Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ashpërsuar qëndrimin politik ndaj qeverisjes aktuale, duke deklaruar se partia e tij nuk do të mbështesë asnjë formulë të re qeverisëse nën udhëheqjen e Albin Kurtit. AAK-ja është e gatshme të mbështesë çdo alternativë opozitare, por jo një tjetër mandat të Lëvizjes Vetëvendosje. “Nuk kemi kushte. Jam i nderuar të jem kandidat për kryeministër, por cilido që formon qeverinë nga opozita do ta ketë ndihmën tonë. Dua të jem i qartë: nuk mbështesim Kurti 3 ose 4”, deklaroi ai. Këto qëndrime vijnë në një kohë kur qeveria aktuale akuzohet për izolim politik, mungesë bashkëpunimi me opozitën dhe zvarritje të proceseve institucionale. Haradinaj kujtoi se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, AAK-ja ishte e hapur për bashkëpunim me subjektet opozitare, por sipas tij, mungesa e numrave dhe manovrat politike lejuan Vetëvendosjen të zvarriste formimin e institucioneve. “Interesimi për qeveri të ish-opozitës u humb pikërisht për shkak të kalkulimeve dhe vonesave që i shërbyen vetëm pushtetit aktual”, theksoi Ramush Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
