Një raport i ashpër nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit ka hedhur dyshime serioze mbi integritetin e proceseve gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke ngritur alarmin për mungesë paanshmërie dhe transparence. Në fokus të kritikës është një takim i dhjetorit 2020, ku ish-kryeprokurori Jack Smith dyshohet se ka deklaruar para diplomatëve të BE-së se ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi “do të dënoheshin me burgim të përjetshëm”. Raporti thekson se ky takim nuk iu bë i ditur mbrojtjes në asnjë fazë të procedurave, duke krijuar një situatë që, sipas autorëve, cenon drejtpërdrejt parimet themelore të një gjykimi të drejtë. Edhe më shqetësuese konsiderohet fakti që deklaratat e pretenduara nuk janë mohuar qartë nga zyrtarët përkatës. Në të njëjtin takim ishte e pranishme edhe kryetarja e Gjykatës, Ekaterina Trendafilova, e cila më vonë e ka cilësuar pjesëmarrjen si “aktivitet rutinë institucional”, një shpjegim që raporti e lë të hapur për interpretim dhe kritikë. Ddokumenti konstaton se rasti ngre “pikëpyetje serioze mbi paanshmërinë, transparencën dhe balancën procedurale”, duke shtuar presionin ndërkombëtar mbi mënyrën se si po zhvillohen proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
