Policia e Kosovës e lanson aplikacionin elektronik “Lajmëro Policinë”, për raportimin e rasteve nga ana e qytetarëve

RKL: Policët e Kosovës, viktima të urdhërdhënësve të tyre

Pavarësisht se Policia e Kosovës ende është heterogjene për nga prejardhja, pjesa dërrmuese e saj  i takon gjeneratave të reja,  që cilat kanë parë dhe kanë mjaft të dhëna lidhur me  dhunën dhe gjenocidin serb të ushtruar kundër shqiptarëve, sidomos gjatë kohës së luftës së UÇK-së  dhe nuk kanë ndonjë nostalgji për ish regjimin  e bashkim vëllazërimit.

Qysh në vitet e pas luftës e deri tani, Policia e Kosovës është përballur me probleme të shumta dhe mjaft të rënda dhe asnjëherë nuk ka qenë as është e trajtuar me meritë  sa u përket të ardhurave dhe benificioneve, që duhet t’i gëzojnë pjesëtarët e kësaj force, e cila vazhdimisht i ekspozohet rreziqeve.

Ka ndodhur shpeshherë që Policia madje edhe njësitë ROSU, të jenë manipuluar nga politikanët e përfaqësuesit e institucioneve dhe në shumë raste kanë qenë viktima, sidomos kur janë përdorur kundër protestuesve shqiptarë dhe gati gjithnjë, numri i policëve të lënduar ka qenë aq sa edhe i protestuesve, madje në disa raste edhe më i shprehur.

Kjo nuk ndodh me policinë e rajonit dhe gati askund në botë.

Po kështu, kur është në pyetje mbrojtja e zyrtarëve të Serbisë, të cilët me leje apo  të hyjnë në Kosovë, policët e vendit tonë janë në pozitë shumë të rëndë, meqë çdo kundërsulm, apo edhe vetëmbrojtje,  llogaritet në pikëpamje etnike  dhe jo pak prej tyre janë suspenduar, madje edhe janë dënuar me burg, me përjashtim nga radhët e policisë, madje edhe kur i kanë  kryer me përgjegjësi urdhrat për mbrojtje  të rendit e sigurisë.

Dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm njëherë, por mjerisht ka ndodh shumë shpesh dhe po ndodh edhe tani, sepse ata dikush po i trajton si jeniçerë dhe mercenarë.

Sot u bë i ditur lajmi se Inspektorati i Policisë së Kosovës, me kërkesë të zëvendës-ministrit të Punëve të Brendshme, Millan Radojeviq, do të fillojë hetimet kundër të gjithë policëve,  që kanë marrë pjesë në aksionin e arrestimit të drejtorit të Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, më 26 mars 2018, në veri të Mitrovicës, pasi ai edhe pse kishte qenë i paralajmëruar se do të arrestohej po të hynte pa leje në Kosovë, nuk e kishte përfillur ndalesën. Duke folur për mediet lokale në veri të Mitrovicës, Radojeviq ka konfirmuar se Inspektorati Policor i Kosovës edhe zyrtarisht ka filluar hetimet për të dëshmuar përgjegjësinë penale të policëve, që kanë marrë pjesë në arrestimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, e ku është lënduar ministri, Nenad Rikallo dhe disa të tjerë. Për shkak të arrestimit të Gjuriqit i cili kishte hyrë në Kosovë  pa marrë leje, është shkarkuar edhe ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj.

Ky lajm tregon më së miri se cili është niveli i qeverisjes dhe i bashkëqeverisjes  së institucioneve tona, të cilat asnjëherë nuk dalin të jenë unike në qëndrime e veprime, kur është në pyetje interesi i Kosovës.  Nuk është kjo hera e parë që policët shqiptarë urdhërohen për të intervenuar, e pastaj nën presionin e krerëve të vendit dhe të ambasadorëve të huaj, ndiqen penalisht, pasi të kenë zbatuar urdhrat, por urdhërdhënësit vazhdimisht po mbesin të pandëshkuar, sepse Shtetin e konsiderojnë pronë të veten, jo të popullit, sikur dërdëllisin në fjalimet e tyre pompoze e patetike dhe sikur rrahin gjoks para opinionit.

Tri vjet më parë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, aktualisht  në koalicionin qeveritar, përmes një kumtese për media e kishte  quajtur veprim  politik dënimin e Policëve të Kosovës me nëntë vjet burg, për shkak se patën rrahur truprojat e Vulinit në vitin 2013. Dënimi i Policëve të Kosovës me gjithsej nëntë  vjet burg është skandaloz dhe dënim politik. Këta zyrtarë policorë janë dënuar politikisht për shkak se kanë zbatuar ligjin, duke reaguar në detyrën zyrtare të tyre ndaj njerëzve të armatosur, sikur ishin truprojat e Vulinit, me rastin e vizitës së tij të paftuar, në Graçanicë. Por, për shkak se kanë zbatuar ligjin ndaj këtyre serbëve të armatosur, policët janë dënuar rëndë. Ky është dorëzim i shtetit të Kosovës ndaj Serbisë dhe ndëshkim politik ndaj policëve. Qeveria e Kosovës, e ndikuar direkt prej axhendës politike të Serbisë, duhet të reflektojë në të këqijat që po i bëjnë për çdo ditë e më tepër. Edhe për Asociacionin, edhe për Demarkacionin, edhe për dhunën që po përdorin, por edhe për ndëshkimin politik që i kanë bërë dje policëve. Thjesht, Qeveria e Kosovës i la në baltë dhe i poshtëroi policët, duke mos u ofruar asnjë lloj mbrojtjeje!

AAK-ja asokohe ishte në opozitë, dhe derdhte helm e vrer kundër asaj padrejtësisë, që iu kishte bërë policëve,  Qeveria e koalicionit PDK-LDK, por sot që është në Qeveri dhe ka nën urdhra Policinë e Kosovës, kësaj partie politike i mungon reagimi në mbrojtje të Policisë, e cila si kurdoherë ka zbatuar  dhe zbaton urdhrat e urdhër-dhënësve.

Po kështu me rastin e dënimit të policëve shqiptarë të Kosovës lidhur me arrestimin e truprojave të Aleksander Vulinit,  kishte reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut,  në Prishtinë. Në reagimin e asaj kohe thuhej se “Gjykata përkatëse e shqiptoi masën e dënimit me burg si dhe masën e mos ushtrimit të funksionit për një kohë të caktuar për pjesëtarët e njësisë ROSU me arsyetim se ata kanë ushtruar dhunë ndaj shoqëruesve, policë të MUP-it të Serbisë, të Aleksandër Vulinit në njërën nga vizitat e tij në Kosovë, pa lejen e autoriteteve të Kosovës.

Tërë këtij procesi i paraprinë një reagim nga autoritetet më të larta të Serbisë dhe te ndërkombëtarëve që kërkonin përgjegjësi për policët e njësisë ROSU. Ndikimi politik apo kushtëzimi politik i Serbisë ishte përcaktues, që këta policë të mbesin edhe pa përkrahjen e eprorëve të tyre dhe faktorit politik pas së cilës, fillimisht u suspenduan nga puna, ndaj tyre filluan hetimet, u ngritë aktakuza dhe dje nga një Gjykatë, ku mbizotëruan gjykatësit ndërkombëtarë,  u dënuan me burg efektiv dhe masa të tjera. KMDLNj, vlerësonte se i tërë procesi ishte një ndërhyrje politike, kishte ndikime politike dhe rrjedhimisht edhe vendimi i gjyqit ishte  vendim politik dhe shpresonte  se instanca më e lartë gjyqësore do ta rrëzonte  atë vendim të padrejtë dhe një aktgjykim politik.

Mirëpo pavarësisht reagimeve, ai vendim u zbatua, ndërsa sot është paralajmëruar një fushatë tjetër kundër policëve të Kosovës, të cilët një muaj më parë me urdhër të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Brendshme të saj,  kishin arrestuar  zyrtarin serb, Gjuriq, në kohën kur ai në sallën ku po mbahej  takimi dhe ku kishte hyrë ilegalisht kishte thënë hapur para medieve dhe të pranishmëve: “Ku janë bijtë  e shqiptarëve të cilën nuk po vinë të më arrestojnë?”.

Fjalimi nxitës, urrejtës, poshtërues për Kosovën dhe policët e saj u mbajt sekret nga mediet që i financon Qeveria dhe bandat e bizneseve.

Gjuriqi dhe gjuriqët u paraqiten viktima në kamerat e TV-ve të Kosovës, pavarësisht se ishte shkelur rendi dhe ligji dhe kishte hyrë pa leje në vend, zyrtari serb i njohur për një gjuhë rrugaçe, me sharje e fyerje tipike të racës së cilës i takon.

Fushata kundër Policisë, e cila i zbaton urdhrat e Qeverisë dhe të Shtetit, jo vetëm që është e palejueshme, e papranueshme dhe e dënueshme, por është shumë e dëmshme për vendin, e dëmshme sidomos për radhët e policëve, të cilët me të drejtë demoralizohen, sepse  nuk dinë kujt po i shërbejnë, popullit, Kosovës, apo krerëve dhe klaneve që botërisht thirren në emër të mbrojtjes së Shtetit dhe veprojnë ndryshe, sipas interesave politike, gjithnjë nën rrogoz.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …