Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka thënë gjyqtarëve në gjyqin e tij për krime lufte në Hagë se drejtësia nuk mund të vihet në vend duke “ndjekur penalisht të pafajshmit”. Deklarata e tij është cituar nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, e cila ka raportuar për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Thaçi dhe tre ish-komandantë të tjerë të Ushtria Çlirimtare e Kosovës akuzohen për persekutim, vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998–1999. Të gjithë të akuzuarit i kanë mohuar akuzat. “Drejtësia për viktimat nuk mund të nderohet duke ndjekur penalisht të pafajshmit, pajtimi nuk mund të ndodhë përmes ndjekjeve penale selektive dhe të bazuara në etni”, ka deklaruar Thaçi në komentet e tij përfundimtare para trupit gjykues, ndërsa vendimi pritet të merret brenda tre muajsh. Në fjalën e tij, Thaçi, 57 vjeç, i ka cilësuar akuzat e prokurorisë, sipas të cilave ai dhe bashkëpandehurit organizuan një fushatë të dhunshme për të fituar kontrollin politik të Kosovës, si “të pavërteta, krejtësisht absurde dhe thellësisht ofenduese”. Ekipi i tij mbrojtës ka theksuar se nuk ekzistojnë prova që e lidhin drejtpërdrejt atë me krimet e pretenduara dhe se nuk është dëshmuar se ai kishte kontroll efektiv mbi komandantë të tjerë të UÇK-së. Sipas vlerësimeve, më shumë se 13 mijë persona, kryesisht shqiptarë të Kosovës, humbën jetën gjatë luftës së fundit të viteve 1990, kur Kosova ishte ende pjesë e Serbisë nën udhëheqjen e atëhershme të Slobodan Milošević, forcat e të cilit u akuzuan për shtypje të dhunshme të popullsisë shqiptare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
