leoni

RKL: Intervistë me Reshat Gashin, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie sociale në komunën e Shtimes

RKL: Zotëri drejtor, cilat janë punët, angazhimet dhe përgjegjësitë Tuaja në sektorin të cilin e drejtoni?

Gashi: Përgjegjësitë shtrihen në një varg të shtyllave funksionale të aktiviteteve siç janë:  ofrimi i kujdesit shëndetësor parësor në Komunë, në pajtim me dispozitat ligjore, respektimi i qendrave private të përkujdesjes primare shëndetësore, vlerësimi i nevojave lokale për shëndetësi primare, vendosja e objektivave për kujdesin primar shëndetësor, zhvillimi i buxhetit bazuar në nevoja lokale dhe duke respektuar udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë. Drejtoria koordinon dhe mbikëqyrë punën e QKMF, QMF dhe ambulancave, bën operimin e qendrave për punë sociale dhe qendrave për mirëqenie sociale, zhvillimin e planit strehimor për territorin e Komunës, inaugurimin e ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare brenda territorit, sipas standardeve të përcaktuara nga MPMS,  përkujdesjen e vazhdueshme për qytetarët e zhvendosur në territorin e Komunës, përkujdesjen e vazhdueshme ndaj familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarëve të familjeve të tyre që e kanë këtë status, me qëllim të realizimit të të drejtave dhe benificioneve të posaçme që janë në kompetencë të Komunës.

RKL: Sa i plotëson nevojat e pacienteve QKMF-ja në Shtime?

Gashi: QKMF-në Shtime vazhdon të kryejë detyrat e veta të parashtruara me ligj me potencialin e kuadrit, që disponon si dhe me një objekt shumë të ngushtë,  i cili për shumë arsye ose duhet të zgjerohet ose të ndërtohet një objekt i ri në tërësi, pasi që hapësirat në të cilat ushtrohet aktiviteti, janë tepër të ngushta për të ofruar shërbime cilësore, mirëpo edhe pse në këto kushte të rënda  personeli shëndetësor ia arrin që me shumë sukses t’i kryejë të gjitha shërbimet e kërkuara.

RKL: Cilat terapi mungojnë në Qendrën Familjare në komunën tuaj?

Gashi: Dihet se sipas ligjit ne jemi të obliguar të sigurojmë terapitë nga lista esenciale që na ofrohen  nga niveli qendror, sepse ministria është kompetente për të prokuruar dhe shpërndarë nëpër qendrat kryesore të Mjekësisë Familjare nga ky shkak edhe furnizimi në të shumtën e rasteve është shumë i mangët. Shpeshherë na ofrohen  terapi që është afër skadencës ose terapi që fare pak na hyn në punë, mirëpo kjo është kështu dhe ne s’kemi fuqi ta ndërrojmë. Kjo është e ditur për opinionin, mirëpo ne në të shumtën e rasteve, nga të hyrat që arrijmë t’i sigurojmë nga bashkëpagesat dhe nga buxheti vetanak një sasi të konsiderueshme për nevojat e emergjencës mjekësore i sigurojmë vet, kështu që nuk rrezikojmë të mbetemi pa terapinë domosdoshme emergjente.

RKL: A ju ka mbështetur Ministria e Shëndetësisë ndonjë projekt në këtë vit?

Gashi: Gjatë këtij viti ne kemi arritur që të realizojmë një projekt të rëndësishëm në renovimin dh revitalizimin e objektit  të QKMF-së,  në Shtime, si dhe QMF në teren me mjetet tona të parapara nga buxheti komunal si dhe revitalizimin e kapaciteteve tjera, të pajisjeve edhe mjeteve të ndihmës së shpejtë, ndërsa Ministria na ka premtuar se do të na mbështesë me një projekt të pajisjeve për emergjencën mjekësore, financuar nga bashkësia evropiane, projekt ky që presim të realizohet nga muaji shtator.

RKL: Faleminderit për intervistën dhe suksese  në punën Tuaj të mëtutjeshme

Gashi: Kënaqësia ishte e imja të jem mysafir në radion tuaj dhe tonën, sepse kjo Radios është  zëri i lirisë, zëri i shpresës së dy milionë shqiptarëve nga Kosova në ditët më të vështira të historisë sonë kombëtare, është zë ky i cili përmes valëve në eter dhe faqes në internet forcon edhe  më tej lirinë dhe pavarësinë tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …