RKL

RKL: Në votimet e 6 Tetorit morën pjesë po thuajse të njëjtit votues të përhershëm, tradicionalë, të partive politike

Në votimet e 6 Tetorit morën pjesë po thuajse të njëjtit votues rezidentë, tradicionalë të partive politike, por jo edhe nga pjesa tjetër, 60 për qind e elektoratit me të drejtë vote, e cila nuk bindet dot që të marrë  pjesë në zgjedhje. Vetëm 30 mijë votues më shumë u shënuan në këto zgjedhje dhe ata gati krejtësisht nga mërgata.

Duket se partitë gjatë fushatës zgjedhore kanë zhvilluar aktivitet vetëm me votuesit e vetë, tradicionalë dhe nuk iu kanë drejtuar pjesës më të madhe të qytetarëve, të cilët nuk marrin pjesë në zgjedhje, të bindur se këto parti nuk e ndërrojnë dot sistemin e qeverisjes, ndërsa premtimeve të tyre tanimë u ka dalë ngjyra. Mos pjesëmarrja e shumicës në zgjedhje tregon më së miri se shumica e qytetarëve, jo vetëm që nuk kanë fare besim në këtë sistem qeverisës, por janë krejtësisht apatikë dhe nuk e vrasin fare kokën se kush do të fitojë, sepse janë të bindur përfundimisht se me këtë lloj qeverisjeje nuk ndryshon asgjë për të mirën e vendit, përparimit e zhvillimit.

Populli shumicë nuk u beson  partive, që qëllim primar në votime dhe program mbi të gjitha programet,  kanë qëllimin për ta  uzurpuar pushtetin dhe  ta marrin drejtimin e Qeverisë, ta ndajnë buxhetin e vendit, për katër vjet sipas orekseve të tyre, duke i rehatuar me punë, militantët, ata që kanë sjellë vota, qoftë edhe duke i blerë, apo edhe duke u premtuar përfitime marramendëse dhe gjithnjë janë gjetur e gjenden edhe syleshë të tillë nga mesi i popullit, të cilët kanë besuar dhe besojnë verbërisht.   Kështu ka ndodhur qe 20 vjet dhe nuk pritet të ndodh ndryshe, sepse ky sistem autarkik, burokratik, ky sistem i kapitalizmit të xhunglës, nuk i referohet popullit shumicë, programeve sociale, zhvillimit në tërësi të vendit, po i referohet vetëm votuesve të vet, atyre me ndihmën e të cilëve e kanë uzurpuar pushtetin, të drejtën për të qeverisur.

Si mund të besojë shumica se ky regjim ka në program mirëqenien e qytetarit, barazinë, solidaritetin, ndihmën sociale?

Si mund të besojë shumica se ky regjim ka në program mirëqenien e qytetarit, barazinë, solidaritetin, ndihmën sociale, në nivel të pakos vetëm për mbijetesë. Pse t’ iu besohet politikanëve dhe  atyre që u venë pas dhe që premtojnë se do të bëhet më mirë kur paga më e ulët e një të varfri me disa anëtarë të familjes është 170 euro, paga e kryeministrit 3000 euro, paga e drejtorit të një agjencie që merr para edhe nga buxheti kalon mbi 5000 euro.  Dhe doemos duhet të jetë kështu, sepse nuk jemi rastësisht duke jetuar në kapitalizëm. Ata na thonë se socializmi, barazia janë varfëri dhe nuk kalojnë dot. Atë regjim e kemi hedhur, e kemi varrosur…

 

Në një rend të tillë shoqëror, ku peshku i madh e ha të voglin, ne jemi sikur ai peshku krejt-krejt i vogël i shkrimtarit, Hanxharxhioglu, i cili nuk ha kurrgjë, sepse gëlltitet nga peshqit e mëdhenj.  Si mund të jemi përfitues të të mirave të përgjithshme ku paraja publike dhe tërë buxheti përfundon në një grup qeveritarësh, oligarkësh, që vetëm ndërrohen nga zgjedhjet në zgjedhje, të cilët kanë fituar shumicën në votime, dhe,  të tjerëve me të cilët duhet të bashkë-qeverisin, gjithnjë duke kushtëzuar dhe duke bërë pazar paraprak me njëri tjetrin.

Nga një regjim dhe rend i tillë, as ka përfituar as përfiton shumica, por ka fituar dhe do të fitojë pakica e qeveritarëve mujsharë, fitojnë ata të cilët mburren dhe duan me çdo kusht të na bindin se po e ndërtojnë shoqërinë kapitaliste për kutin dhe masën e vet.

Kosova me rendin dhe qeverisjen aktuale nuk ka në plan barazinë, solidaritetin, mirëqenien e të gjithëve mbi parimet e njerëzishme humane, pse jo socialiste, sikur në shumë vende të botës, dje e sot, por ka në plan uzurpimin e pushtetit me të drejtën e votës shumicë në zgjedhje, në zhvatjen e parasë publike, të asaj paraje të cilën e japim ne të  gjithë, secili pa dallim. Madje jemi të detyruar ta ia japim bankave që nuk janë të Shtetit por të super-mujsharëve të politikës, të vetmit që marrin ajkën e përfitimeve pa asnjë të drejtë, por vetëm me të drejtën e regjimit të të fortit.

Çka mund të përfitojë Kosova nga bërja bashkë e një partie me prirje  të majtë dhe një tjetre të djathtë, gjithnjë kundërshtare, madje jo pak herë edhe të ndeshura ballë për ballë, por të bëra bashkë për ta ndarë “kulaçin” dhe për të rehatuar militantët, për ta ndarë mirë e mirë buxhetin për interesat e veta, ashtu sikur kanë bërë pararendësit e tyre. Dhe krejt kjo mbështillet mirë e mirë me një retorikë sa patriotike aq edhe sociale, por vështirë e besueshme nga ata që rezonojnë realisht dhe drejt. Nuk mund të pritet të ndodh ndonjë ndryshim për të mirë në Kosovë me qeveritarët e rinj.

Lufta e paralajmëruar ndaj kundërshtarëve, “armiqve politikë” tani bie në hije, sepse është pushteti ai që i josh fitimtarët, janë përfitimet e favoret që i sjellë fitorja në zgjedhje, janë tenderët që lënë fitime marramendëse, janë zyrtarët e rinj që u zënë vendin atyre të vjetërve, thjesht është “pushteti i parasë”, që do t iu errësojë sytë lakmitarëve, sidomos atyre të cilët për herë të parë do të gëzojnë të mirat e pushtetit të fituar me “djersë” nëpër mitingjet e partisë dhe duke e trashëguar atë qysh prej para 30 vitesh.

Askush nuk beson se në krye të Prokurorisë, të gjykatave, të Policisë, të AKI-së mund të vendosen drejtues të tillë, që nuk e kanë preferencën e ambasadorëve të huaj, edhe pse thuhet e shkruhet se Gjyqësori është i pavarur dhe jo i politizuar.

Bashkëqeverisja e dy krahëve kundërshtarë, nuk prodhon dot stabilitet politik por as shoqëror. Ky bashkim është bërë në radhë të parë për t’ ia marrë pushtetin PDK-së, dhe përgjithësisht “krahut të luftës”, për ta hedhur në opozitë,  pikërisht në kohën kur ka filluar punën Gjykata Speciale kundër UÇK-së dhe kur shumë krerë të partive që identifikohen me luftën e UÇK-së, do të gjenden përballë kësaj gjykate, raciste dhe antishqiptare.

Gjykata Speciale, nga mujsharët e BE-së është ngritur pikërisht me këtë qëllim, për diskreditimin e kësaj lufte, duke pasur mbështetje të gjerë, në radhë të parë të qytetarëve të krahut pacifist të Kosovës, krerët e  të cilëve janë përkujdesur që gjatë fushatës të mos përmendet as edhe një herë lufta e UÇK-së.  Diferencimi i tillë ka dhënë këtë rezultat. Po kështu është hequr nga fjalori politik edhe sintagma e “bashkimit kombëtar”, kuptohet për arsye inteligjente e diplomatike.

 Në koalicionin e ri qeveritar nuk do të ketë të ftuar nga Prokuroria e Gjykatës Speciale asnjë nga zyrtarët e lartë dhe kjo do të jetë shumë “okej” për shtetet mike që na duan të mirën dhe që natë e ditë përkujdesen për ne, tanimë duke promovuar Greqinë si “xhandar” të Ballkanit, e jo Serbinë, (ish-Jugosllavinë) sikur kishte qenë prej vitit 1918 e deri  më 24 mars të vitit 1999.

“Dërgimi” në opozitë i “krahut të luftës”, në kohën e “epopesë së Gjykatës Speciale” të cilës aq shumë i brohorasin hienat politike të së kaluarës dhe të tashmes pacifiste gjithnjë kolaboracioniste, është një  potez  politik i kurdisur nga lartë dhe nuk ka mundur të ndodh ndryshe, sepse nuk mund të injorohet fakti historik se shumica shqiptare në Kosovë e më gjerë, nuk ka marrë pjesë në luftë dhe e ka kundërshtuar atë. Rritja enorme e numrit të veteranëve për përfitime elektorale i dha  hov pretendimeve për  injorimin e luftës së UÇK-së nga shumica shqiptare e Kosovës. Po ashtu kjo shumicë beson se vetëm NATO-ja e ka çliruar Kosovën, ndërsa vrasja e civilëve shqiptarë nga serbët,  ka sjellë intervenimin e saj kundër Serbisë, duke mohuar edhe faktorizimin ndërkombëtar të UÇK-së në Konferencën e Rambujesë, të vitit 1999.

Konstatimi i tillë nga shumica shqiptare në Kosovë e më gjerë është fatkeqësi dhe mjerim kombëtar, por mbi të gjitha është një realitet i cili flet vetë dhe të ndodhur për ballë këtij realiteti, ose duhet pranuar humbjen, ose duhet një rirreshtim i ri dhe i njëmendë i forcave kombëtare, çlirimtare, për të mos lejuar të ndodh sikur në Shqipëri,  ku çlirimtarëve të vendit në luftën Antifashiste u rrënohen monumentet ndërsa kolaboracionistëve u ngritën ditë për ditë, madje edhe 74 vjet pas mbarimit të luftës. Janë më shumë se 100 raste në Kosovë të dëmtimit të dhunshëm të pllakave të dëshmorëve të UÇK-së dhe asnjë prej atyre hienave të natës nuk është zbuluar dhe kjo nuk flet pak për disponimin  bizar, urrejtës e të çoroditur të shtrese njerëzish në Kosovë e më gjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …