RKL

RKL: Modeli i dy shteteve gjermane mund të përligjet me Shqipërinë e Kosovën dhe kurrsesi me Kosovën e Serbinë

Modeli i dy shteteve gjermane  ka të bëjë me Shqipërinë e Kosovën dhe kurrsesi me Kosovën e Serbinë, sikur preferon analisti i njohur i bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë,  Shkëlzen Maliqi. Model i ashtuquajtur i dy shteteve gjermane dhe bashkimi i tyre 30 vjet më parë, sipas interpretimit serb dhe proserb do të thotë se NATO-ja e ndau një pjesë të Serbisë, në vitin 1999, ashtu sikur e kishin ndarë Gjermaninë, Amerika dhe Rusia në vitin 1945. Në këtë analogji parashihet që Kosova në një të ardhme të afërt, apo të largët gjithsesi t’ i bashkohet Serbisë, ashtu sikur Gjermania Lindore iu bashkua Gjermanisë.

Këtë model e ka pranuar dhe e pranon Serbia, pa pasur nevojë që Kosova të anëtarësohet në OKB, por edhe duke mos e penguar, nëse ky kusht do t i paraqitet Serbisë.

  Duke folur për këtë model të pranueshëm nga Serbia, analisti pro-jugosllav, Shkëlzen Mehmet Maliqi ka thënë për Epoka e Re se është edhe një variant tjetër më i pranueshëm për Serbinë, që Kosovës t’i hapet rruga për anëtarësim në OKB edhe pa njohjen formale nga Serbia, sipas modelit të koekzistimit të dy shteteve gjermane në vitet ’70, që fillimisht edhe ka shërbyer si model për ta filluar dialogun Kosovë – Serbi.

Kjo deklaratë e këtij Maliqit nuk iu bën përshtypje fare politikanëve tanë sepse janë të zënë me mini-shengenin e Ramës, i cili po dashka ta krijojë një Jugosllavi të re, po ja që këta e paskan ndalur, ashtu sikur e kanë ndaluar ndarjen e veriut të Kosovës, edhe pse nuk shkelin dot në veri, po bëhen 2o vjet e më shumë.

Pranimi i modelit të dy gjermanive, ka një premisë historike vetëm nëse interpretohet drejt historikisht, duke u nisur nga viti 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër, vendosi që nga sipërfaqja e rreth 110 mijë km.2 sa kishte Shqipëria e Katër Vilajeteve, asaj t i takonin vetëm 28 mijë. Dhe kështu ndodhi. Kështu ndodhi edhe ligjërisht në Kongresin e Versajës, në vitin 1918 madje për ironi dhe cinizëm antishqiptar, në vitin 1919 u thirr edhe Konferenca e Paqes në Paris, e cila  vendosi paqen mbi kurriz të rreth tri të katërtave të territorit etnik dhe historik të Shqipërisë.

Madje Konferenca në shenjë “mirënjohje” për shqiptarët që i kishte përgjakur, ndarë, katandisur dhe masakruar pranoi që një Delegacion shqiptar të marrë pjesë në Konferencë, me qëllim për t’ i dhënë kontribut  paqes.

Edhe pse me skepsë  e  mos durim u dëgjua edhe fjala e delegacionit shqiptar, në krye me Gjergj Fishtën,  Fan Nolin e të tjerë, por ajo nuk pati asnjë ndikim, për më tepër vetëm sa zemëroi edhe më tej etërit e diplomacisë evropiane, të cilët në heshtje përtypën zemërimin, por më vonë, po të mos kishte qenë qëndrimi i prerë i Shteteve të Bashkuara të Amerikën në krye me  kryetarin, Woudrov Vilson, krerët e shteteve të Evropës, të gjithë pa asnjë përjashtim  kishin plan ta lejonin ndarjen e Shqipërisë së mbetur mes Greqisë dhe Jugosllavisë. Këtë plan e kishte denoncuar Vladimir Iliq Lenin, i cili edhe e kishte dënuar me forcë. Të kujtojmë me këtë rast edhe një poezi luftarake revolucionare të Vladimir Majakovskit, i cili tërë zemërim i drejtohej mujsharëve të Evropës, me pyetjen: “Deri kur, dikush diku do të majmet me tokat e Shqipërisë”.

Asnjë përkrahje tjetër nuk patën shqiptarët, të cilët Evropa i kishte përdorur si mish për top, për të ngopur orekset grabitçare fashiste të Serbisë, Greqisë, Malit të Zi, Bullgarisë, madje edhe të Italisë.

Kjo është historia e së dashurës Evropë, në radhë të parë dhe ekskluzivisht, duke i dhënë të drejtë Francës, aleates së  përhershme dhe të përjetshme e interesave të Serbisë kolonialiste, despotike e fashiste. Po ato interesa i mbron edhe sot Emanuel Macron, i cili për kompromisin e fundit kërkon që veriu, të cilin Franca e kishte ndarë nga Kosova më 14 qershor të vitit 1999, të i jepet Serbisë. Pikërisht për këtë ajo e fton kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Paris, sepse te ai ka gjetur, politikanin, diplomatin me të cilin merret vesh për të ruajtur interesin e Serbisë në Kosovë dhe për t i mbajtur të gjithë shqiptarët në geto, krejt derisa të mos fillojë procesi i rikonevertimit fetar. Duket paksa grotesk ky konstatim, por i tillë është vetëm për ata që ose nuk e njohin historinë, ose nuk duan ta kujtojnë atë, ose shpërblehen në shumë mënyre për të arritur qëllimet e tyre.

Modeli i dy shteteve gjermane, nuk mund të ndahet nga përmbajtja historike, etnike, kombëtare, gjuhësore, e pronësore. Shteti i Kosovës, i pranuar ndërkombëtarisht nga shumica e vendeve të botës, ndër to edhe nga shtetet më të fuqishme, nuk mund të hyjë në pazare e kushtëzime të reja, me asnjë çmim, edhe pse mungesa e faktorit unik shqiptar, po e bën të veten dhe ndodh fare lehtë të përsëritet e kaluara.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kultura e tolerancës fetare të shqiptarëve është një fenomen “sui generis” në historinë e qytetërimit

Toleranca dhe kultura fetare shqiptare, nuk kanë  të bëjnë me “harmoninë” mes feve, sepse fetë …