Fadil Dervishaj: Libri “Krimet serbe në Kosovë (Rasti i Deçanit)”, i autorit Adem Lushaj është një libër i llojit të veçantë

Ramiz Tafilaj Libër me dëshmi të barbarizmit serb

(Vështrim rreth librit “Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit” i Adem Lushaj, që është libri më i ri i nxjerë nga Shtëpia botuese “Jalifat Publishing” me seli në Houston-Texas)

 Në traditën tonë kombëtare, sidomos atë të folklorit e të gojëdhënave, shqiptarët kanë pasur gjithherë zemër të madhe, por fat jo të mirë. Shqiptarët kanë prejudikuar paqen, por nuk i kanë ikur luftës. Kanë pranuar sakrificën qoftë edhe me jetë, por nuk i janë nënshtruar askujt! Historia jonë është shkruar me gjakun e brezave të njëpasnjëshëm. Është skalitur në bjeshkët tona dhe u ka bërë shtrat luleve të fushave tona, për të na rikujtuar të kaluarën dhe për të na dhënë kurajo për të ardhmen.

Asnjë dromcë historike nuk është më e freskët se sa lufta e fundit në Kosovë. Luftë, e cila nuk ishte e barabartë, por e cila, përkundër shumë vuajtjeve e gjakut të derdhur, solli fitoren më të rëndësishme kombëtare dhe historike për shqiptarët si komb. Liria e Kosovës nuk ishte e liri. Ajo u pagua shtrenjtë! Por, vlera e saj mbetet e paçmueshme, ngase liria e Kosovës solli edhe pavarësinë e kësaj toke të bekuar të Dardanisë antike.

Nuk ka laps as letër që mundet ta përmbledhë krejt historinë e popullit tonë në Kosovë. Por, secili kontribut në evidentimin dhe përshkrimin e krimeve të luftës në Kosovë, i jep vlerën e duhur sakrificës së popullit tonë. Secili libër, punim shkencor, kumtesë, shkrim e botim në këtë kontekst, është një gurë shtesë në murin e kombtarizmës sonë i cili pasqyron atë që përjetuam dhe projeksionin vizionin për atë që duam nesër.

Në këtë vazhdë, edhe libri që ju lexues të nderuar e keni në duar, është një gurë solid dhe i rëndësisë së veçantë në murin e kombtarizmës sonë historike. Autori, Adem Lushaj ka bërë një punë të mrekullueshme në evidentimin, pasqyrimin dhe përshkrimin e krimeve serbe në Deçan, gjatë luftës së fundit në Kosovë. Deçani si një vatër e kamotshme e atdhedashurisë, ishte edhe target i përpjekjes çnjerëzore serbe për çrrënjosjen e shqiptarëve nga vatrat e tyre shekullore.

Po, serbët kryen krime kundër neve, por ata humbën. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë fitorja jonë. Fitore, e cila sot përkujtohet në lapidaret e dëshmorëve, në bulevardet me emra trimash, në varrezat e martirëve, dhe shtëpitë kulla të rezistencës heroike, në familjet e të pagjeturve, dhe në odat që kanë mbet pa burra, e në shtëpitë e motrave pa vëllezër! Kudo nëpër Kosovë, ashtu edhe në Deçan, përsiatjet e lirisë janë të çiltra! Dëshmia e tyre është sakrifica jonë kombëtare.

 Andaj, libri i autorit Lushaj, “Krimet Serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit” është monument i gjallë që i dedikohet atyre që me gjakun e tyre, paguan lirinë tonë. Libri është dëshmi e barbarizmit serb. Libri është mësim për gjeneratat e ardhshme. Plackitjet, djegiet, vrasjet, përzënia nga shtëpitë e tyre, deri tek dhunimet, autori Lushaj i dokumenton me saktësi viktimat dhe përshkruan me përkushtim ngjarjet.

Fuqia e argumentit të autorit Lushaj, vjen nga kjartësia e fakteve që ai prezanton në këtë libër dokumentues dhe argumentues. Autori ka bërë një punë madhështore dhe lexuesit i ofron një mundësi unike për të kuptuar vuajtjen e Deçanit dhe krejt Kosovës.

Uroj që historia jonë të mbetet histori e papërsëritshme. Uroj që gjeneratat e ardhshme të vlerësojnë sakrificën vetëmohuese të së kaluarës dhe me vullnet të ndërtojnë perspektivën e së ardhmes!

Ramiz Tafilaj, është  drejtor i “Jalifat Publishing”

Kontrolloni gjithashtu

Një vit të mbarë shkollor në gjuhën shqipe!

Një vit të mbarë shkollor në gjuhën shqipe!

Urojmë suksese të gjithë nxënësve të shkollave shqipe në Zvicër për vitin shkollor 2025/2026! Në …