Reiner Rudolph: Bllokada politike po e pengon rrugën e Kosovës drejt statusit të kandidatit për BE

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Reiner Rudolph, ka deklaruar se mungesa e institucioneve me mandat të plotë dhe ngërçi politik po ndikojnë në përparimin e Kosovës drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Rudolph tha se Kosova duhet t’u dërgojë partnerëve evropianë një sinjal të qartë se ka institucione stabile dhe funksionale, të afta për të zbatuar agjendën e reformave evropiane. Sipas tij, situata aktuale politike ka ndikuar në perceptimin e vendeve të BE-së për gatishmërinë e Kosovës për të avancuar në procesin integrues. “Nevojiten institucione stabile për të punuar në këtë agjendë. Kjo është një çështje që lidhet me vendimet politike të Kosovës dhe me sinjalet që vendi u dërgon aleatëve të tij gjatë kësaj bllokade politike”, tha Rudolph. Ambasadori gjerman theksoi se statusi i vendit kandidat nuk duhet të shihet si një shpërblim, por si fillimi i një procesi të gjatë reformash. “Statusi i kandidatit nuk është një medalje që fitohet. Ai është vetëm hapi i parë drejt punës së vështirë për përgatitjen e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për këtë nevojiten institucione me mandat të plotë dhe partnerë me të cilët mund të punohet”, u shpreh ai.  Në përfundim, ambasadori Rudolph u bëri thirrje forcave politike që të gjejnë zgjidhje dhe të dërgojnë një mesazh të qartë për angazhimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

 

Kontrolloni gjithashtu

OVL-UÇK: Reagimi i Policisë së Kosovës ndaj protestës së PSD-së dhe ishte i tepruar dhe jo i duhur

OVL e UÇK-së dënon thirrjet nga Serbia ndaj ish-luftëtarëve: Synim kriminalizimi i luftës çlirimtare

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj, siç …