RKL

RKL: Fitoi Afganistani i lirë dhe i pavarur, jo talibanët, as proamerikanët

20 vjet më parë, Radio Kosova e Lirë ka botuar një koment, në të cilin ka kundërshtuar intervenimin ushtarak amerikan në Afganistan, meqë ai bëhej nën pretekst të kërkimit për hakmarrje të Osama bin Ladenit, pas bombardimit të Kullave Binjake në shtator të vitit 2001. Komenti shprehte keqardhje për gjakun e pafajshëm që të derdhej dhe të cilin do ta paguante njeriu i thjeshtë afgan, ashtu sikur e kishte paguar me gjakderdhje edhe intervenimin sovjetik në vitin 1981, pushtim që kishte zgjatur për afër 10 vjet. Qëndrimin kundër intervenimit amerikan është afishuar sa e sa herë, pavarësisht kritikave që kemi marrë, pavarësisht etiketime të ulëta të analistëve të vetëquajtur, apo gazetarëve që bëjnë tregti me qëndrimet e tyre dhe shiten e blihen për para.

Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet parimor, jo në përkrahje ekskluzive të militantëve, apo grupeve të ndryshme, që nuk kanë përfillur rregullat e luftës, por në përkrahje të një populli që ka luftuar dhe lufton për të jetuar në paqe, sipas kodeve të veta të jetesës. Gjatë këtyre 20 viteve kemi përkrahur luftën e drejtë të popullit afgan, të shumicës së këtij populli, i cili dëshiron të jetojë sipas traditës së vetë historike, fetare e kombëtare, duke pasur një traditë 2500 vjet shtet, sovran.

Talebanët në këtë mes përfaqësonin shumicën kryengritëse, atë shumicë luftëtarësh popullorë të cilët të ndihmuar edhe nga Amerika ishin çliruar nga pushtimi sovjetik. Lufta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e forcave të NATO-s nuk kishte për qëllim vetëm gjetjen dhe likuidimin e Bin Ladenit, për të cilin pretendohej se fshihej në malet Tora Bora, në Afganistan, por edhe me qëllim që të mos lejohej të përparonte një shtet, që në saje të traditës së vetë  mijëvjeçare insistonte dhe insiston ta ruajë e ta restaurojë  mënyrën e vetë autentike të jetës e traditës dhe jo modelin amerikan apo evropian, sikur e  kanë përqafuar shumë shtete islame, në mesin e tyre edhe Turqia.

Afganët me kohë i kishin bërë të ditur botës së madhe se donin të jetonin traditën e tyre dhe jo modelin amerikan apo evropian, andaj edhe luftuan për 20 vjet rresht, andaj edhe derdhën rrëke gjakun kundër pushtimit, andaj edhe u vranë e u martirizuan me qindra mijëra, në mesin e tyre shumë fëmijë, më shumë se në çdo luftë tjetër të tri decenieve të fundit.

Sa i ka kushtuar kjo luftë, Amerikës, shteteve të NATO-s e të tjerave që janë përfshirë në të  kjo është një pasqyrë e tmerrshme, që tregon se deri ku arrijnë shtetet imperialiste për pushtim e zgjerim të ndikimit të tyre në botë.

BBC ka bërë të ditur se  midis  viteve 2010-2012, kur SHBA kishte më shumë se 100,000 ushtarë në vend, kostot e luftës ishin pothuajse 100 miliardë dollarë në vit, sipas shifrave të qeverisë. Sipas një studimi të Universitetit Brown në vitin 2019, i cili ka parë shpenzimet e luftës në Afganistan dhe Pakistan, SHBA kishte shpenzuar rreth 978 miliardë dollarë (vlerësimi i tyre përfshin edhe paratë e ndara për vitin fiskal 2020). Por studimi gjithashtu vëren se është e vështirë të vlerësohet kostoja e përgjithshme sepse metodat e kontabilitetit ndryshojnë midis departamenteve qeveritare, dhe ato gjithashtu ndryshojnë me kalimin e kohës, duke çuar në vlerësime të ndryshme të përgjithshme. Ndërkohë, siç thuhet më tej, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania – të cilët kishin numrin më të madh të trupave në Afganistan pas Shteteve të Bashkuara – shpenzuan rreth 30 miliardë dollarë dhe 19 miliardë dollarë respektivisht gjatë luftës. Kjo është vetëm një pjesë e kostos ajo financiare, ndërsa kostoja me jetë njerëzish, është shumë tragjike dhe shumë e pamëshirshme.

Është merita e ish kryetarit amerikan, Donald Trump, i cili në programin e vet qeveritar kishte vendosur të tërhiqte forcat ushtarake nga Afganistani, pasi kishte arritur një marrëveshje edhe me forcat kryengritëse. Janë të njohura dhe historike deklaratat e tij ku ai kishte thënë: Ne mund ta fitojmë luftën në Afganistan nëse për disa ditë vrasin 12 milionë njerëz, por këtë nuk e bëjmë dot. Këtë nuk e bëjmë dot, andaj duhet të tërhiqemi. Është fat i madh që kryetari amerikan nga radhët e demokratëve, Joe Biden, po përfillë në tërësi projektin qeveritar për tërheqje, pa shkaktuar një luftë të madhe me pasoja edhe më tragjike. Janë inkurajuese disa deklaratat  të krerëve politikë afganë, të cilët po kërkojnë vetëpërmbajtje, me qëllim për të mos lejuar një luftë civile, e cila  mund të kishte pasoja po aq sa lufta gjatë  pushtimit.

Ministri i Punëve të Brendshme  i Afganistanit, Abdul Satar Mirzakual ka deklaruar se janë duke u zhvilluar bisedime për transferim paqësor të pushtetit në Afganistan. Mediet ndërkombëtare njoftojnë se në Kabul po zhvillohen negociata për bartjen e pushtetit në mënyrë paqësore nga Qeveria aktuale te drejtuesit e talebanëve. Një zëdhënës i tyre  ka deklaruar për Radion, Azadi, se bisedimet po zhvillohen për marrjen e pushtetit në mënyrë paqësore, por ai nuk ka dhënë më shumë detaje. Ata janë zotuar se nuk do ta marrin Kabulin përmes forcës por, ende nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje për armëpushim. Talibanët nuk duan të ketë asnjë viktimë të pafajshme.

Sot talibanët njoftuan se lufta në Afganistan përfundoi pasi luftëtarët e tyre hynë në kryeqytetin Kabul, ndërsa kryetari, Ashraf Ghani u largua nga vendi. Paniku dhe frika përfshiu Kabulin të hënën ndërsa luftëtarët talebanë të armatosur rëndë morën kontrollin mbi pallatin presidencial të braktisur dhe vendet perëndimore nxituan të evakuonin qytetarët e tyre. Qindra afganë, në një përpjekje të dëshpëruar për të lënë vendin, u mbytën në Aeroportin e Kabulit. Një zëdhënës i zyrës politike të talebanëve i tha Al-Xhazirës  se ata nuk duan të jetojnë të izoluar dhe se lloji dhe forma e qeverisë së re në Afganistan do të shpallen së shpejti. Falë Zotit, lufta ka mbaruar. Ne kemi ardhur atje ku kemi kërkuar të arrijmë, dhe kjo është liria në shtetin tonë dhe pavarësia e popullit tonë. “Ne nuk do të lejojmë askënd të përdorë vendet tona dhe të sulmojë askënd, as nuk duam të dëmtojmë të tjerët,” tha Mohammad Naim, duke bërë thirrje për marrëdhënie paqësore ndërkombëtare.

Po ashtu del të jetë e matur dhe me vend edhe deklarata e tashmë ish kryetarit pro amerikan, Ashraf Ghani, i cili është larguar nga vendi. Ai  ka shpjeguar se pse shkoi në ekzil – duke pranuar se këtë e bëri për të ndalur gjakderdhjen, dhe theksoi se tani talibanët janë përgjegjës për sigurinë e afganëve. Të mbesim me shpresë se në Afganistanin e çliruar të mbretërojë arsyeja, paqja dhe ardhmëria më e mirë pas qindra mijëra të vrarëve, të plagosurve dhe rrënim gati total të shumë lokaliteteve të përfshira në luftime, të ekonomisë e tregtisë kombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

RrGK: Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zë ri i grave dhe vajzave

Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot …