leoni

RKL: Protesta e sotme në Prishtinë duket se po eskalon drejt gjendjes së jashtëzakonshme

Protesta e sotme në Prishtinë duket se po eskalon drejt gjendjes së jashtëzakonshme.

 Për dallim nga protesta e 24 janarit, ku pas protestës, grupe të papërgjegjshme gjuajtën me gurë Ndërtesën e Qeverisë, sot protesta ka filluar dhe po vazhdon të jetë e dhunshme dhe me shenja që paralajmërojnë në situatë tejet të rëndë dhe kaotike për vendin.

Kokëfortësia e Isa Mustafës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit  dhe kryetares, Atifete  Jahjaga për të mos e shkarkuar ministrin bandit serb, Jabllanoviq, i cili shan dhe fyen nënat shqiptare, që kanë dhënë më të dashurit e tyre për çlirimin e Kosovës nga fashizmi serb, po nxit edhe më tej dhunë e revolta, të cilat fare lehtë mund të dalin jashtë kontrollit, në mos edhe kanë dalur.

Kjo kokëfortësi e Qeverisë, për ta ruajtur me çdo kusht ministrin Jabllaniviq bie erë tradhtie kombëtare që është nënshkruar në Bruksel më 19 prill të vitit 2013. Nga ana tjetër Qeveria e Beogradit, në krye me Vuçiqin  nuk lejon të shkarkohet ministri, të cilin e ka caktuar vetë, në radhë të parë me qëllim që ndeshja mes shqiptarëve që po protestojnë, dhe atyre që i ruajnë postet e sapo marra në Qeveri, të eskalojë me një përçarje sa më të madhe  dhe më kobndjellëse në Kosovë dhe kudo në mesin e shqiptarëve.

Tash po shihet fare qartë se Qeveria e Isa Mustafës nuk është në gjendje të zgjidh këtë çështje, të cilin e ka shkaktuar nga mungesa e përgjegjësisë, që në ditën e parë kur ministri serb kishte fyer nënat e të zhdukurve shqiptarë nga Gjakova. Isa Mustafa jo vetëm që nuk i dha fare rëndësi këtij akti të ulët dhe fashist por e mbrojti dhe po e mbron me këmbëngule Jabllanoviqin dhe interesin e Beogradit në Kosovë.

Pretendimet për ta ruajtur me çdo kusht ministrin sharës e fyes në radhët e veta degradon në tërësi moralin kombëtar e njerëzor të të gjithë ministrave shqiptarë, por edhe të atyre të  cilët nuk i konsiderojnë të shenjta idealet e kombit dhe të luftës për liri, por idealet e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë.

Si mund të shpjegohet ndryshe ky qëndrim qyqarë, i mjerë dhe krejt i neveritshëm, i atyre njerëzve që pretendojnë me çdo kusht ta ruajnë një koalicion qeveritar, që del të jetë i  minuar nga brenda nga vetë Beogradi zyrtar përmes besnikëve të dikurshëm e të tashëm të Serbisë.

Protesta e sotme jo vetëm po e thellon hendekun mes shqiptarëve liridashës dhe atyre besnikë të Serbisë, por ka krijuar edhe një ndasi tejet të rrezikshme brenda shqiptare, meqë, pavarësisht dhunës, pavarësisht të gjitha shkatërrimeve të mundshme, shkaqet për të protestuar kundër kësaj përbërje të Qeverisë, e cila është zënë peng nga Beogradi, janë të shumta, janë të arsyeshme  dhe me siguri se do të sjellin edhe pasoja e reperkusione, tash për tash të pallogaritshme.

Kush po i vë në pikëpyetje institucionet e vendit, ata që po i gjuajnë me gurë, apo ata që nuk duan të pranojnë botërisht se nuk mund ta shkarkojnë ministrin serb, sepse nuk lejon Beogradi as Brukseli.

Kush po lejon që protestuesit shqiptarë dhe policët shqiptarë të ndeshen fyt për fyt, vetëm për ta ruajtur një ministër bandit, një kriminel të Arkanit e Milosheviqit i cili fyen gjakun e derdhur të shqiptarëve dhe me hipokrizinë e tij të lindur fashiste, tallet me viktimat, të cilat sipas tij e ka shkaktuar NATO-ja dhe jo kriminelët e masakruesit serb.

Përse Qeveria e Isa Mustafës po tregohet aq e fortë dhe e pa kompromis kundër qytetarëve të vet dhe jo kundër një banditi serb nga radhët e veta?

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …