RTK-ja

RTK-ja, një prapakthim i vonuar për luftën e çlirimtarëve, por në kohën e duhur

RTK-ja dikur përqeshte dhe injoronte programin e Radios-Kosova e lirë, duke e kualifikuar si Radio jashtë kohës, si radio primitive, pasi sipas saj,   lufta kishte përfunduar dhe sipas logjikës së drejtuesve asokohe  të RTK-së,   paska qenë  dashur të shikohej kah e ardhmja, të integrohej në multietnicitet informativ e kulturor,  të shikojë përpara e jo prapa.

RTK-ja i ka ndarë mirënjohje dhe mjete financiare Radio-Kukësit, duke e shpallur si të vetmin medium në shërbim të luftës, edhe pse ajo radio, asokohe nuk është dëgjuar në asnjë pjesë të Kosovës. Ajo ka injoruar në tërësi Radion Kosova e Lirë dhe Agjencinë Kosovapress dy mediumet e SHP të UÇK-së që kishin transmetuar program në zonat që i mbante UÇK-ja nën kontroll,  deri në mbarim të luftës e më pas në Kosovën e çliruar nga robëria shekullore serbe.

Sot RTK-ja mbështet çlirimtarët, mbështet heroizmin e luftëtarëve të lirisë, me fjalorin dhe sintagmat që i kishte krijuar dhe i ka në fondin e vetë sintagmatik e gjuhësor  Radio-Kosova e Lirë. Fjala “heroizëm” për RTK-në  deri tani ka qenë e panjohur, për disa prej drejtuesve të saj edhe e papranueshme, sepse e lëndon përmbajtjen e moderuar të mediumit publik, i cili është aq i moderuar, aq i pispillosur, i lyer e ngjyer me makijazh, me skena porno, me spikere të lexojnë me emocione madje edhe lajmet, duke buzëqeshur e duke bërë poza like…

Sot RTK-ja, në një segment të përkrahjes së çlirimtarëve  është bërë sikur RKL-ja, të cilën e ka quajtur Radio primitive, Radio së cilës i kishte  “perënduar” koha.

Radio-Kosova e Lirë, prej 4 janarit të vitit 1999 e deri tani, në shkurt të vitit 2021, as edhe një ditë të vetme nuk ka ndodhur të mos transmetojë emisione për dëshmorët, për heroizmin e tyre, për çlirimtare, pjesë  e së cilëve ka qenë dhe po mbetet, për historinë kombëtare, për luftën heroike të UÇK-së për masakrat serbe, pa lënë anash informimin ditor dhe trajtimin e të gjitha temave aktuale gjatë shtetndërtimit të vendit, për këto 22 vjet. Ajo ka qenë zëdhënëse edhe e luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ku edhe ka ngritur “Radion Zëri i Lirisë, që ka transmetuar program gjatë luftës në vitin 2001. Radio Kosova e Lirë ka mbuluar nga terreni edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me reporterë e gazetarë.

Për dallim nga RTK-ja, e cila financohet nga Buxheti i Kosovës, Radio-Kosova e Lirë edhe pse vlerë e luftës së UÇK-së, nuk është financuar as financohet nga buxheti, por funksionon me vetëfinancim, me disa  reklama dhe ndonjë kontratë bashkëpunimi  me çmim simbolik,  të lidhur me ndonjë komunë apo me ndonjë institucion të vendit.

Vetëm një gjë ende nuk dihet

A punon edhe RTK-ja falas për çlirimtarët e dëshmorët sikur ka punuar për 22 vjet Kosova e Lirë e punon edhe sot, apo paguhet nga ndonjë fond i veçantë?

Pavarësisht urrejtjes për Radion-Kosova e Lirë, pavarësisht zhvlerësimit që i ka bërë dhe i bën, na vjen mirë që ky medium,  të cilin e mbajnë mbi kurriz taksapaguesit e Kosovës, të paktën me disa minuta në ditë i përkujton çlirimtarët, transmeton ndonjë film dokumentar për dëshmorët e për masakrat serbe në Kosovë, por  dhe u përkujton shqiptarëve në Kosovë se dikush ka derdhur gjak e mund, dikush ka lënë gjymtyrët e trupit në zonat e luftës, derisa pjesa tjetër kishte fushuar nëpër kampet e refugjatëve në Maqedoni e në Shqipëri e nëpër vende të ndryshme të botës.

Nuk thuhet kot, më mirë vonë se kurrë, këtë por e bën edhe RTK-ja, e cila nga disa dashakeqës po kritikohet se është bërë si mos më keq,  se është bërë si Radio-Kosova e Lirë. Dhe ky atak vjen pikërisht në kohën dhe krizën nëpër të cilën po kalojnë çlirimtarët dhe shqiptarët përgjithësisht. Edhe kjo nuk është pak, andaj edhe e përgëzojmë dhe e mbështesim RTK-në që po i përkujton çlirimtarët, ata të cilët i kemi  kujtuar e përkujtuar qe 22 vjet.

Sintagma historike e simbolike, “Ju flet Kosova e Lirë” jehon edhe sot, në valën 94.2, FM por edhe në faqen zyrtare, në internet. Dëgjohet edhe sot mbase me zë të mekur, shpeshherë e penguar dhe e sulmuar, e injoruar nga disa qarqe mediatike, politike e shoqërore, por e papërkulur e pamposhtur, sepse atë e duan, e nderojnë dhe  dëgjojnë familjet e dëshmorëve, invalidëve të veteranëve dhe të shqiptarëve liridashës.

Radio-Kosova e Lirë gjithnjë ka folur për lirinë e Kosovës, liri të cilën në eterin e vendit  e kishte paralajmëruar gjashtë muaj para çlirimit. Ishte bombarduar nga ajri e nga toka nga forcat serbe, kishin rënë dëshmorë e martirë për ta mbrojtur zërin e vetëm të lirisë, në kohën kur në Kosovë nuk kishte asnjë medium tjetër, dhe kur mediet prestigjioze botërore sidomos gjatë muajve mars, prill maj qershor 1999, në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi bazat e armatës vrastare serbe të Millosheviqit,  ishin mbështetur vetëm në burimet informative të Radios dhe të Agjencisë Kosovapress, sepse nuk kishte asnjë gazetar të huaj, ndërsa gazetarët shqiptarë bashkë me stafet e tyre kishin ikur për në Maqedoni e në Shqipëri. Disa që nuk i kishte rrezikuar regjimi i Millosheviqit kishin ndenjur  në Prishtinë, si Veton Surroi me të vetët dhe nuk u kishte ndodhur asgjë e keqe.

Dikush mendon se ka ikur ajo kohë dhe koha nuk kthen kurrë prapa, por kthimi i RTK-së te çlirimtarët, nuk është vetëm një rast i veçantë, as rast  “sui generis”, sepse nuk dihet me çka mund të ballafaqohemi në të ardhëm, andaj kujtimi për të kaluarën nuk duhet harruar.

Tani na pret përballja vendimtare dhe përfundimtare me forcat e territ të një pjese të inkuizicionit evropian, në Hagë.

Vlerat e luftës do të mbrohen në Gjykatën e Hagës. Atje do të flitet për heroizmin, atje do të dëshmojnë çlirimtarët, por edhe mercenarët edhe argatët e spiunët e Serbisë, si dëshmitarë të mbrojtur e të pambrojtur.

Liria Kosovës kurrë nuk do të zhbëhet.

Pavarësia i ka rrënjët në gjakun e derdhur për liri dhe jo në mundin e atyre që ikën nga vendi dhe më pas u kthyen “fitimtarë e çlirimtarë”.

Pavarësia nuk i ka rrënjët në angazhimin dhe punën e përkushtuar të argatëve të Serbisë, as të atyre që kishin kërkuar  nga NATO-ja ndërprerjen e bombardimeve, as atyre që e “bombardonin” me sharje  Serbinë,  nga shtetet e Evropës ku jetonin me të gjitha të mirat.

Themelet e pavarësisë së Kosovës i ka vënë legjendari i UÇK-së, Adem Jashari me familjen e tij dhe Jasharët  me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998,  ato themele i ka vënë gjaku i 2400 dëshmorëve, i rreth 13.ooo martirëve dhe të masakruarve shqiptarë nga regjimi kriminal i Serbisë, i ka vënë kreu i luftës, që kishte organizuar, dhe realizuar me sukses  luftën e UÇK-së, duke marrë edhe përkrahjen e forcës më të madhe ushtarake të botës, sikur ishte NATO-ja, veçmas Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  ( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …