Radosllav Katiçiq: Zanafilla e shqipes

Shqipja është një gjuhë satem indo-evropiane, e cila formon një degë më vete, njësoj si greqishtja e armenishtja. Nëse Pederseni ka të drejtë në postulimin e ligjit mbi asibilimin e labio-velarëve para zanorëve qiellëzore në shqip, atëherë ajo nuk është e llojit satem por gjuhë në të cilën asibilohen bashkëtingëlloret qiellzore përderisa mbajnë të dallueshme tri radhët e guturaleve[i]. Kjo çështje është ende e paqartë megjithëse specialistët janë të prirë të pranojnë ligjin e Pedersenit. Të gjitha dokumentet e shkruara në shqip janë të vona, më e moçmja prej të cilave i takon shekullit XV. Vetë populli lajmërohet në burimet historike vetëm gjatë mesjetës. Rrjedhimisht nuk ka ndonjë traditë të drejtpërdrejt mbi fazat e vjetra të kësaj gjuhe indo-evropiane. Megjithatë ne e dimë se ajo është vijimësia e një gjuhe e cila flitej në Ballkan qysh nga kohërat e lashta. Kjo është vërtetuar nga fakti se ka huazime të greqishtes së vjetër në shqip (krahaso. shqip. mokënë nga greq. μαχανά ‘makinë’; shqip. pjepën nga greq. πέπων; shqip. shpellë nga greq. σπήλαιον; bletë nga greq. μέλιττα, dhe një sërë huazimesh të tjera)[ii]. Në burimet historike nuk përmendet ndonjë migrim i shqiptarëve. Është fare e natyrshme të hamendësohet se shqipja është folur qysh nga kohërat e lashta në një territor pak a shumë të njëjtë me të sotmin. Kjo hapësirë përkon kryesisht me Shqipërinë bashkëkohore duke u shtrirë edhe në territorin jugosllav dhe atë grek.


 


 Grupe shqipfolësish ka edhe në Epirin grek, në pjesën perëndimore të Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe në lindje të Malit të Zi. Në Kosovë, provincë autonome e Republikës Jugosllave të Serbisë, popullsia është me shumicë shqiptare. Kjo hapësirë, e mbuluar nga folësit e shqipes, shtrihet thuajse tërësisht brenda territorit të vjetër ilir. Në lindje zgjatet në afërsi në kufirit të vjetër midis Ilirisë dhe Thrakisë; në jug përfshinë pjesë të territorit peon, maqedon e epirot (pavarësisht lidhjeve gjuhësore që mund të kenë pasur këta popuj në lashtësi). Së këndejmi, është e natyrshme dhe normale që shqipja të cilësohet si pasardhësja bashkëkohore e gjuhës ilire. Fakti që në Ilirikun e moçëm gjejmë një laramani gjuhësore nuk përbën ndonjë vështirësi në këtë drejtim meqë hapësira shqiptare përkon vetëm me territorin i cili ishte ilir në kuptimin e ngushtë të fjalës. Ky hamendësim i natyrshëm i filleve ilire të shqipes është vënë në pikëpyetje dhe disa dijetarë e gjejnë më të mundshme që shqipja është vijimësi e trakishtes. Kjo çështje është debatuar nxehtësisht dhe mbetet ende kundërthënëse. Ata dijetarë që besojnë se ilirishtja ka qenë një gjuhë kentum, e mohojnë prejardhjen ilire të shqipes; sipas tyre një afri me trakishten ishte zgjidhja më e lehtë[iii]. Por nuk duket të ketë ndonjë arsye të fortë për një përfundim të atillë për shkak se nuk është e sigurt që ilirishtja, veçmas gjuha e popullit me sistemin onomastik ilir, ishte në të vërtetë gjuhë kentum. Por edhe nëse ishte e tillë, kjo nuk shton gjë në debatin e tashëm ngase ka arsye të besohet se në shqip asibilimi i qiellzoreve ishte mjaft i vonë, pjesërisht jo para mesjetës[iv].


 


Argumentet e tjera gjuhësore për afrinë e shqipes me trakishten janë më të rëndësishme. Më parësore janë ato që kanë të bëjnë me toponiminë. Disa dijetarë i mëshojnë asaj që emër-vendet e vjetra në Shqipëri nuk i përvijojnë ndryshimet tingullore të shqipes, për dallim nga disa toponime në Ballkanin qendror. Në të kundërtën, emër-vendet në Shqipëri më tepër pasqyrojnë gjurmë të një ndërmjetësimi latin e sllav. Scodra e vjetër nuk mund të kthehet në shqip. Shkodër meqë nistorja sk– shndërrohet në h- në shqip. Edhe Dyrrachium mund të jetë kthyer në shqip si Durrës vetëm me ndërmjetësimin e sllavishtes. Дърачь meqë -ky- i latinishtes kthehet në shqip në -q- dhe sllavisht në – č –, e kjo e fundit është përcjellë përmes zhvillimit në shqip të tš >ts>s.  Hidronimi shqiptar Cem nga Cinua i vjetër parakupton një palatalizim sllav. Në anën tjetër Nish nga Ναϊσσός, Shtip nga Αστιβος, Sharr nga Scardus, dhe Ohër nga Lychnidus parakuptojnë një zhvillim tingullor i cili është karakteristik vetëm për shqipen. Nga këto disa dijetarë përfundojnë se hapësira zanafillore e shqipes ishte më në lindje, në brendësi të Ballkanit dhe jo në trevat bregdetare të Shqipërisë së sotme. Mungesa thuajse tërësore e fjalësisë rrënjese për detarinë dhe peshkimin duket se e pohojnë këtë: shqip. gjemi është turke, lundër është latine, varkë është fjalë greke, lopatë është sllave, peshk e notoj janë me prejardhje latine[v]. Për t’i dhënë përgjigje nëse një ndryshim tingullor ishte burimisht shqiptar ose jo, ndryshimet kronologjike duhet të kihen parasysh. Ndryshimi i nistores sk-h- është shumë i vjetër në shqip, mbase është para-ballkanik, dhe është e çuditshme pse disa toponime të vjetra ballkanike nuk e konfirmojë atë. Disa emër-vende erdhën në shqip përmes ndërmjetësimit të latinishtes ose sllavishtes ose përmes të dyjave. Por shumica e emrave në shqip si Lezhë, Drisht, Kunavja, Drin, Buenë, Mat dhe Ishm mund të qëmtohen në format e tyre të vjetra Lissus, Drivastum, Candavia, Drinus, Barbanna, Mathis dhe Isammus vetëm përmes ndryshimeve tingullore të shqipes dhe jo të ndonjë gjuhe tjetër. Në këtë rast duhet vetëm të hamendësohet theksimi nistor në ilirisht: Dyrrachium, Isammnus, Drivastum (krahas. Mesapishte Brundisium>Brindisi)[vi]. Fjalori detar dhe ai i peshkimit nuk është krejt i huaj ashtu siç pandehnin në fillim disa dijetare nën ndikimin e mbresës së parë[vii]. Duhet të kihet parasysh se qytetet bregdetare me gjasë u latinizuan të parat, dhe shqipja e sotme është pasardhësja e dialekteve të folura fillimisht në male[viii]. Për më tepër është thënë se gjuhësisht shqipja përkon më tepër me trakishten sesa me ilirishten[ix].


 


Ky pohim nuk mund të jetë i mirëqenë për shkak se ne dimë fare pak për trakishten dhe ilirishten. Dhe për ato pak glosa të ruajtura ilire është jashtëzakonisht lehtë t’u gjendet një përkatëse në shqip. Qenësia e përkimeve të shumta midis rumanishtes dhe shqipes është pandehur si një tjetër argument për prejardhjen e kësaj të fundit[x]. Por as kjo nuk vendos gjë rreth kësaj çështjeje meqë nuk dihet as trualli zanafillor i rumanishtes dhe as natyra e kontakteve që ishin shkak i këtyre përkimeve. Rrjedhimisht kjo çështje mbetet e hapur. Këto përkime duket të pohojnë bindjen se shqipja është një pasardhëse e dako-mizishtes. Kjo hipotezë mbështetet në krahasimin e njëjtë fonologjik të të dyja gjuhëve[xi].


 


Por fonologjia krahasimtare e dako-mizishtes është kaq e hamendësuar saqë nuk mund të tërhiqet kurrfarë përfundimi largvajtës.  Është mjaft e mundshme të ketë pasur një lëvizje të gjuhës nga malësitë e brendshme në drejtim të bregdetit shqiptar, i cili me gjasmë ishte romanizuar ndjeshëm. Por nuk ka arsye të flitet për ndonjë migrim me përmasa të mëdha, e nëse në Dardania dhe Peoni, duhet të kërkohet djepi i shqipes, ne nuk jemi të sigurt nëse ato ishin thrake gjatë antikitetit të vonë[xii]. Deri më tani nuk është shpalosur asnjë provë e fortë rreth burimit thrak të shqipes, vetëm një grumbull indikacionesh të cilat, pa e përcaktuar çështjen, na parandalojnë për të përjashtuar krejtësisht këtë hipotezë. Gjëja e vetme që na mbetet është të jemi mendje-hapur duke kujtuar se në këtë kundërthënie vërehet mungesa e provave e atyre që mohojnë fillin ilir të shqipes[xiii].


 


* Radosllav Katiçiq është një nga filologët më të spikatur kroat, reputacioni i të cilit çmohet lart në rrethet shkencore botërore. Në vitin 1977, Katiçiq do të ligjëronte sllavishten në Universitetin e Vjenës, kurse në vitin 1986 bëhet anëtar me të drejta të plota në Akademisë e Shkencave dhe Arteve të Jugosllavisë. Ai është anëtar edhe në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Bosnjë Hercegovinës si dhe në atë të Norvegjisë. Artikulli i mësipërm është shkëputur nga vepra kapitale e tij ‘Ancient Languages of the Balkans’ (MOUTON, 1976), ff. 184-188.


 


Përktheu:


Salih Mehmeti


 







[i] PEDERSEN (1900).



[ii] THUMB (1909), BARIć (1959:32), ÇABEJ (1964: 83-7)



[iii] PAULI (1891:200), HIRT (1898:181-; 1905 -07: 140-, 150-. 604-)



[iv] CIMOCHOWSKI (1958:43) dhe ÇABEJ (1964:75)



[v] WEIGAND (1927), POPOVIć (1958; 1960:79)



[vi] ÇABEJ (1958:59)



[vii] ÇABEJ (1964:76).



[viii] CIMOCHOWSKI (1958:38)



[ix] BARIć (1954: 1-48), POPOVIć (1960: 81 -2). DEčEV (1960: 190-8)



[x] BARIC (1954: 27 – 34).



[xi] GEORGIEV (1957b: 73-4).



[xii] JOKL (1924) dhe PISANI (1964)



[xiii] ÇABEJ (1970).

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …