leoni

Xhavit Hoxha

Sabri Simnica: Veprimtaria atdhetare e Xhavit Hoxhës (18.10.1952 – 20.11.2007)

“Ne që jemi dergj burgjeve dhe hetuesive, të rrahur dhe të fyer në mënyrën më çnjerëzore, ne që nuk na lanë ta vuajmë dënimin me burg as në Kosovë, ne që me dhunë u detyruam ta braktisim atdheun dhe u degdisëm meridianëve në internim të përjetshëm nuk i ramë në qafë Kosovës për asgjë personale. Ne, në parim, iu përmbajtëm urtisë së Xhon Kenedit. Dhe kemi mbetur të njëjtit idealistë me gatishmërinë që deri në vdekje të punojmë dhe të flijohemi për lirinë, për gjuhën, për flamurin, dhe për bashkimin e kombit në një shtet. Kosovën as e kemi gënjyer, as e kemi vjedhur ndonjëherë. Prandaj as kërkojmë shpërblime prej saj. Kemi vetëm një lutje: Zot dhe Popull, na pranoni ashtu sikur na keni lindur, ashtu sikur na keni mësuar, ashtu sikur na keni edukuar”. Xhavit Hoxha

Xhavit Hoxha është një nga veprimtarët e orëve të para të Lëvizjes çlirimtare të Kosovës. Anëtar i organizatës Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në ish Jugosllavi, ish i burgosur politik, pishtar i arsimit në atdhe dhe në diasporë, pinjoll i derës Hoxha, e quajtur ndryshe Oda e Junikut, e njohur për atdhetarizëm, për pleqëri të drejtë dhe për tradita luftarake, vëlla i Heroi  të  Kosovës, gjeneralmajorit Edmond Hoxhës.

Ai u lind në Junik më 18. 10. 1952. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme, Normalen “Hysni Zajmi”, në Gjakovë. Në vitin 1976, në afat rekord, i përfundon studimet për Gjeografi në Fakultetin e shkencave matematikore-natyrore të Universitetit të Kosovës. Nga viti 1976 e deri në vitin 1981, si profesor i gjeografisë, punon në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë.

Atdhetari i devotshëm, Xhavit Hoxha ishte veprimtar i palodhshëm i çështjes kombëtare, profesor i nderuar, ish i burgosur politik dhe i angazhuar në periudha të hershme, themelues i celulave të para në rrethin e vet për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare. Ai së bashku me trimat e orëve të para të lirisë, me sakrificat dhe përpjekjet personale, bënë që të zbardhë faqja e atdheut tonë të zhuritur nga flakët e lirisë. Në oxhakun e familjes Hoxha, nga babë Hysniu e nënë Nuria, në fshatin Junik, zunë e rritën shtat luftëtarët e lirisë, bijë të denjë të atdheut, njëri i pushkës dhe tjetri i penës – vëllezërit Xhavit dhe Edmond Hoxha të cilët në tabanin e historisë sonë më të re kombëtare, lanë veprat e tyre madhështore. I brumosur me guxim intelektuali, i gatshëm që në çdo kohë të vepronte në bashkëveprim me të gjitha shtresat që për synim kishin çlirimin e atdheut nga falanga serbe, Xhaviti bënte pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në ish Jugosllavi. Ishte anëtar aktiv i grupeve ilegale të asaj kohe që vepronin edhe në Deçan si: “ Komiteti i Deçanit”, në kuadër të lëvizjes se udhëhequr nga atdhetari i devotshëm, Jusuf Gërvalla. Si anëtar  i  Komitetit të njohur të Deçanit, i cili filloi të shtrihej në të gjithë Kosovën, por edhe jashtë saj. Futet në rrugën e hapur nga Adem Demaçi dhe Jusuf Gërvalla dhe bëhet pjesë e organizimeve të tyre. Janë një forcë shokësh , të cilët, ndryshe nga sa shpifej në Beograd, se ishte ngritur harbutëria, ishin të shkolluar, profesorë të nderuar, njerëz që do të bënin emër në krahinën e tyre dhe në Kosovë, përmes ideve që kishin dhe forcën e karakterit. Demonstratat e vitit ’81 organizatën, Komitetin e Deçanit, e gjetën të lidhur edhe me komitetet në formim, si ai:i Drenicës, Gjakovës, Mitrovicës, Llapit, Gjilanit, Shkupit, Shtutgardit dhe Stambollit.

Menjëherë pas demonstratave të vitit 1981 do të ndodhë edhe goditja e Komitetit të Deçanit. Xhavit Hoxha do të arrestohej me 10 maj të vitit 1981. Forca të mëdha të milicisë, të rezervistëve të shumtë dhe të udbashëve të ardhur nga SPB-ja e Pejës, kishin rrethuar shtëpinë  dhe mbarë Junikun. Fillimisht, e dërguan në Burgun e Pejës. Hetimet kundër Organizatës  u zhvilluan nga organet e udëbes së Pejës. Hetuesit ishin shqiptarë, serbë dhe malazezë nga Peja, Prishtina dhe Beogradi. Hetuesit silleshin si bisha të çmendura. Por për dajak, mjerisht, ishin vendorët, shqipfolësit. Xhavit Hoxha u dënua me katër vjet burg dhe dënimin e mbajti në burgjet namzeza në Leskovc dhe në Nish.

Me burgosjen e Xhavit Hoxhës, fillon edhe një herë, për Kullën e Junikut, një kohë e vështirë, luftë për mbijetesë, luftë për të mbajtur gjallimin, fillojnë ditë kur torturat e tmerrshme të burgjeve serbe bashkohen edhe me lëçitjen e familjes nga pushteti i kohës dhe zagarët e tij. Ishte një burgim i rëndë, plot mllef dhe veprime shtazarake, prej të cilit ishte e vështirë të dilje gjallë. Pasojat e atij burgimi i hoqën edhe pas shumë viteve. Pas daljes nga burgu ballafaqohet me provokime të njëpasnjëshme dhe me përcjellje të vazhdueshme nga ana e UDB-esë. Për t’i ikur arrestimit të serishëm në vitin 1989 emigron në Zvicër. Ashtu si në atdhe, edhe në Zvicër, Xhavit Hoxha nuk kërkon komoditet, por gjendet në krye të shumë veprimtarive të rëndësishme atdhetare. Në radhë të parë, për dhjetë vjet rresht, pa asnjë kompensim material, ushtron detyrën e pedagogut në arsimin plotësues me nxënësit shqiptarë të rrethit të Winterthurës. Pastaj, për pesë vjet me radhë, vepron si kryetar i Bashkimit të Sindikatave në Zvicër, ku, si lidhje mes Sindikatave vendase dhe atyre në atdhe, grumbullon ndihma të mëdha për Kosovën. Veprimtarinë politike një kohë të gjatë e zhvillon si anëtar i këshillit drejtues të LPK-së, dega jashtë vendit. Edhe pse pa pasaportë, Xhavit Hoxha gjen mënyra për kalimin e kufijve dhe merr pjesë në të gjitha demonstratat jashtë Zvicre, si në Austri, Gjermani, Belgjikë e deri në shtetet Skandinave. Një ndihmë të jashtëzakonshme Xhaviti e dha edhe për nxjerrjen nga atdheu të veprimtarëve të rrezikuar si dhe të ushtarëve që e braktisnin frontin e luftës nga hapësirat jugosllave. Por kontributi më i rëndësishëm i Xhavit Hoxhës i dedikohet UÇK-së, qoftë si njëri ndër themeluesit e Fondit “Vendlindja thërret” e qoftë si njëri ndër veprimtarët më të suksesshëm të logjistikës së luftës së UÇK-së. Shtëpia e tij në Durrës do të bëhet njëra ndër bazat më të rëndësishme të logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të ishte vendi nga ku do të merrnin rrugë shumë punë të mbara dhe në të mirë të Kosovës.

Në asnjë moment Xhavitit, ashtu si Edmondit e gjithë familjarëve të tjerë, nuk u mungoi trimëria për të qenë në krye të detyrës, atje ku atdheu kishte nevojë më së shumti për punën, përpjekjet, sakrificat, luftën dhe jetën e tij. Në zbatimin e çdo detyre që mori në interes të atdheut, ai në çdo rast e përçmoi vdekjen duke vënë mbi gjithçka interesat e atdheut e të kombit. Ai veproi e luftoi me guximin e një atdhetari, patrioti e luftëtari të madh të çështjes shqiptare, i papërkulur për të arritur të shihte të realizuar atë vepër të madhe të kombit, siç ishte çlirimi i Kosovës nga pushtimi serbosllav.

Atdhetari Xhavit Hoxha kishte qëndrim parimor dhe korrekt në raport shoqëror në nivele të ndryshme, ishte shumë njerëzor me miqtë dhe dashamirët e çështjes kombëtare, ndërsa me kundërshtarët e çështjes kombëtare apo thënë troç me hyzmeqarët e shërbimeve të huaja ishte shumë konkret i drejtpërdrejt e i pa kompromis. Gjithmonë, dhe gjithkund, prezenca dhe fjala e tij krijonte atmosferë mirëkuptimi vllaznor e korrektësi, në frymën e mobilizimit të gjitha forcave kombëtare pavarësisht përcaktimet e tyre politike e ideologjike. Apelonte vazhdimisht te të gjithë shqiptarët të jenë unik e të bashkuar rreth forcave reale kombëtare, që me pendë e pushkë janë në shërbim të atdheut.

Jeta dhe veprat e Xhavit Hoxhës janë të pavdekshme. Jeta e tij, si jeta e dëshmorëve të atdheut, ashtu edhe të gjithë ish-veprimtarëve e luftëtarëve të tjerë, do të mbeten përjetë pishtarë qe do t’u ndriçojnë rrugën brezave të sotëm dhe të ardhshëm të Kosovës e gjithë kombit e trojeve shqiptare për vepra më të mëdha e të devotshme për rritjen e atdheut e të kombit. Më 16 shkurt 2013, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në një ceremoni të veçantë, i dorëzoi dekoratën me “Urdhrin e Pavarësisë” “Urdhri i Pavarësisë” u jepet personave për kontributin e tyre për pavarësinë e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Afrim Vehbi Kalanica (18.1.1980 - 7.5.2001)

Afrim Vehbi Kalanica (18.1.1980 – 7.5.2001)

Afrim Kalanica, u lind më 18 janar të vitit 1980, në fshatin Jezerc të komunës …