Fillimi / Institucionet / Reagim i MKRS-së për rastin e futbollistit Ilija Iviq

Reagim i MKRS-së për rastin e futbollistit Ilija Iviq

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pas komunikimit dhe konsultimit me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe drejtuesit e Klubit Futbollistik “Flamurtari”, për të marrë vesh për së afërmi situatën e futbollistit të këtij klubi, Ilija Iviq, vjen me këtë reagim përmes të cilit dënon çdo ndërhyrje të politikës në sport. Futbollisti Ilija Iviq, lindur në Prishtinë, shtetas me dokumentacion të Kosovës, luan që tri vite për klubin e “Flamurtarit” dhe si rezultat i talentit e pasionit që ka për futbollin, së fundi është përzgjedhur në Kombëtaren U-19 të Kosovës në futboll. E për shkak se ka përzgjedhur të luajë për Kosovën, e ëma e Ilija Iviqit është përjashtuar nga puna me vendim nga Komuna e Graçanicës ku edhe ka qenë duke punuar, ndërsa i ati ka marrë kërcënime se do të përjashtohet nga puna ku punon si arsimtar. E tëra kjo ka ndodhur pas përcaktimit të futbollistit në fjalë që të luajë për Kombëtaren e Kosovës U-19 në futboll dhe ky lloj presioni që i bëhet futbollistit Iviq nga MKRS konsiderohet si ndërhyrje flagrante e politikës dhe aspekteve tjera në sport. Duke e konsideruar se sporti i bashkon njerëzit pa dallim moshe, gjinie, etnie e race, presionin që i bëhet familjes Iviq, këto akte me të cilat po i kalon kjo familje i vlerësojmë si të papranueshme dhe si ndërhyrje të politikës në sport dhe trysni e drejtpërdrejtë që futbollisti Ilija Iviq të mos i përfaqësojë ngjyrat e Kosovës në futboll. Me këtë rast, Ministrja Vlora Dumoshi i dënon ashpër këto veprime qyqare pasi po tentohet të veprohet kundër ligjit dhe po shkelen Kushtetuta e Kosovës dhe të drejtat e njeriut, përmes presioneve të kësaj natyre vetëm e vetëm që të mos lejohet që një sportist i ri i talentuar të mos ketë ku të zhvillojë karrierën e tij sportive sikurse rasti i Ilija Iviqit i cili është qytetar i barabartë si të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës. Ministrja Dumoshi thekson se është për të ardhur keq se si përmes presioneve e formave të ndryshme shteti fqinj verior Serbia mundohet të ndërhyjë tek jeta e qytetarëve të komunitetit serb që jeton në Kosovë, duke bërë presion drejtpërsëdrejti në jetën e qytetarëve të Kosovës në mënyrën më të vrazhdët të mundshme. Republika e Kosovës është vend që i respekton të drejtat e tërë qytetarëve të saj, siç edhe e përcakton Kushtetuta e vendit tonë dhe secili qytetarë i saj ka të drejtën dhe lirinë e zgjedhjes për jetën e karrierën e tij që ta zhvillojë normalisht në shtetin tonë të përbashkët. E sidomos në sport, u shpreh ministrja Dumoshi, atletët, sportistët e në këtë rast edhe futbollistët asnjëherë nuk duhet të shikohen në baza racore e sipas përkatësisë etnike apo fetare, por gjithmonë futbollistët të vlerësohen në bazë të meritave. Pra, ne si MKRS, reagojmë ashpër kur një sportisti i mohohet e drejta që të zhvillojë aktivitetin e tij sportiv në Republikën e Kosovës. Ne do të ndjekim të gjitha rrugët e duhura ligjore të mundshme që sportistët dhe talentet që ka vendi ynë, pa dallim, t’i përkrahim kur u bëhet padrejtësi ose mohimi i të drejtave të tyre si dhe do t’i mbështesim që të avancohen dhe të tregojnë cilësitë dhe aftësitë e tyre sportive si e drejtë themelore njerëzore në rend të parë, e më pas edhe si bashkëqytetarë të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Zv. Kryetari Aliu: Lajm i mirë është shërimi i 17 qytetarëve vitias nga virusi COVID-19, megjithatë kujdes për vetën dhe të tjerët!

Në mbledhjen e rregullt të Komitetit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH), zëvendëskryetari i Komunës ...