RKL: Sot Radion-Kosova e Lirë e vizituan më besnikët e saj, çlirimtarët idealistë…

Në  shënim dhe përkujtim  të 19-vjetorit të fillimit të transmetimit të programit të Radios-Kosova e Lirë, drejtoria e Radios ka  organizuar pritje tradicionale, vjetore,  për ish anëtarët e stafit, dëgjues të Radios dhe miq e dashamirë. Shumica e vizitorëve invalidë e  e veteranë të luftës, por edhe qytetarë liridashës  kanë mbështetur  programin e kësaj Radioje, e cila i ka qëndruar dhe po i qëndron besnike vlerave të luftës së UÇK-së, traditës dhe kulturës autentike kombëtare, informimit të drejtë e të paanshëm.

Gjatë vizitës në lokalet e Radios, anëtarët e stafit të luftës  dhe veteranët, kanë evokuar kujtime nga koha kur 19-vjet më parë në kushte dhe rrethana luftë në një kodër të fshatit Berishë, afër pllakës përkujtimore të veprimtarit e atdhetarit,  Rifat Berisha ishte transmetuar  emisioni i parë i kësaj Radioje, e cila me kumtimin e fjalisë: “Ju flet Kosova e Lirë”  shpërtheu terrin informativ në vend të cilin e kishte ngulfatur makineria vrastare e Milosheviqit. Në kohën kur ministri i atëhershëm i Informimit, kryetari aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte deklaruar se “nuk dinte gjë për atë Radio dhe se nëse vërtet ekzistonte, ajo do të zhdukej për një ditë”, Radio Kosova e Lirë transmetonte programin e saj ditor në malet e fshatit Berishë, në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme, duke qenë e mbrojtur nga luftëtarët e lirisë dhe por duke i qëndruar fortë besimit idealist se  Radio-Kosova e lirë përveç me armët në duart e çlirimtarëve  ishte pajisur me mjete e pajisje, me kuadër të dëshmuar kombëtarisht,  me qëllim për t ia çjerrë fytyrën regjimit barbar të Milosheviqit, dhe në anën tjetër, duke vënë në spikamë luftën heroike të UÇK-së, fitoret në vijat e frontit, rëniet e dëshmorëve e martirëve dhe të gjitha zhvillimet e politikës ndërkombëtare në vend e në botë, që kishin të bënin me vendin tonë.

Zëri i lirisë, zëri i fitores së Kosovës u ruajt me gjakun e dëshmorëve dhe nuk u dha. Më 21 qershor 1999, Radio-Kosova e lirë  njoftoi opinionin se ishte dëbuar nga Kosova edhe kontingjenti i fundit i Ushtrisë dhe i policisë vrastare serbe, se Radio-Kosova e lirë kishte mbijetuar breshërinë gjashtëmujore të granatave dhe goditjeve nga ajri të forcave serbe, dhe kishte mbajtur besë-betimin e dhënë me 4 janar në kumtimin e fjalëve: “Ju flet Kosova e Lirë” gjashtë muaj para fitores vendimtare e përfundimtare.

Kontrolloni gjithashtu

Mërgim Lushtaku

Mërgim Lushtaku: Nuk është hera e parë që qeveria tenton të kontrollojë mediat dhe gazetarët

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili është anëtar në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet …