RKL: Plotësimi në vazhdimësi i kërkesave të Serbisë gjatë bisedimeve është akt i papranueshëm dhe alarmant

Bisedimet e fundit, në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, të cilat mbahen zakonisht me ndërmjetësimin e zonjës së parë të BE-së, Keterin Ashton, sollën edhe një rezultat tjetër në përparimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, në relaksimin e atyre bisedimeve, që cilat i kishte kapluar zymtësia lidhur me fillimin e fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit, kur Qeveria e Kosovës nuk lejoi që kryeministri i Serbisë, ta hapë fushatën zgjedhore në Shtërpcë, meqë nuk kishte marrë leje paraprake për të hyrë në Kosovë. Daçiqi ishte hidhëruar me këtë pengesë administrative dhe kërcënoi me ndërprerjen e bisedimeve, në Bruksel. Ndërkohë, ai kërkoi nga zonja Ashton një takim të jashtëzakonshëm. Edhe pse Zyra e BE-së kishte deklaruar se nuk do të mbaheshin  takime deri në mbarim të fushatës zgjedhore, ajo përnjëherë ia plotësoi Daçiqit  teket dhe huqet e tij.

 

Komisarja e BE-së, rikonfirmoi takimin, i cili u mbajt më 7 tetor në Bruksel nga i cili dolën shumë të kënaqur të dy kryeministrat: Thaçi e Daçiq. Madje, Hashim Thaçi ka deklaruar se takimi ishte shumë i përzemërt dhe më i miri deri tani, meqë “Kosova do ta respektojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë, pa diskriminim dhe  mbi këtë parim  të gjithë zyrtarëve të Serbisë do t’iu lejohet hyrja  në Kosovë”,  për të marrë pjesë në fushatat zgjedhore, nëse ata paraprakisht  iu ushtrojnë kërkesë  autoriteteve vendore, në Prishtinë. Natyrisht se Thaçi kësaj radhe u tregua edhe më zemërgjerë, sesa kishte pritur Daçiqi. Madje, për të mos e prishur atmosferën e “miqësisë”, ai nuk kishte kërkuar nga Daçiqi, që për hir të reciprocitetit edhe atij t’i mundësohet vizita në komunat veriore të Kosovës, në të cilat kryeministri i vendit tonë nuk ka shkelur asnjëherë, qysh prej mbarimit të luftës, në qershor të vitit 1999.

 

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq natyrisht se nuk e ka falënderuar Thaçin për lëshimin e radhës, por i ka bërë me dije opinionit se nuk do të kishte kërkuar takim të jashtëzakonshëm, në Bruksel, sikur paraprakisht  të mos ishte marrë vesh për këtë çështje. Ai, edhe kësaj radhe ka lënë të kuptohet se cilado kërkesë e tij drejtuar Brukselit, jo vetëm që është marrë në konsideratë, por është përfillur edhe për faktin se kryeministri i Serbisë, nuk është tërhequr kurrë nga asnjë kërkesë  e sajuar dhe e  propozuar nga Beogradi, ndërsa kryeministri Thaçi, zakonisht kërkesat e Serbisë nuk i ka pranuar për herë të parë, ose i ka pranuar në parim, ndërkohë që pas një presioni të lehtë “në faqe” nga zonja Ashton, ai iu ka bindur asaj, për hir të partneritet me BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Qysh prej fillimit të bisedimeve politike, Kosovë-Serbi, në të cilat aktualisht po rishqyrtohet çështja e  shtetit dhe e së ardhmes së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka lëshuar pe në të gjitha kërkesat e deritanishme të Beogradit, duke i modifikuar, duke i ndrydhur e duke i shtrydhur ato për t ‘u dukur ndryshe,   ndërsa Beogradi zyrtar nuk ka lëshuar pe në asnjë kërkesë.

Po të marrim parasysh “rezultatet” në procesin e deritanishëm të bisedimeve të ndërmjetësuara në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, fare lehtë arrijmë në përfundimin  se Serbia i ka realizuar të gjitha synimet, ndërkohë që ka mbetur vetëm edhe hapja e temës për një si federatë apo konfederatë, si ajo e propozuar nga Podgorica zyrtare.

 

Me lëshime të tilla të njëpasnjëshme, të papërgjegjshme dhe rrezikshme të cilat  Qeveria e Kosovës po ia bën Serbisë, po vihet në pikëpyetje të madhe e ardhmja e vendit, po vihen në pikëpyetje vlerat e luftës së UÇK-së, pse jo edhe intervenimi i NATO-s në Kosovë, në pranverë të vitit 1999.

Në bazë të rezultateve të deritanishme të bisedimeve Kosovë-Serbi, shihet fare qartë dhe argumentohet me sa e sa të dhëna se Qeveria e Kosovës në bisedime me Serbinë ka bërë lëshime të papranueshme, të papërgjegjshme dhe të dënueshme.

 

Prej fillimit të bisedimeve është shkelur sa e sa herë Kushtetuta e Kosovës.

Është lejuar instalimi dhe funksionimi i strukturave shtetërore të Serbisë në vendin tonë, duke i zëvendësuar ato që quheshin struktura paralele.

Është hequr dorë nga afishimi i simboleve të Kosovës në listat zgjedhore dhe në pikëkalimet kufitare. Është lejuar që zgjedhjet në veri dhe në enklavat serbe t’ i organizojë vetë Qeveria e Serbisë, e cila madje edhe ka kërkuar që zyrtarisht të hapë fushatën zgjedhore të 3 Nëntorit, datë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të cilën e ka propozuar  Qeveria e Serbisë, e ka pranuar Qeveria e Kosovës, pas presionit të lehtë të Brukselit dhe e ka nënshkruar sa për sy e faqe, Atifete Jahjaga, në emër të institucionit të kryetares së Kosovës.

Vendimi për ta lejuar pjesëmarrjen e qeveritarëve serbë gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, në njëfarë mënyre legalizon praninë e Qeverisë së Serbisë në vendin tonë. Kjo nuk mund të shpjegohet ndryshe.

Serbia, as ka lejuar as lejon pjesëmarrëse e zyrtarëve të Kosovës gjatë zgjedhjeve  në Kosovën Lindore dhe jo më në  Beograd, ku jetojnë mijëra shqiptarë nga Kosova, por ku asnjërit nuk i jepet mundësia të zgjedh ndonjë përfaqësues të vetin. Serbia me miratimin e Thaçit ka caktuar  komandantin e  policisë për veriun e vendit, një kriminel lufte që ka kryer krime kundër grave dhe fëmijëve gjatë luftës në Drenicë.  Po ashtu, ka lejuar që lista unike “Serbia” e hartuar në Beograd të ndryshojë vetëm emrin, por jo edhe përmbajtjen. Kjo listë u mundëson edhe kriminelëve serbë të zgjedhin dhe të zgjidhen kudo në Kosovë, meqë edhe ashtu i ka amnistuar Qeveria në Prishtinë.

 

Zemërgjerësia e Hashim Thaçit ndaj kërkesave të Serbisë, në emër të Kosovës dhe  për hir të partneritetit, me ata partnerë evropianë, që  thotë se na paskan ndihmuar për ta çliruar vendin, vë në pikëpyetje pikërisht çlirimin e vendit nga Serbia, sepse lufta e UÇK-së, e ndihmuar nga NATo-ja  ka qenë e drejtuar kundër pushtimit serb të Kosovës dhe kundër kthimit në Kosovë të forcave politike, ushtarake e policore  të Sllobodan Milosheviqit dhe të Vojisllav Sheshelit, të cilat qeverisin aktualisht Serbinë. Ato forca kriminale që ishin përzënë nga vendi ynë, në qershor të vitit 1999, tashmë kanë depërtuar  thellë në Kosovë, si rezultat i bisedimeve dhe  realizimit të marrëveshjes së 19 prillit, për mbarëvajtjen e së cilës kujdeset BE-ja, në krye me EULEX-in dhe OKB-ja me KFOR-in. Serbia e Milosheviqit nuk e kishte pranuar shtetin e Kosovës, ashtu sikur nuk e pranon as Serbia e Daçiqit dhe Nikoliqit, ndërsa Qeveria e Thaçit po e  pranon  shtetin e Serbisë, duke ia mundësuar kthimin hap pas hapi në tërë Kosovën.

 

Kjo zezonë, (të cilën e kuptojnë dhe e interpretojnë ndryshe partitë politike që e kanë mbështetur procesin e bisedimeve),  tashmë ka mbetur në heshtje dhe po mbulohet me entuziazmin e fushatës zgjedhore, ku për herë të parë po marrin pjesë edhe serbët e veriut, por edhe serbët e enklavave, të cilët Beogradi, me përbuzje i  konsideron si serbë të Thaçit. Edhe pse kryeministri i Kosovës këto zgjedhje i ka shpallur si historike, ashtu sikur edhe marrëveshjen e 19 prillit, ato për fatin e të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi do të jenë antihistorike, sepse gjaku i çlirimtarëve nuk është derdhur për kthimin e Serbisë në Kosovë, pas kapitullimit të saj në luftë më 10 qershor të vitit 1999. Askush nuk ka të drejtë ta manipulojë atë gjak, madje as për hir të partneritetit me BE-në, e cila luftën tonë çlirimtare po e trajton si luftës të grupeve terroriste, duke akuzuar madje edhe kreun e luftës, madje duke e dyshuar për krime dhe trafikim organesh, të gjoja “robërve” serbë. Madje  edhe vetë kryeministrin, Hashim Thaçi, parterin aq të ngushtë të BE-së sot, simpatikun e zonjës Ashton dhe demonin e Beogradit, të  Dik Martit e Karla del Pontes.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …