leoni

RKL: Kush i ka shpërfillur dhe po i shpërfillë deklaratat e ish-kryetarit i bordit të gjyqtarëve të EULEX-it, anglezit, Malcom Simmons?

RKL: Kush i ka shpërfillur dhe po i shpërfillë deklaratat e ish-kryetarit i bordit të gjyqtarëve të EULEX-it, anglezit, Malcom Simmons?

Katër vjet më parë, por edhe më herët, ish-kryetari i bordit të gjyqtarëve të EULEX-it, anglezi,  Malcom Simmons kishte zbuluar dhe evidentuar sa e sa shkelje, abuzime, madje edhe përbuzje e përçmime të hetuesve të caktuar në radhët e zyrtarëve të EULEX-it, kundër zyrtarëve me prejardhje nga lufta, por edhe kundër shqiptarëve përgjithësisht. Ai kishte marrë guxim  dhe publikisht kishte dokumentuar  shkeljet e tilla. Asokohe pak medie, përveç Radios-Kosova e Lirë i kishin dhënë hapësirë dhe publicitet gjetjeve të gjyqtarit të drejtë, të ndershëm, të njerëzishëm, profesionist e  të përgjegjshëm, mikut  të drejtësisë dhe të Kosovës nga Britani e Madhe, Malcolm Simmons.

Për habinë e të gjithëve, publikimi i zyrtarit të  të EULEX-it,  Simmons kishte kaluar vetëm si një lajm ditor, pa u komentuar dhe pa ia dhënë rëndësinë adekuate, edhe pse  ai nuk ishte vetëm një zyrtar i thjeshtë i EULEX-it, por ishte vetë  kryetari i bordit të gjyqtarëve të këtij misioni të sundimit të ligjit (të Beogradit) në Kosovë, i cili në vazhdimësi ka pasur dhe ka qëndrim të papërmbajtur antishqiptar.

Ditë më parë, Simmons ka bërë të ditur se  në kohën kur kishte qenë Sekretar i Shtetit për Punë të Jashtme,  kryeministri i tanishëm  Britanisë së Madhe, Boris Xhonson, katër vite më parë  e kishte vizituar Kosovën. Ish-gjykatësi kryesor i EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili në vazhdimësi ka zbuluar shkeljet dhe abuzimet e EULEX-it thotë se asokohe kishte diskutuar edhe  me z. Johnson në Prishtinë, lidhur  Gjykatën Speciale, të cilën ai e quante gjykatë politike. Simmons kishte folur edhe më herët për këto shkelje, me theks të veçantë në rastin të dënuarve në gjykimin e inskenuar  kundër disa eprorëve nga Drenica.  Në fund të letrës flet edhe për një takim që kishte pasur me datë 10 nëntor të vitit 2016 në Prishtinë me atëherë sekretarin për Punë të Jashtme të Britanisë së Madhe, tash kryeministrin, Boris Johnson i cili  ishte shumë shpërfillës ndaj kësaj gjykate. Sipas z. Simmons, vetë Johnson besonte se ato janë “sajime politik”, duke e cilësuar atë si gjykatë politike që i përkulet vullnetit të Brukselit.

Simmons ka kujtuar se “Më 10 nëntor të vitit 2016 u takova me Boris Johnsonin në Prishtinë. Në atë kohë ai ishte Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar. Mes tjerash, ne diskutuam shkurt për Dhomat e Specializuara të Kosovës. A ishte shumë shpërfillës ndaj Dhomave, qartazi duke besuar se ato do të jenë sajim politik. Ai i përshkroi Dhomat si “një gjykatë politike që i përkulet vullnetit të Brukselit dhe e mbushur me qëllim lajkatar të BE-së për mbushjen e xhepave të tyre”, thuhet mes tjerash në këtë letër.

 Tani, në kohën kur veprimet e abuzimet e EULEX-it, sidomos kundër kreut të luftës së UÇK-së dolën edhe njëherë në sipërfaqe me tërë egërsinë e vrazhdësinë pushtetarë e mujshare, ish-gjykatësi kryesor i EULEX-it, Malcolm Simmons, ua ka dërguar një letër në Kuvend të Kosovës deputetëve, në të cilën thotë se është i gatshëm të raportojë dhe të japë dëshmitë e tij për shkeljet që janë bërë në Misionin e EULEX-it për vite të tëra.

Kërkesa e ish-kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons për formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar, nxiti përplasje në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion në mes kryetarit të këtij komisioni nga radhët e LDK-së, Shkëmb Manaj dhe deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi. Manaj fillimisht bëri të ditur se këtë shkresë e kishin pranuar në fund të korrikut të këtij viti. Pas kësaj ka reaguar deputetja Kadaj-Bujupi. Ajo tha se administrata këtu nuk ka të bëjë fare. Ajo fajësoi kryetarin e këtij komisioni për shkelje të ligjit. “Së pari e keni shkel ligjin, sepse me ligj është dashtë që në momentin kur e keni kuptuar  që ka pretendime për vepra penale nga një institucion, ke pasur  obligim të raportosh. Nuk është korrekte që nuk na ke njoftuar për letrën. Ajo më tej pyeti kryetarin e këtij komisioni, Shkëmb Manaj se përse e ka mbajtur të fshehtë këtë kërkesë. Deputeti Manaj pastaj i është përgjigjur deputetes së AAK-së se me te njihet moti, por pa dhënë shpjegime për anashkalimin e raportit.

Shpërfillja që i ka bërë këtij raporti  kryesuesi i Komisionit për Legjislacion nga radhët e LDK-së, Shkëmb Manaj nuk është vetëm shpërfillje burokratike e teknike, por thjesht  është një ndërhyrje e palejueshme politike, kombëtarisht e dënueshme.

Po të ishte debatuar qysh në korrik të këtij viti lidhur me raportin e z. Simmons, dhe po të ishin marrë me sinqeritet dhe  realizëm prononcimet e dëshmitë  e tij,  EULEX-it nuk do të kishte vepruar ashtu sikur ka vepruar brutalisht dhe në mënyrë të vrazhdë me rastin e arrestimit të ish Kryekuvendarit, Jakup Krasniqi, kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi si dhe Salih Mustafës, Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit. Me veprimet brutale të EULEXi-it janë ballafaquar qindra luftëtarë të lirisë, prej më shumë se 10 vite, meqë këtij misioni  institucionet e vendit, jo vetëm që i kanë zgjatur mandatin deri në pa kufi, por nuk janë pak ata që kanë koketuar e koketojnë me këtë mision antishqiptar  në radhë të parë për përfitimet e tyre politike, duke u servilosur deri në neveritje.

Duhet cekur me këtë rast se të gjitha sondazhet vendore dhe ndërkombëtare që kanë bërë hulumtime në vendin tonë lidhur me besueshmërinë e institucioneve  vendore e të huaja, EULEX- asnjëherë të vetme nuk ka marrë asnjë mbështetje, asnjë përkrahje nga popullata shqiptare e Kosovës, por as nga ajo serbe, e cila mbështet UNMIK-un.  EULEX-in popullata e Kosovës që moti e ka shpallur non grata, meqë është dorë e zgjatur e Beogradit dhe këtë e ka treguar dhe po e tregon në vepër, pa pardon.

Kush mbanë përgjegjësi për fshehjen dhe zvarritjen e  këtij raporti?.

Përgjegjësit kryesor të fshehjes dhe zvarritjes së këtij Raporti,   sot iu drejtua në mënyrë korrekte, të guximshme e të përgjegjshme deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, por nuk dimë si kanë reaguar deputetët e tjerë, ndërsa tashmë dihet se me sa indiferentizëm dhe shpërfillje i ka pranuar kritikat kryesuesi i Komisionit për Legjislacion nga radhët e LDK-së, Shkëmb Manaj.

Anashkalimi i marrjes në konsideratë ligjore dhe të përgjegjshme të raportit të z. Simmons për ta proceduar në mënyrë ligjore,   nga të gjithë zyrtarët e institucioneve përkatëse, jo vetëm hedh një hije të zezë mbi vendin,  por në radhë të parë është një papërgjegjësi, për të cilën do të duhej të kishte vepruar Prokuroria e organet e Drejtësisë,  që cilat, mjerisht  nuk i kemi për Kosovën, për interesin e qytetarëve, për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së,  por vetëm për politikat e caktuara të partive e  grupeve të interesit partiak, mafioz, pa dallim.

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …