Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kaçaniku është qytet me histori, i cili tashmë kërkon një vizion të ri zhvillimi. Në një tubim zgjedhor, ai tha se bashkë me kandidaten për kryetare të Komunës, Hafize Sallahu, dhe ekipin e profesionistëve, janë të gatshëm të sjellin ndryshimin e shumëpritur. “Kaçaniku na jep forcë për hapat e mëdhenj që na presin, për vizionin ‘Dritë për Kaçanikun’ dhe numrin 174. Ne kemi dëshmuar se projektet madhore realizohen – Autostrada ‘Arben Xhaferi’ është shembulli më i qartë i vizionit tonë qeverisës”, tha Haradinaj. Sipas tij, prioritetet kryesore për Kaçanikun mbeten zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm, menaxhimi i ujërave të zeza, ndërtimi i çerdheve, hapja e rrugëve alternative dhe dixhitalizimi i shkollave. Duke e cilësuar Hafize Sallahun si një afariste të suksesshme dhe drejtuese të dëshmuar, Haradinaj theksoi se ajo sjell një program të qartë për të ardhmen e qytetit dhe përfaqëson më së miri interesat e qytetarëve. “Koha për improvizime ka mbaruar. Është momenti për 174, për qeverisje që sjell dritë për Kaçanikun”, tha Haradinaj.
