Tema të tjera...
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar veprën dhe sakrificën e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, duke i cilësuar si veprimtarë të hershëm dhe shtyllë të rëndësishme të lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi. Në kuadër të shënimit të 44-vjetorit të rënies së tyre, Haradinaj bëri homazhe në Dubovik të Deçanit, duke nderuar heroizmin dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në organizimin dhe ndërgjegjësimin kombëtar. Ai theksoi se guximi, vizioni dhe angazhimi i hershëm i Gërvallëve dhe Kadri Zekës ishin frymëzim i vazhdueshëm për brezat që nuk u ndalën në rrugën e lirisë, rrugë që u kurorëzua me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas Haradinajt, sakrifica e tyre mbetet themel i fortë i rezistencës shqiptare dhe dëshmi se liria e Kosovës është rezultat i përpjekjeve të pandërprera në etapa të ndryshme të historisë sonë. Ai përfundoi duke shprehur nderim dhe mirënjohje për të gjithë të rënët për liri, të cilët me gjakun dhe veprën e tyre ndërtuan rrugën drejt shtetësisë së Kosovës. “Lavdi të rënëve për liri në të gjitha etapat e historisë sonë të lavdishme,” ka theksuar Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
