Rasim Selmanaj

Rasim Selmanaj: Gjykatë Speciale një etnike për shqiptarët, kriminelët serbë të padënuar për gjenocidin, në Kosovë!

Njëzet e një vjet pasluftës, secili prej nesh në vend që të bëjë luftë me plagët dhe pasojat e saj, duhet të bëjmë luftë për të vërteten.

Për të vërteten e abuzuar!

Me drejtësinë e njëanshme!

Pas shumë proceseve gjyqësore, gjykatave, akuzave dhe aktakuzave, ashtu si këto që kanë ndodh në këto dy dekada, në gjykatat vendore e ndërkombëtare, tashmë ka humbur sensi i pafajësisë.

Pas gjykimeve ndërkombëtare, provave të rrejshme dhe sprovave për t’i dënuar luftëtarët e lirisë, aktakuza ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeperlamentarit Kadri Veseli, dy prej prijësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. tashmë duket se gjykata ndërkombëtare, gradualisht ia ka humbur sensin konceptit të lirisë, konceptit të drejtësisë, atë që e njeh e drejta ndërkombëtare, atë që e njohën të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë: luftën e drejtë të UÇK-së, luftën gjithpopullore për mbijetesë.

Kjo është luftë e paparë denigruese, prej që ekziston historia e gjykatave për krime lufte, jo vetëm ajo për krime luftë në ish-Jugosllavi, por kudo në botë ku ka ndodhur një gjenocid, ku si me shpatë janë ndarë viktima nga agresori.

Nuk kemi parë, e as lexuar që të ketë një shembull si ky i Kosovës, prej të cilës kërkohet padrejtësisht t’i bëhet gjyqi edhe pse mbi të u ushtrua gjenocid e spastrim etnik.

Kosovës, përfaqësuesve të saj, dhe të Ushtrisë Çlirimtare i kërkohet t’i bëhet gjyq, edhe pse askush nuk u mor mbi mijëra të vrarë e të masakruar, me mijëra të zhdukur, e me sa e sa viktima që rënkojnë akoma nën tokën serbe.

Kjo luftë e paparë dhe e ndytë, e një drejtësie selektive, tashmë ka marrë formë: nuk lidhet vetëm me emra të përveçëm, por me një nacionalitet, nuk lidhet me një organizëm luftarak, siç ishte UÇK, por me një popull.

Ndaj nisi nga kreu i shtetit tonë, ndaj dhe dështuan me komandantin e pamposhtur të Dukagjinit!

Ramush Haradinaj, dy herë iu nënshtrua Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, dy herë doli i pafajshëm. Por, pafajësia kishte një emër: dhjetë vjet përndjekje e persekutime, dhjetë vjet mungesë drejtësie, dhjetë vjet mungesë lirie.

Fatmir Limaj, njeriun që mbrojti mijëra civilë, po ashtu kishte të njëjtin emër: pafajësi e keqpërdorur.

Tash, lufta tjetër vazhdon me aktakuzën ndaj Presidentit dhe kryeparlemtarit, ec e bëso se ku dhe kur do të përfundojë!!

A  nuk është  kjo humbje e kuptimit të  të drejtave dhe lirive të njeriut?!

A nuk është kjo humbje e vlerave të bashkëpunimit për paqe e drejtësi në emër të së drejtës ndërkombëtare?!

Serbia po vazhdon luftën e saj, po aq agresive: po lufton të gjallët, po i vret për së dyti viktimat, shpresën e atyre që akoma gjenden në varreza masive.

Aktakuza si kjo, ndaj krerëve të shtetit të Kosovës,  po fyen mijëra civilë, fëmijë, gra, pleq, duarthatë që presin që vrasësit e tyre, që sillen hapur nëpër rrugë e sheshe të Beogradit, dhe kjo gjykatë dhe të tjerat si kjo po mbyll të dy sytë ndaj të vërtetës së luftës në Kosovë.

Unë jam dëshmitar i gjallë, i Masakrës së Dubravës, e cila ndodhi më 19 deri 24 maj të vitit 1999, në burgun, përkatësisht në kampin e përqendrimit në Dubravë të Istogut.  Jam dëshmitar se si para syve të mi dhe bashkëvuajtësve të mi, u masakruan 120 të burgosur dhe 300 të tjerë u plagosën. Jam dëshmitar se si në praninë time, tek po na transferonin nga një burg në një tjetër, krimineli serb, preu në fyt gati për vdekje bashkëvaujtësin tim Filip Pjetrin.

Jam dëshmitar, sepse isha krahë me ta dhe me shumë të burgosur të tjerë, se si u vranë mizorisht Gazmend Imeraj nga Ponosheci i Gjakovës, Dervish Sylaj nga Ratishi i Deçanit , Ibër Metaj nga Hereqi i Gjakovës, që të tre ushtarë  të UCK-së.

E gjithë kjo masakër ishte planifikuar mirë me në krye drejtorin e këtij burgu, Aleksandër Rakoqevic, për të cilin ka foto e video pranë krimit, ka dokumente tashmë të prezantuara, ku ka nënshkruar kinse për “lirimin” të Ukshin Hotit, tashmë që nuk dihet për fatin e tij.

Ka dëshmi me foto dhe video nga vendi i krimit, për komandantin e burgut, Miroljub Vidiq. Bota i ka parë imazhet se si Boban Bashqareviq, jo vetëm që është parë nga të burgosurit, por edhe është fotografuar mbi viktima, duke i ri-ekzekutuar së bashku me Ilija Mishkovicin nga Ҫacaku, e shumë të tjerë, lista e të cilëve është publikuar jo një herë.

Që njëzet e një vjet kemi folur e dëshmuar, kemi afruar fakte dhe asnjë gjykatë, as UNMIK- ut, as e EULEX-it, as kjo e veçanta, specialja, e specializuar fatkeqësisht për shpifje, kurrë nuk më ka ftuar mua dhe qindra të tjerë dëshmitarë të dëshmojmë atë që kemi përjetuar vetë, atë që atë që kemi parë me sytë tonë.

Po flas për raste që jam i mbijetuar dhe dëshmitar i gjallë, por  poashtu nuk mund të mos flas edhe për masakra të tjera, sidomos për ato nga treva e Dukagjinit, nga vij unë, si Masakra në Qyshk të Pejës ku vranë 44 nga 17 deri 70 vjeç nga nga grupi  paramilitar “Çakallet”.

Qytetarët që i shpëtuan kësaj ploje, i kanë njohur, i kanë publikuar me emër dhe mbiemër.

Masakra në Beleg të Deçanit, në mars nga 29 marsi i vitit 1999, ku policia, ushtria dhe paramilitarët, pasi torturuan gra, pleq dhe fëmijë, e më pas edhe i vranë e i dhunuan!

Nga 47 të vrarë e të masakruar, 33 prej tyre u zhdukën pa gjurmë.

Dhe për fat, kësaj masakre i ka mbijetuar profesori Mehmet Mazrekaj, i cili ka arritur ta  identifikojë kriminelin serb Zoran Gjurishiq  nga Prapaqani!

Pavarësisht se emrat këtyre kriminelëve i janë dhënë hetuesve të Tribunalit të Hagës, deri me sot asgjë nuk ka ndodhur!

Është i papërshkrueshëm rrëfimi i nënës Xhyke Vishaj nga Belegu që ia kanë marrë të birin nga duart dhe akoma shpreson të ketë një varr ku mund ta vajtojë  16 -vjeçarin, Faton Vishaj, aty ku vranë edhe gruan shtatzënë me foshnjën e saj nëntëmuajshe.

Çfarë t’i thuhet familjes së profesorit tim Sokol Shala nga Prapaqani të Deçanit, kur babain mbi 80 vjeç, Osë Duat Shalën, pasi e gjetën në shtëpi, derisa dy dëshmitarë ishin të fshehur dhe po e shihnin krejt situatën nga kulmi i shtëpisë, militarët dhe paramilitarët serbë, atij i thanë që të zhvishej ngadalë, t’i palonte rrobat e veta një nga një, e afrojnë te cungu dhe me sopatë një nga një gjymtyrët ia bëjnë copë, pastaj ia presin edhe kokën.

Pa harruar këtu Maskrën e Recakut e të Rakovinës, të Krushës e të Celinës, të Izbicës e të Mejës, të Korenicës e të Poklekut të vjetër, të Lashticës e ajo që ndodhi në bodrumin e Mehdi Vejsës, atë të familjes së Selatin  Gërxhaliut e të familjes Deliu, e shumë të tjera.

Për këto nuk kishte asnjë gjykatë, as të thjeshtë, e lerë më speciale!

Krejt në fund të këtij shkrimi, shumë kisha dashtë që asnjë shqiptarë mbi këtë dhé, që flet shqip dhe që i thotë vetes shqiptarë të mos i jetë gëzuar kësaj aktakuze që godet padrejtësisht vlerat tona, shtetin tonë dhe historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …