo qëndrim të imponuar nga dhuna dhe padrejtësia”. Letrat e Lirit shpesh janë melankolike, të mbështjella me një dhimbje të heshtur, por kurrë me dorëzim.

Ai shkruan për shëndetin e rënduar, për vuajtjet fizike dhe për mallin për familjen. Këto pasazhe i japin veprës një dimension prekës, që depërton përtej politikës dhe e shndërron Lirin në figurë universale të vuajtjes dhe shpresës. Liri edhe pse në gjendje të rënduar shëndetësore, ai nuk ndalet së shkruari letrën për Martinën: “E dashura Martinë, nuk mund të të premtoj se kur do të jem në gjendje të shkruaj përsëri, por të betohem se do të gjej mënyra për të shkruar. Secila fjalë do të jetë një pjesë e shpirtit tim, një ndjenjë që kalon përtej këtij muri të ftohtë, për të të treguar se zemra ime rrah fort për ty dhe për atë që besoj.”

Vepra “45 Letrat për Martinën” e autores Sabile Keçmezi-Bashës është më shumë se një roman: është një testament i njeriut që i qëndroi kohës dhe pushtetit me forcën e mendimit dhe moralit. Leximi i këtyre letrave i jep lexuesit përvojën e një afërsie më sublime me Martinën, vajzën e Lirit e cila pa ardhur në këtë botë bëhet pjesë e burgut bashkë me babin e saj. Një komunikim i jashtëzakonshëm përmes letrave të cilat do të lexohet nga vetë autorja, me një zë që, edhe në heshtjen e qelisë, flet me forcën e shpirtit për ta arkivuar në kujtesën tonë. Ky roman është një mësim i përjetshëm se drita e mendjes dhe dinjiteti nuk mund të burgosen me hekur.

Letrat e Lirit nuk kishin postë, por adresa e tyre ishte e qartë: Martina! Liri po i shkruante këto letra që bija e tij Martina, një ditë do t`i lexoi në liri. Dhe ajo, sot është në mesin tonë, Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, të cilës i urojmë shëndet dhe gjithë të mira në jetë.

Kontrolloni gjithashtu

MIKIS THEODORAKIS: GREKE GLOBALE

MIKIS THEODORAKIS: GREKE GLOBALE

Mikis Theodorakis, i cili lindi në ishullin e Kiosit më 29 korrik 1925 dhe me …