leoni

Reçica në konferencën e nivelit të lartë në Vjenë flet për paqen në Ballkan

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, me ftesë të Federatës Universale të Paqes, mori pjesë në konferencën Ndërkombëtare për Lidership, “Drejt Ndërvarësisë dhe Prosperitetit të Përbashkët: Roli i Liderëve Fetar dhe Parlamentarëve”, mbajtur në Vjenë më 28 dhe 29 prill. Reçica ishte i ftuar, në mesin e shumë përfaqësuesve të nivelit të lartë botërorë, të diskutojë për temën, “Rrugët e Paqes në Ballkan”, në cilësinë e Ambasadorit të Paqes dhe si Ministër i MPMS-së. Gjatë fjalës së tij, ministri tha se ne, në Ballkanin Perëndimor duhet ta kuptojmë se politikat duhet të drejtohen kah fqinjësia e mirë, zhvillimi ekonomik, largimi i barrierave dhe rruga pa alternativë tjetër, siç është integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, mburoja e aleatëve të NATO-s është ajo që i duhet dhe do t’i duhet rajonit tonë. “Në rajon, e në këtë rast edhe në Kosovë, jetojmë të lirë duke iu falënderuar përpjekjeve të shumë brezave për liri dhe paqe dhe luftës së fundit të imponuar, qëllimin e së cilës e kuptoi drejtë edhe faktori ndërkombëtar, si rezultat i së cilës, patëm edhe ndërhyrjen e Botës Demokratike, Forcave të NATO-s, të cilave gjithmonë do t’iu jemi falënderues për krijimin e kësaj paqeje, pa të cilën të paktën unë nuk do të isha pjesë e këtij paneli”, tha Reçica. Ministri tutje tha se rajoni, në brishtësinë të tij shihet arenë e përshtatshme për çdo lloj ekstremizmi, duke përfshirë sidomos atë fetar.  “Ekstremizmat po provojnë gjithë këto vite të ndërtojnë një orbitë të tyre, me qëllim  interferimi. Përdorimi i fesë për qëllime politike dhe të shtrirjes ushtarake dhe ekonomike, në vetvete nuk është vetëm një ekstremizëm fetar, por edhe një synim me qëllim ndikimi gjeopolitik mbi rajonin”. Reçica tha se fatkeqësisht, po mbretëron ende një agjendë për t’u goditur nga politikat agresive, edhe pse Kosova është shumë e angazhuar në ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen dhe sigurinë e të drejtave të njeriut, në veçanti të komuniteteve, të drejta të cilat janë të garantuara edhe me Pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. “Në këtë rast, dua të theksoj se Serbia jo vetëm që heziton të na njohë, por ajo po bënë shumë për të na penguar në rrugën tonë drejt zhvillimit dhe integrimit. Ajo duhet ta kuptojë, se Kosova është një shtet i pavarur më synim të qartë, zhvillimin ekonomik, ruajtjen e paqes dhe qëllimi kryesor, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. E mira është që populli ynë është i orientuar në qindpërqindshin e vet drejt Perëndimit, duhet që edhe vendet fqinje të kuptojnë se rajoni ka nevojë për dy gjëra krejt bazike: Paqe dhe zhvillim”. Sipas Reçicës, sot, të gjithë jemi të bindur se paqja mes nesh ruhet përmes dialogut të brendshëm, duke e pranuar njëri-tjetrin ashtu sikur jemi dhe aty ku jemi, duke e pranuar diversitetin tonë si vlerë e jo si pengesë e rrezik, duke aspiruar bashkimin në familjen e përbashkët, e jo duke i vënë njëri-tjetrit shkopinj nën rrota. “Vetëm të bashkuar në familjen tonë të përbashkët në Bruksel qoftë për Bashkimin Evropian, qoftë për mbrojtjen e sigurinë nën mburojën e NATO-s, rajoni ynë do të lë pas të kaluarën e mbushur me gjak e luftëra”. Për ta pasur rajonin tonë edhe më të sigurt e më të plotësuar, Reçica tha se duhet që Greqia, si një shtet me traditë të bashkimit evropian, ta pranojë pavarësinë e Kosovës. “Ne e thërrasim edhe me këtë rast që ajo ta jap shembullin dhe ta bëjë nismën e këtij ngërçi të pesë shteteve të Bashkimit Evropian. Pavarësia e Kosovës është edhe detyrë greke, sepse ne jemi fqinjë dhe kemi shumë rrugë për të bërë bashkë”, tha Reçica.

Kontrolloni gjithashtu

Agjenda e Kontratës Sociale për Ferizajn

Komuna e Ferizajt  dhe qytetarët e saj zotohen të zbatojnë Agjendën e  Kontratës Sociale të …