Ish Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi, Gjorgj Robertson ka thënë se është optimist për të ardhmen e Kosovës. Duke kujtuar fushatën e NATO-s të bombardimeve të caqeve ushtarake serbe, ai ka thënë se kjo kishte për qëllim ndalimin e dhunës që po bëhej kundër popullit të Kosovës. “Ne i dhamë Kosovës lirinë e saj. E çliruam nga dhuna që po bëhej ndaj saj, por nuk i dhamë asaj të ardhmen e vet, e ardhmja e saj është në duart e njerëzve si ju, të popullatës së Kosovës në tërësi, dhe ata duhet të sigurohen që të ndërtojnë mbi këtë. E dini, Madeleine Albright u pyet një herë nëse ishte pesimiste apo optimiste dhe ajo u përgjigj, unë jam një optimiste që merakoset. Kështu që unë jam optimist për Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht për Kosovën, por merakosem gjithashtu” ka theksuar Lordi, Gjiorgj Robertson. Ndërsa duke folur për luftën e tashme në Ukrainë ai ka tërhequr vërejtjen se aktualisht sfida më e madhe e sigurisë me të cilën përballet bota është mposhtja e presidentit rus, Vladimir Putin. Robertos ka theksuar më tutje se fitorja e Ukrainës është jetike për ndaljen e ndikimit rus në Ballkan dhe më gjerë. Në të kundërtën, Rusia do të shkojë edhe “më larg”.
