Brickos

RKL

RKL: “Lufta” e krerëve të vendit kundër korrupsionit, në stilin: Bëj sikur të them unë dhe mos bën sikur bëj unë!

Fenomeni i korrupsionit është fenomen bazë i zhvillimit të kapitalizmit, në të gjitha etapat e procesit, veçmas në etapën e parë, të kapitalizmit të xhunglës e kaosit, sikur është kapitalizmi   aktual në Kosovë, në Shqipëri, Maqedoni por edhe në disa shtete të rajonit… Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë në botë, një shtet kapitalist që mund të ndërtohet e të zhvillohet pa shfrytëzim, pa korrupsion, pa trafiqe, pa krim të organizuar, pa vrasje, plaçkitje, prostitucion, zhvatje, shfarosje, luftë për dominim…

Nuk ka pasur nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë shoqëri kapitaliste që angazhohet për barazi të plotë sociale. Nuk ka parti të djathë në botë, e cila ka program barazinë sociale. Andaj të pretendosh të bëhesh i djathtë me çdo kusht dhe të çirresh për barazi sociale, është një “Contradictio in adiectio”, është e pamundshme në esencën e vet, sepse janë dy gjëra që kundërshtohen dhe kurrë nuk mund të afrohen. Nuk mund të kërkosh nga prifti të hipë në minare dhe të thërrasë ezanin, as nga hoxha ta mbajë meshën në kishë.

Si mund ta luftojë korrupsionin i korruptuari, në rastin tonë Shteti i korruptuar, shoqëria në çdo pore të saj  e korruptuar, partitë politike të gjitha pa dallim të korruptuara, disa më shumë e deri në fyt, disa më pak meqë nuk arrijnë më shumë. A mund të luftohet ky fenomen me fjalë, me deklarata verbale, të cilave në radhë të parë nuk iu beson vetë deklaruesi? A mund të luftohet korrupsioni  me vendime dhe fjalamani politike, të cilat kanë vetëm një qëllim, mashtrimin e atyre që  pranojnë të bëhen pjesë e korrupsionit. Mjerisht në një shtresë të popullit është krijuar bindja se vetëm ai që është i korruptuar, ai që ka fituar miliona e miliarda është njeriu, që të jep diçka, që të merr në punë, të regjistron në fakultet, të ndihmon me ndonjë projekt shpërblimi  nga ndonjë ministri. Nëse je militant partie, të jep një triskë të mjerë të veteranit,  nëse e voton njërin apo tjetrin lider partie.

A keni dëgjuar ndonjëherë ndokund, qoftë një njeri të vetëm që thotë, “unë jam i korruptuar”?. Këtë nuk e keni dëgjuar kurrë, as nga më pasaniku i Kosovës, sepse nuk ka në botën kapitaliste bos apo zyrtar  që thotë se është i korruptuar për veten e vet, por secili ia drejton gishtin  tjetrit.

Po realiteti është krejtësisht ndryshe. Më të  korruptuarit gjenden  në mesin e  politikanëve, deputetëve, zyrtarëve të Qeverisë, të administratës shtetërore, të bijve dhe bijave të tyre, të nipave e mbesave të tyre, të kushërinjve, dajallarëve, farefisit dhe kështu krijohet tërë zinxhiri i korrupsionit. Por nuk është e vërtetë se vetëm zyrtarët që kanë dalur nga lufta janë të korruptuar, sikur konstatojnë gjithnjë kujdestare jugo mediet në Kosovë. Më të korruptuarit kanë origjinë nga LKJ-LDK e pastaj partitë që kanë derivuar nga LDK-ja, e cila vazhdon të jetë Partia Mëmë me bij e bija. Madje tani, kësaj po i bashkohen edhe bijtë shkapërdarë dhe pa LDK-në as kemi pasur as do të kemi institucione.

 Vetëm dy ministra: Bedri Hamza dhe Abelard Tahiri  nga 21 prej tyre e 80 zëvendës-ministrave, nuk pranuan rritjen qind për qind të pagave mujore nga 1200 deri në 3000 euro, që ua kishte lejuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, madje ai asokohe pat thënë se nuk osht hiq burrni mos me pranu pagën e dyfishuar, (pse jo edhe të trefishuar, sepse nuk jemi kot një shtet kapitalist!? 1200 euro nuk më dalin për kravata. Pastaj, na ka rënë të dëgjojmë kur bosi, Xhavit Haliti thotë hiq pa të keq, para të gjithë deputetëve të Kuvendit se “secili nga ne i ka në duar dy tre milionë, ato tekefundit  janë para të imëta. Dhe nuk reagojnë deputetët, madje as ata që rrahin gjoks për veten e tyre se janë bilur. Dhe si mund ta luftojë korrupsionin, Xhavit Haliti apo shefi i tij? Përveç me moton “Bëj sikur të them unë dhe mos bën sikur bëj unë!”

Ja si e arsyeton luftën e tij kundër korrupsionit, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli

“Unë i kam dëgjuar të gjithë liderët politikë në Kosovë që flasin se duhet luftuar korrupsionin, por pa ndërmarrë një veprim. Unë sot po propozoj një hap konkret të prekshëm. Boll me fjalë, qytetarët duan vepra. Kjo është arsyeja pse unë prezantoj sot Paktin Kundër Korrupsionit, dhjetë pika për të cilat, të gjithë liderët e partive mund dhe duhet të bien dakord, në mënyrë që të rinovojë besimin e publikut te politikanët, në mënyrë që të luftojmë me të vërtetë korrupsionin”, tha Veseli.  Veseli në rastin më të mirë ka vepruar sikur hoxha anonim, që ka thënë dhe thotë:  “Bëni çka t’ iu them unë, sepse kështu thotë Kur’ani, por mos bëni sikur bëj unë se helbebe edhe unë njeri jam”. Kjo  maksimë korruptive është alfa dhe omega e angazhimit, të liderëve tanë, në luftë kundër korrupsionit.

Ky politikan, mbase beson me gjithë mend se me vënien e nënshkrimeve në Paktin e propozuar nga ai, korrupsioni do të zhduket vetvetiu,  sikur rrezet e diellit që e zhdukin mjegullën.

Mbase, Kadri Veseli, fjalën korrupsion e kupton dhe e analizon vetëm gjuhësisht,  sipas fjalorit, vetëm si rryshfet, kur është fjala për  paratë që jepen e merren  nën dorë, por jo edhe si reket, kushtëzim, kërcënim për likuidim madje edhe të krejt familjes,  zhvatje, plaçkitje, tagër e përfitimin nga çdo tender, përvetësim të pasurisë publike, e sa e sa forma të tjera, pa fund  të përfitimeve. Nuk është thjesht fjala korrupsion që përcakton të gjitha krimet, abuzimet, keqpërdorimet, zhvatjet, shfrytëzimin dhe të gjitha të ligat ku e kanë pllakosur Kosovën “liderët” kryeparët, ata që po i vjelin të gjitha përfitimet e mundshme në radhë të parë për veten, klanin e ngushtë, partinë dhe tërë rrjetin…

Në rastin tonë kemi të bëjmë me uzurpim të pushtetit. Jo kapje të Shtetit sikur ka dominuar kjo fjalë, në komunikimin ditor të disa liderëve,   e cila është formuluar vetëm në mënyrë krahasuese cinike, por nuk e përmbush dot kuptimin real, të fjalës uzurpim të pushtetit.

Të pakta dhe krejt të pakta janë gjasat që pas zgjedhjeve, ata që do ta marrin pushtetin do ta luftojnë korrupsionin, do ta lirojnë nga uzurpimi dhe nga krimet e banditizmi. Sepse lufta për pushtet, është luftë e klasave që nënkupton marrjen e pushtetit, “uzurpimin” e buxhetit, shfrytëzimin dhe ndarjen e tij  sipas interesave partiake. Sepse, ata që e marrin pushtetin në vendet kyçe të të gjitha institucioneve i vendosin njerëzit e vet, bosët, sekserët, militantët, hajnat, mashtruesit dhe asnjëri prej tyre nuk ka pranuar kurrë as do të pranojë se është i tillë.   Të gjithë ata, do të na paraqiten me kollare, të rruar e të kruar mirë, me fjalë pompoze, me deklarata verbale, me premtime të cilat as i kanë realizuar as i realizojnë dot. Dhe ndërrimi i pushteteve do të bëhet, jo për të mirën e Kosovës, jo për ta ulur papunësinë, jo për të shtuar investimet, por për t’i “rehatuar” fitimtarët e rinj, nën plafin e vjetër të shfrytëzimit, abuzimit e keqpërdorimeve në të gjitha segmentet.

Nuk luftohet korrupsioni e krimet  me traktate, as me rrahje gjoksi, as me retorikë pompoze, por luftohet vetëm me ligj, me respektimin rigoroz të ligjit, e jo me qëndrim selektiv ndaj tij. Sesi sillen me ligjin pushtetarët tanë këtë e kemi mësuar ka herë dhe po e provojmë mbi kurriz për çdo ditë. Por çështje është, deri kur kështu?

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …