Jakup Krasniqi: Demokracia nuk ndërtohet me dhunë as me ultimatume


Sot Kosova, para opinionit vendor e ndërkombëtar,  u shfaq me një pamje që s’i duhet askujt në Kosovë, asnjë qytetari e shtetasi të saj. Kjo shëmti që u pa i shkon për shtati vetëm atyre që fillimisht kanë ngulfatur çdo formë demokratike brendapërbrenda subjekteve të tyre, të cilat i sundojnë si despotë.


 


Po t’i lëmë mënjanë qeveritarët arrogantë, t’i drejtohemi edhe një herë drejtuesve të Lëvizjes Vetëvendosje! Nëse mund të arsyetohet ultimatumi i së shtunës, në asnjë formë nuk arsyetohet ultimatumi që iu dha policisë për heqjen e barrikadës. Ata nuk duhej të jepnin ultimatumin për heqjen e barrikadave të vendosur nga policia për sigurinë e institucioneve të shtetit.


 


Me këtë papjekuri tuajën, për të bërë protestë të qetë, për të ndaluar çdo dhunë nga ana e qytetarëve, ua dhatë mundësin tiranëve që e udhëheqin Kosovën, urdhërdhënësve të tmerrit të sotëm, të paraqiteshin viktima dhe mbrojtës të rendit demokratik që po u ndërtuaka në Kosovë! Kjo nuk është dashur të ndodhë. Askush për bindjet e veta politike apo ideologjike nuk e ka të drejtën t’i futë qytetarët e as rininë tonë në zjarrin e luftës.


 


Atëherë, kush duhet ta ndalë këtë trend të rrezikshëm për Kosovën?


 


Mundësia për t’i ndalë këto trende negative konsiston në (pa)mundësinë e organeve drejtuese të LDK-së. Sepse, në frymën e kësaj partie politike, e cila dhunën çlirimtare nuk e ka përdorë asnjëherë ndaj pushtuesit shekullor, ndërsa sot ushtruan dhunë të pakontrollueshme kundër protestuesve paqësorë të Kosovës! A ka zë demokratik, në mesin e “ushtarëve të Ibrahim Rugovës”, i cili do të guxonte t’i thotë Kryeministrit që është edhe kryetar i LDK-së, pa qenë asnjëherë anëtar e veprimtar i saj!


 


Zoti Kryeministër, ndale dhunën ndaj qytetarëve të Kosovës, sepse vendi nuk mund të qeveriset me dhunë policore! Ky vend e këto rrugë gjatë dekadave kanë parë e përjetuar jo pak dhunë, gjak e dhembje. Këtij vendi i duhet demokracia, zhvillimi, progresi. Përse nga organet drejtuese te LDK-së, nuk kemi asnjë zë “kryengritës”, asnjë zë kundërshtues, asnjë zë protestues, asnjë zë intelektuali (siç e ngriste zërin Dr. Rugova në takimet me intelektualët serbë në Novi-Sad para disa dekadash), atëbotë kur mund të rrezikohej shumë më shumë sesa që mund të rrezikohet sot? Përse nuk kemi asnjë zë intelektuali, që ky Kryeministër e kryetar i LDK-së, me këto politika despotike nuk mund të qeverisë as me vendin dhe as me LDK-në? Përse nuk kemi në mesin e kësaj partie “akademikesh” asnjë njeri të thotë qartë: Më mirë të mbesim përjetësisht në opozitë sesa politikën paqësore të ndjekur ndaj armikut shekullor me dekada ta shndërrojmë në politikë dhune e terrori mbi protestuesit shqiptarë?! Përse po ndodh gjithë ky barrikadim, primitiv e heshtak, me partinë më të vjetër të shqiptarëve në Kosovë?! Kaq e verbër politikisht, intelektualisht e kombëtarisht na qenka partia e “akademikëve” të Kosovës? Ku janë zërat e qytetarëve te Kosovës në atë parti politike? Përse ky konformizëm? Ku janë zërat e qytetarëve te Kosovës në atë parti politike? Pse ekziston ajo? A ekzistojnë aty vetëm për vetën e vet? Kjo heshtje është sa e frikshme aq edhe e tmerrshme. Ju paqësoret e LDK-së, duhet ta dini se e gjithë përgjegjësia e sotme bie mbi partin tuaj, pasi Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Brendshme janë nga radhët e “ushtarëve te Ibrahim Rugovës”?!


 


Kësaj radhe nuk po me merrem me drejtuesit e tjerë te PDK-së. Përse? Sepse, pikërisht në këtë parti për më shumë se dhjetë vjet kam luftuar politikisht e me përgjegjësi e moral elementar të një qytetari të Kosovës kundër drejtimit despotik të saj. Kam luftuar brendapërbrenda organeve të saj pa hezituar, derisa ka pasur një frymë debati. Kur humbi debati më se i nevojshëm, e kam ngre zërin për opinionin e gjerë, jo për të mbrojtur veten time, por më të shenjtën e mundshme: demokracinë! Në organet e saj asnjëherë nuk pati ndonjë kërkesë elementare për debat, për problemet që kam shtruar në vazhdimësi. Kjo dhe jo vetëm kjo më ka bindur se në atë parti nuk ka mbetur asnjë zë i arsyeshëm. Prandaj nga ato organe (u thënçin organe “drejtuese”!), të cilat as nuk kishin as nuk kanë zë për asgjë, nuk ia vlen të them asnjë fjalë! Zoti ua lasht pak bukë n’gojë, trimoshëve të luftës e të burgjeve të djeshëm?!


 


Konferenca e organizuar për medie nga Kryeministri e Zëvendëskryeministri për mua është më shumë se tmerruese. Ajo flet shumë për nivelin e tyre njerëzor, politik, intelektual e kombëtar! Deklarimet e Kryeministrave ne Konferencën në fjalë, ishin deklarime korbash mbi prenë!!! Këta trimosh, tërë impotencën për te kundërshtuar Vuçiqin dhe njeriun e tij dhe për të mbrojtur Trepçën, tërë vrerin e derdhen mbi qytetarët e Kosovës dhe kundërshtarët e imagjinuar politik?!


 


 


Jakup Krasniqi: Protestat janë rregullator në shërbim të rivendosjes së demokracisë


 


Nuk ka as edhe një dyshim se demokracia në Kosovë është para një kolapsi… Degradimi i institucioneve të shtetit ka nisur apo e ka marrë të tatëpjetën e tij, pas zgjedhjeve nacionale të vitit 2010…(e) do të thellohet gjatë viteve 2011/2012/2013 e 2014… Kulmi i këtij degradimit, pa dyshim që ishin bisedimet serbo- shqiptare me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel. Në ato bisedime pala shqiptare kishte shkuar e pa përgatitur dhe si pasoj e kësaj ajo atje kishte bërë disa marrëveshje të dëmshme, të cilat, as sot e kësaj dite nuk i dimë… Protesta ishte e nevojshme edhe për t’i treguar arrogancës së numrave në Kuvend, se aty mund t’i kesh dy të tretat, por dy të tretat në Protestë janë më shumë dhe lehtë mund ta përmbysin shumicën në Kuvend… Arroganca dhe vandalizmi i shfaqur nga ana e një grupi të protestuesve jo vetëm që është e pa pranueshme, por veprimet e tilla çojnë ujë në mulli të huaj… Është në përgjegjësinë e organizatorit, që asnjëherë më, mos të lejoj veprime të tilla dëmtuese për pronën private a publike si dhe, as të dëmtoi qëllimin e porosinë e Protestës!… u fol për vandalizmin e një grupi të vogël pjesëmarrësish. A ishte ky qëllimi i organizatorit? Jam i bindur që ky, në asnjë formë nuk ishte qëllimi?!


 


Në vendet e tranzicionit, apo të demokracive të brishta, ku mentaliteti i së shkuarës zë të rikthehet për të dëmtuar demokracinë e re, duke dëmtuar sundimin e rendit e të ligjit, zhvillimin ekonomik përmes krimit e korrupsionit dhe kur përfaqësuesit e zgjedhur nuk janë në detyrën e tyre siç është në rastin tonë. Në këto raste, protesta është rregullator në shërbim te rivendosjes së demokracisë, mbase edhe te përgjegjësisë. Demokracia nuk është vetëm procedurë, si shumëkush dëshiron ti referohen. Demokracia është drejtësi, është barazi, është mirëqenie, është sundim i ligjeve të standardeve demokratike, është zhvillim ekonomik, është humanizëm e solidaritet ndër njerëzor. Demokracia është vullnet i shumicës qytetare për të qeverisur me rregulla të përcaktuara në mënyrë të qartë, por nuk është diktaturë e individit që na e paska marrë “besimin” e një shumice?!.


 


Nuk ka as edhe një dyshim se demokracia në Kosovë është para një kolapsi. Pothuajse asnjë pushtet nuk është duke funksionuar si duhet dhe në përputhje me ligjet në fuqi. Gjatë këtyre viteve të pavarësisë jo vetëm që nuk kemi pasur ngritje të kapaciteteve administrative, funksionalitet e azhuritet të ngritur, por kemi pasur rënie të dukshme deri në degradim. Degradimi i institucioneve të shtetit ka nisur apo e ka marrë të tatëpjetën e tij, pas zgjedhjeve nacionale të vitit 2010, kur në krye të shtetit erdhën njerëz që nuk kishin asnjë përgatitje politike, intelektuale e kombëtare, nuk bartnin me vete asnjë përvojë të menaxhimit institucional. Ky degradim institucional do të thellohet gjatë viteve 2011/2012/2013 e 2014 dhe do të duhej të ndodhte e kundërta. Te krijohej perspektiva e qytetarëve tanë.


 


Kulmi i këtij degradimit, pa dyshim që ishin bisedimet serbo- shqiptare me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel. Në ato bisedime pala shqiptare kishte shkuar e pa përgatitur dhe si pasoj e kësaj ajo atje kishte bërë disa marrëveshje të dëmshme, të cilat, as sot e kësaj dite nuk i dimë. Edhe pse nuk dihej se çfarë marrëveshje ishin arritur, ato u votuan nga deputetët e partive që tani janë në koalicionin (PDK -LDK). Shenjat e para serioze të atyre marrëveshjeve, kanë zënë të dalin në shesh në fund të vitit 2014 e në fillim të vitit 2015, kur filloj një ikje e madhe e qytetarëve nga Kosova. Në vitin 2015 një stimulim pakënaqësisë qytetare i dhanë dy ngjarje tjera, e para, ndodhi kur ministri i Listës serbe i fyen shqiptarët (jo vetëm nënat gjakovare) duke i quajtur “egërsira” dhe se dyti, kur qeveria brenda ditës e ndërroi qëndrimin e saj për Trepçën, duke e bërë një hap prapa. Ky kthim prapa pa dyshim që u bë me ndërhyrje nga jashtë, në ketë rast Beogradi ishte më i zëshmi.


 


Nuk qe problemi vetëm pse qeveria brenda pak dite e ndërroi mendimin e saj. Esenca e problemit qëndron në Kuvendin e Kosovës, i cili pa asnjë fije serioziteti e përgjegjësie, iu nënshtrua diktatit të qeverisë, duke e degraduar edhe debatin deri në atë shkallë sikur asgjë nuk po ndodhte me tërheqjen e rrufeshme të një ligji sjellë nga qeveria. Në një situatë të tillë, kur përfaqësuesit e popullit nuk janë në përgjegjësin e tyre, për mbrojtjen e interesit kombëtar, protesta popullore mbetet mundësia e vetme e veprimit. Ketë penallti të pozitës, nuk guxonte që mos ta shfrytëzonte opozita numerikisht e vogël në Kuvend.


 


Sigurisht që këto që u thanë nuk ishin arsyet e vetme e as kryesoret që duhej protestuar. Kur qeveritarët bëhen arrogant për mendimin e kundërt dhe me përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve, qytetarët duhet të protestojnë kundër çdo forme të arrogancës, e sidomos, kur atë e shfaqin njerëzit e veshur me pushtet.


 


Kush me vëmendje ka përcjellë seancën e fundit të Kuvendit, nuk e ka pasur të vështirë ta vërej humbjen e arsyes nga ana e Kryeministrit, i cili me një arrogancë goxha “komuniste” ju përgjigj deputetes së Kuvendit. Kur qeveritarët shfaqin arrogancën në demokraci, ajo është reflektim i një sjellje totalitare të përdorur nga i njëjti në një kohë tjetër. “Çka piqet nuk hiqet”, thotë një fjalë.


 


Protesta ishte e nevojshme edhe për t’i treguar arrogancës së numrave në Kuvend, se aty mund t’i kesh dy të tretat, por dy të tretat në Protestë janë më shumë dhe lehtë mund ta përmbysin shumicën në Kuvend. Protestat gjithnjë duhet të jenë paqësore, pasi i gjithë tehu i tyre ishte i drejtuar kundër keq përdoruesve të pronës publike e kombëtare. Kundër keqqeverisjes, jo vetëm nga megalomania e numrave të ministrave e zëvendësministrave.


 


Arroganca dhe vandalizmi i shfaqur nga ana e një grupi të protestuesve jo vetëm që është e pa pranueshme, por veprimet e tilla çojnë ujë në mulli të huaj dhe në rastin tonë ndihmuan keqpërdoruesit e keqmenaxhuesit e parasë publike e cila do të shfaqet edhe me rastin e riparimit të dëmeve të shkaktuara nga njerëz të pa përgjegjshëm, të futur në radhët e protestuesve. Si prona shtetërore dhe ajo private duhet të ruhet si drita e syrit. Ndërsa, dalja në protestë është vullnet individual i secilit njeri! Nuk ke të drejtë t’ia shkatërrosh tjetrit pronën, pse ai nuk ka dalë në protestë. Çdo veprim imponues, është veprim dhe imitim i qeveritarëve në pushtet. Kjo formë e protestimit arrogant, si duhet as qytetarëve e as partive opozitare.


 


Është në përgjegjësinë e organizatorit, që asnjëherë më, mos të lejoj veprime të tilla dëmtuese për pronën private a publike si dhe, as të dëmtoi qëllimin e porosinë e Protestës! Në vend që në lajmet e mbrëmjes të flitej për mesazhet e protestës, për pjesëmarrjen masive të qytetarëve, u fol për vandalizmin e një grupi të vogël pjesëmarrësish.


 


– A ishte ky qëllimi i organizatorit?


 


– Jam i bindur që ky, në asnjë formë nuk ishte qëllimi?!


 


– Kujt i konvenoi që lajm i ditës të ishte vandalizmi e jo porositë e protestës?!


 


– Vet Protesta, me pjesëmarrjen e qytetarëve fliste më shumë se folësit e saj!

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …