Dialogu

RKL: Euforia e bisedimeve kurdoherë të dështuara, Kosovë-Serbi

Me rifillimin e bisedimeve, apo sikur thuhet  ndër ne, të dialogut Kosovë-Serbi, me qëllim për t’ i kur degradimit që përdor BE-ja  dhe Serbia zyrtare, si bisedime në relacion, Beograd-Prishtinë, që nuk nënkupton të njëjtën qasje, kanë filluar edhe komentimet e zakonshme, me një anë mohimi i çdo të arriture për  rivënien e kontaktit dhe në anën tjetër  euforia e dalldisur e një tifozerie  me fjalorin e ndeshjeve sportive.

Në kohën e bisedimeve të Vjenës, në çdo rast pas kthimit në vend, Lufti Haziri asokohe anëtar i delegacionit, deklaronte se Kosova kishte fituar tetë me dy kundër Serbisë. Tani keni fjalorin e rrugaçëve në disa jugo-medie, si” Vuçiqi u çmend nga raporti i Albinit. Kurti po i çmend  mediet serbe. Albini ia tregoi Evropës të vërtetën për masakrat. Historia e bisedimeve fillon me Albinin” dhe të tjera nga ky batak i mendje shthururve, që çajnë gurmazin  me entuziazëm e brohoritje pa fre.

Tifozëve të Albinit u mjafton fakti se ai paska guxuar t’ ia përmend Vuçiqit, masakrat që Serbia ka kryer kundër shqiptarëve që nga vitit 1878 e deri në vitin 1999. Këtë nuk e paska ditur Serbia, Vuçiqi as BE-ja, sepse nuk paska pasur askush guximin e tij ta thotë këtë të vërtetë, në Bruksel, por paskan qenë dashur 22 vjet që atë ta thotë Albini.

Mirëpo koordinatori i fundit i dialogur dhe pjesëmarrësi po thuajse në të gjitha bisedimet me Serbinë, Skënder Hyseni ka sqaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është i pari që i ka numëruar krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve prej vitit 1878 e tutje deri në luftën e vitit 1999.

Hyseni ka thënë së pari se dialogu që po mbahet në Bruksel është një teatër dhe nuk ka asnjë rezultat nëse vazhdohet kështu. Pashë një ekzaltim të cilin nuk e kuptova. Një ekzaltim i masës që po i bën nder palës serbe pa e ditur. Ne e dimë se Vucic është një aktor. Aktrimi i Vuçiqit  po ka efekt edhe në Kosovë. Edhe Vuçiq edhe  Kurti në Bruksel po shkojnë për të kënaqur votuesit e tyre. Nuk po shkojnë të bëjnë dialog dhe nuk po shkojnë të kërkojnë zgjidhje, tha Skënder Hyseni.

Tifozi para-politik i Albin Kurtit, Bajçinovci thotë se Kurti para se të shkonte në Bruksel ka qëndruar në Greqi, “në vendin e mendimtarëve”, duke lënë të kuptohet se Kurti ka lexuar “Politikën” e Platonit, apo ndonjë vepër  të mendimtarëve të tjerë të mëdhenj grek dhe paska shkuar shumë i përgatitur, në Bruksel.

Ky Bajçinovci, mbase edhe nuk e di se është pikërisht Greqia qysh prej kohës së pavarësisë së saj, në vitin 1822, që ka kryer krimet më monstruoze kundër shqiptarëve dhe ka qenë model frymëzues  i Serbisë për dëbimet, vrasjet masive, spastrimin etnik e çka jo. Ai nuk ka lidhje fare  dhe as e di se cila ishte Greqia antike, dhe cila është ajo sot, sidomos me politikën e saj  shtetërore fashiste kundër shqiptarëve në përgjithësi.

Një tjetër “dashnor” politik i Kurtit, “analist” po se po, por mbi të gjitha  katapultues i njohur nga një parti në tjetrën, paska zbuluar se po ta po ta pranonte Vuçiqi, “Deklaratën e paqes me Serbinë”,  të cilën ia kishte afruar Kurti, ai me atë akt do ta pranonte pavarësinë e Kosovës. Dugi Gorani mendjelehtë mendon se Kurti mund t i hedh Vuçiqit, i cili e ka në duar procesin e bisedimeve dhe me ndihmën e BE-së e kanalizon në dobi të Serbisë. Ai ka bërë të ditur kudo, në Bruksel, në Uashington, në Moskë, në Pekin madje edhe në Tiranë se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por ai kërkon një marrëveshje stabilizimi, e cila doemos do të bëhet me kompromis, me ndarjen e veriut, apo me krijimin e një republike serbe në Veri, e cila mund të quhet edhe “zajednicë”, kjo nuk i prish punë Beogradit zyrtar, sepse serbët insistojnë në përmbajtjen  e Asociacionit dhe jo në formën e emërimin e tij.

Bisedimet euforike të Kurtit, kanë për qëllim të mbjellin gënjeshtrën pasuese në emër të Kauzës, për të fituar ndonjë komunë në zgjedhjet lokale të tetorit të këtij viti. Qeverisë Kurti si askujt tjetër i konvenon status-quoja, në radhë të parë për ta mbajtur të qetë me premtime “popullin votues” të Vetëvendosjes, i cili realisht ka filluar të shqelmojë  dhe të tregojë pakënaqësitë e para, sepse mishmashi që është futur në këtë parti, është një konglomerat bindjesh e orientimesh që kurrë nuk mund të unifikohen, sepse në esencë janë kundërshtare me njëra tjetrën.

Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po përdor taktika që çojnë drejt dështimit të  procesin e dialogut. Për më tepër, ai e quajti Kurtin politikan të status-quosë, e për të cilën tha se i bën dëm të madh Kosovës. “Kurti ka ardhur në pushtet duke e refuzuar krejtësisht procesin e dialogut. Tani ai e ka strategjinë që ta dështojë dhe të mos prodhojë rezultat. Prandaj edhe përdor këto taktika që i ka bërë në funksion të sabotimit të një rezultati që mund të nxjerrë dialogu. Ai  ka pohuar se Kurtit i mungon edhe guximi për të përfaqësuar një ide se si duhet përfunduar ky dialog. “Bisedimet Kosovë-Serbi po ndodhin edhe për shkak të interesit të BE-së dhe Amerikës që të mos bie Serbia në ndikimin rus dhe kinez”, ka thënë Murati.

Duke folur për bisedimet e fundit në Bruksel, në mes të Albin Kurtit dhe Aleksander Vuçiqit, Bekim Çollaku, ish-ministër i Integrimit Evropian, është shprehur se procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është duke u përqendruar tek pika kryesore, sikur është ajo e njohjes reciproke. Ai ka thënë se në Bruksel kanë shprehur zhgënjim lidhur me takimin e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. “Nga burimet e mia, në Bruksel, del se ata  janë të zhgënjyer me atë çfarë ka ndodhur në raundin e dytë, kërkesën për deklaratë paqeje dhe veprimin e dhurimit të librave. Qëllimi është të ketë diskutim serioz. Miroslav Lajçak ka thënë se nuk kemi arritur aspak progres. Mendoj që strategjia e Kurtit është ruajtja e ‘status quo-s’ dhe marrja e një iniciative nga pala kosovare për ta hedhur në defansivë palën tjetër. Kjo nuk sjell asgjë në arritjen e qëllimit primar”, ka deklaruar, Bekim Çollaku.

Kryetari i Serbisë, Aleksander Vuçiq edhe pse në disa raste paraqitet fodull dhe shpërfillës, në themel të politikës së tij antishqiptare, politikë kjo shtetërore  e Serbisë, sidomos në 100 vitet e fundit ka një qëndrim, të cilin kurrë nuk e ka fshehur. Ai thotë hapur para tërë botës se derisa të jetë në politikë dhe në pushtet nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Këtë e di Borelli, Llajçaku, këtë e di edhe Kurti, por ky kalkulon për të fituar kohë, duke llogaritur se me një kurs të tillë joserioz do t i ikë kompromisit, sa më shumë që të mundet, meqë e di mirë se ajo do të jetë “Shpata e Damoklit”.

Dialogu i vërtetë  do të ndodh një ditë dhe në interes të Kurtit është ta shtyjë sa më shumë, ta shtyjë të paktën deri pas zgjedhjeve vendore të tetorit të këtij viti,  kur ai mendon se mund të fitojë ndonjë komunë më shumë nga dy sa kishte në zgjedhjet e fundit vendore.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …