Sot më 28 mars bëhen 20 vjet nga masakra e Izbicës, në të cilën u vranë rreth 150 shqiptarë të Kosovës

RKL: Gjenerali vrastar serb, Dikoviq, fajtor për krimet në Izbicë dhe për vrasjen e foshnjës 6-muaj, Dafina Qelaj

Familja Qelaj e fshatit Izbicë të Drenicës, tetëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës ka varrosur eshtrat e më të dashurës së tyre, Dafinës, e cila ishte vrarë nga forcat serbe më 28  mars të vitit 1999.

Sot, në prani të shumë banorëve të Izbicës e më gjerë në varrezat e dëshmorëve e martirëve, janë varrosur edhe eshtrat e vogëlushes, që në luftë kishte mbushur vetëm gjashtë muaj, Dafina Qelaj. Ajo ishte goditur në kokë nga forcat ushtarake e policore serbe derisa ishte në gjirin e nënës së saj, dhe nga plaga që kishte  marrë kishte vdekur  një ditë më pas. Për këtë dhe shumë nga krimet e masakrat që kryen serbët gjatë luftës sidomos në rajonin e Drenicës, fajtor është vetë Shefi aktual i Shtabit të Armatës Serbe, gjenerali vrastar, Lubisha Dikoviq, asokohe komandant i Brigadës së motorizuar 37 të armatës jugosllave dhe kriminelët e tjerë, të cilët as kanë dalë as do të dalin ndonjëherë para drejtësisë.

Në provat e aktgjykimit të Tribunalit të Hagës në rastin e ish-kryetarit  serb Milan Milutinoviq dhe të tjerëve, viktimat e mbijetuara nga Drenica, kanë dëshmuar në atë Tribunal dhe paraprakisht kanë i dhënë deklarata Fondit Humanitar të Serbisë, të cilat flasin për krime lufte të rënda dhe masive, kundër civilëve shqiptarë, në Drenicë. Ky rajon ka qenë zonë e përgjegjësisë së gjeneralit  vrastar, serb,  Ljubisha Dikoviq, atëbotë komandant i brigadës së motorizuar 37 të armatës jugosllave, tani shef i SHP të Ushtrisë serbe, me seli në Nish të Serbisë.

Edhe pse ai  ka pasur për detyrim të parandalojë krimet, e madje edhe ka pranuar se ato janë kryer nga ushtarët e tij, Dikoviq nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim, ndërkohë që ka edhe dëshmi që flasin për plaçkitje të pronave të shqiptarëve, në të cilat ka marrë pjesë edhe vetë, ka deklaruar  Natasha Kandiq, për Fondin Humanitar  të Serbisë  dhe  për Radion Evropa e Lirë.

Aty ku ka qenë brigada e motorizuar nr. 37, kanë ndodhur krime të llahtarshme. Para së gjithash, është Izbica. Dhe vetë deklarata e Dikoviqit si dëshmitar i mbrojtjes në Tribunalin e Hagës ka bërë të qartë se ai në asnjë moment nuk e ka kundërshtuar faktin se njësitë e tij kanë qenë, në Izbicë. Ai vetë ka thënë se njësitë kanë pasur kontakt me civilët”, thotë Kandiq, e cila rikujton se për tmerrin që ka ndodhur në Izbicë. Për këtë masakër monstruoze  flet vetë fakti se më 28 mars të vitit 1999 ushtarët e gjeneralit Dikoviq kanë  vrarë mbi 148 shqiptarë, burra, gra e fëmijë, madje edhe  në bazë të evidencave të Tribunalit të Hagës por edhe  Fondit për të Drejtën Humanitare. Të dhënat definitive janë plotësuar pas evidentimit  të Tribunalit dhe të Fondit.

Natasha Kandiq ka deklaruar se edhe në afërsi të Drenasit ish-Gllogovc, “në të ashtuquajturat gropa, janë kryer pushkatimet më brutale të fshatarëve, të cilët fillimisht janë sjellë në grupe”.

 “Është pastaj Qirezi, ajo xhamia e cila përmendet si vend, ku disa baballarë kanë parë për herë të fundit djemtë e tyre të mitur, zhdukja e 25 djemve të moshës jomadhore, trupat e të cilëve edhe sot nuk janë gjetur dhe gjithsesi, edhe dhunimet e femrave shqiptare. Ne në këtë raport nuk i kemi emëruar këto gra, për të cilat kemi të dhëna se janë dhunuar. I kemi emëruar vetëm ato të cilat pas dhunimeve dhe keqtrajtimit të rëndë seksual, janë vrarë”, ka thënë,  zonja Natasha Kandiq.

Në Izbicën heroike, në Kompleksin përkujtimor të Varrezave ndodhen  150 varre, aty pushojnë në përjetësi  eshtrat e bijëve dhe bijave të  Kosovës martire, të cilët jetën e tyre  ia falën çlirimit të vendit nga barbaria serbe. Ata ishin nga fshati Izbicë, dhe fshatrat përreth si Leçinë, Burojë, Vajanik, Kllodernicë, Ozdrim, Pemishtë, Shpat, Kërnicë, Prekaq, Klinë e Poshtme dhe  Zllakuqan i Klinës.

Sot kur po bëhen përpjekje për ta damkosur luftën e UÇK-së, duke bërë çmos që të arrijë apo që ata e quajnë Epopeja e Gjykatës Speciale sikur presin me padurim bijtë e bijat  e bashkëpunëtorëve të Serbisë, të Milosheviqit të atëhershëm  e  të këtij Dokoviqit të sotëm, nga jo pak shqiptarë, që ishin rreshtuar kundër luftës çlirimtare, Izbica,  atyre dhe të tillëve duhet t’iu rrijë te koka, madje zëri i tmerruar i Dafinës duhet t iu shurdhojë veshët e ndërgjegjen e tyre të ndragur e të vrarë.

Sot le të çirren e t’ i thërrasin Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, bastardët shqipfolës. Ata që atakojnë legjendarin Adem Jashari, ata që vajtojnë kohën e artë të bashkim vëllazërimit me serbë e sllavë, ata me kohë kanë  kaluar mbi trupin edhe eshtrat e Dafinës dhe të 1200 fëmijëve të mitur  shqiptarë, që kanë vrarë serbët në Kosovë dhe askush nuk është dënuar nga asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare, nuk është dënuar madje as Dikoviqi për këto krime.

Po krimet kundër shqiptarëve nuk iu kanë bërë as u bëjnë përshtypje qarqeve në BE dhe në botë, derisa vetë të përzgjedhurit e shqiptarëve në Kosovë kanë pranuar dhe kanë nënshkruar themelimin dhe funksionimin e një gjykate kundër luftës së UÇK-së, dhe jo kundër atyre që kanë vrarë e kanë masakruar shqiptarë.

Kontrolloni gjithashtu

Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së, Arnhild Spence e ka vlerësuar lart procesin e regjistrimin të popullsisë në vendin tonë

Koordinatorja për Zhvillim e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Arnhild Spence e ka vlerësuar lart …