Në këtë datë, 1988, u përballë UÇK me forcat armike në Dukagjin, pikërisht në Gllogjan e Prilep! Efekti i parë i kësaj përballjeje u përhap; lufta u zgjerua nga Drenica në Dukagjin, pra nga Prekazi në Gllogjan. Këtë betejë e fituan luftëtarët e UÇK-së me Komandant Ramush Haradinajn.
Si ndodhi rastësisht apo simbolikisht, një ngjarje historike në të njëjtën datë, 24 mars 1999:
24 MARS 1999 – FILLUAN GRANATIMET E NATO-S MBI FORCAT SERBE.
Kush dhe si bëri që të angazhohet NATO në një operacion luftarak kundër një lufte të brendshme në një shtet! Kjo ishte hera e parë që nga krijimi i NATO-s, e cila ishte në 50-vjetorin e aleancës. Kjo aleancë për herë të parë zbatoi statutin e saj, i cili e ngarkon:
- se duhet intervenuar në rastet kur kryhet dëbim, pastrim etnik apo gjenocid mbi një popull të pambrojtur.
Kjo klauzolë ekziston edhe në Konventën e Gjenevës të vitit 1949, në paragrafin e dyt, ku thuhet: Një popull ka të drejtë të mbrohet kur i kanoset rrezikimi i dëbimit ose i shfarosjes.
Gjë që UÇK dhe NATO e përdorën këtë klauzolë për të luftuar dhe mbrojtur popullin shqiptar të Kosovës nga dëbimi dhe shfarosja!
Si u bë ky koordinim mes UÇK-së dhe NATO-s, si u bë kjo aleancë, kush dha kontribut më së shumti dhe si?
Nëse flasim edhe para vitit 1997, UÇK i kishte përfaqësuesit diplomatik të angazhuar shumë në shtetet perëndimore, edhe në Amerikë! Ishte ky fakt që determinon të fuqizohej kjo aleancë me siguri, por a ishte ky fakt që krijoi dhe lidhi aleancën vetëm? Jo; ky fakt ishte përbërës i efektshëm i përbashkët me Shtetin Shqiptar!
Shteti Shqiptar i kishte marrë hapat nga viti 1988, kur akoma ishte monizëm dhe kryetar ishte Ramiz Alia. Kjo aleancë fillimisht u bë me Anglinë, duke u pajtuar për të mos vazhduar gjyqin për çështjen e arit, që kërkohej nga pala Shqiptare, si dhe nëndetëset e shkatërruara të Anglisë në fund të luftës anti-fashiste; këto anije u shkatërruan në Adriatik, në afërsi të bregdetit të Shqipërisë në jug. Duke tentuar të ankorohen apo të zbarkonin pranë brigjeve shqiptare.
Ky pajtim për të mos vazhduar me gjykatën e arbitrazhit ishte kushti anglez për të krijuar aleancën.
Pas këtij pajtimi, Shqipëria me Anglin krijoi aleancë dy-palëshe! Me ndikimin e Anglisë dhe përpjekjeve të shtetit Shqiptar, u bë aleat edhe me SHBA. SHBA kërkoi ta plotësojë këtë kusht: Shqipëria të nënshkruante në Helsinki dokumentin që nuk ishte pranuar as nënshkruar nga pala Shqiptare që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në këtë dokument shkruante se me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, duhet të mbeteshin kufijtë e dalë nga lufta pa ndryshuar, po ashtu në të njëjtin dokument duhej të pranohej: respektimi i të drejtave të njeriut! Gjë që Shqipëria e Enver Hoxhës nuk e kishte nënshkruar kurrë deri atëherë; jo për të drejtat e njeriut, por e kishte kuptuar drejt se me të vetmin nënshkrim në dokumentin e njësuar, do të pranojeshin dhe mbeteshin trojet shqiptare jashtë Shqipërisë.
Pra, ky kusht doli nga SHBA për të lidhur aleancën me Shqipërinë dhe për të garantuar se do ta ndihmonin që të çlirohej Kosova, si edhe aleatët do të rreshtoheshin përkrah UÇK-së! Ky kusht u pranuar nga Shqipëria duke e nënshkruar dokumentin më lart të shënuar, nga kryetari i Shqipërisë, Ramiz Alia, në vitin 1991.
Pas këtij nënshkrimi, i bëhet pritje solemne madhështore Ramiz Alisë në OKB, ku mbajti fjalimin historik!
Në krejt këto përpjekje e marrëveshje, LPK-n e përfaqësonte Xhavit Haliti, i cili kishte nën udhëheqje një ekip diplomatik të shkëlqyer: Jashar Salihu, Bardhyl Mehmuti, Ramadan Avdiu, Sabri Kiqmari e të tjerë, që shkëlqyeshëm përfaqësonin dhe paraqitnin qëllimet dhe strategjinë e UÇK-së si dhe luftën për çlirim nga robëria jugosllave. Po ashtu, edhe të drejtën e shkëputjes si republikat e tjera të Jugosllavisë, të gjithë duke u thirrur në Konventën e Gjenevës dhe të drejtën për vetëvendosjen e popujve.
Xhaviti, që më vonë ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, bashkëpunoi ngushtë me qeverinë e Shqipërisë dhe me strukturat e shtetit Shqiptar dhe ato ndërkombëtare, sidomos me aleatët; pra ishte një katalizator dhe ndërlidhës kryesor Shqipëri-UÇK, Shqipëri-Aleat dhe Aleat-UÇK!
Mirëpo Shqipërisë i ndodhi lufta civile e shkaktuar nga Kolona e Pestë me Berishën në krye. Aleatët, duke parë këtë dobësim të shtetit Shqiptar dhe të forcave ushtarake të saj, si dhe shkatërrimet e industrisë së armatimit dhe armëve të luftës bashkë me strukturat e ushtrisë shqiptare.
Gjatë kontakteve në verën e vitit 1998, me aleancën e NATO-s u shtrohet kjo pyetje Presidentit Mejdani, Kryeministrit Pandeli Majko dhe Shefit të Ushtrisë Shqiptare Aleks Andonin:
“Si do ta bëni ju me luftën në Kosovë nëse nuk do t’ju ndihmojë askush?”
Këta iu përgjigjën: “Ne nuk mund të rrimë me duar kryq duke i parë vëllezërit tanë duke u shfarosur nga falanga serbo-sllave; ne futemi në luftë pa marrë parasysh çmimin e saj, nuk i lëmë të vetmuar popullin tonë në Kosovë!”
Atëherë tregoni gatishmërinë tuaj me çka dhe si mundeni të veproni! Këta iu përgjigjën para NATO-s dhe nënshkruan për gatishmërinë e Shqipërisë se do të luftojnë për Kosovën: presidenti, kryeministri dhe shefi i ushtrisë.
Këtë e dëshmuan me mobilizimin e përgjithshëm të ushtrisë shqiptare drejt veriut me shumë mjete të motorizuara dhe shumë gryka zjarri, duke filluar nga brigada e Tiranës, njësitë speciale, garda e shumë brigada, si dhe divizioni i Kukësit, që ishte nën komandën e Komandant Kudusi Lama.
Duke i bërë bashkë të gjitha forcat në Veri, kryesisht të koncentruar në Kukës, Krumë dhe Tropojë në Helshan, filluan manovrat. Ky operacion u quajt:
- PROVA E MADHE
Kjo u organizua në teren rreth kufirit të atëhershëm jugosllav; kjo ndodhi në gjysmën e dytë të muajit gusht 1998.
Kur aleatët panë këtë gatishmëri, e filmuan nga sateliti dhe e përdorën si provë në Këshillin e Sigurimit, gjë që e arsyetuan më vonë ndërhyrjen e NATO-s, duke e justifikuar se futja e Shqipërisë në luftë do të shkaktonte luftë zinxhirë ballkanike dhe lufta do të dilte jashtë kontrollit.
Me këtë alibi dhe me respektimin e statutit të vet NATO-s dhe me respektimin e Konventës së Gjenevës për të drejtën e mbrojtjes së një populli nga dëbimi dhe shfarosja, NATO, sidomos Anglia dhe SHBA, ishin të gatshme të ndërhynin me luftë në Jugosllavi për të shpëtuar popullin e Kosovës!
Rasti i masakrës së Reçakut, ku u shpreh nga William Walker më 15 janar 1999 se këtu bëhet krim kundër njerëzimit, e fuqizoi dhe ndikoi në mobilizimin e NATO-s për ndërhyrje!
Kështu, pas nënshkrimit të disa kushteve të vendosura nga ndërkombëtarët në konferencën ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje të Francës, ku delegacioni i Kosovës në krye me përfaqësuesin e UÇK-së Hashim Thaçi, pranuan dhe nënshkruan marrëveshjen e ofruar në Rambuje, që kishte filluar më 09 mars 1999 dhe u nënshkrua pastaj në Paris.
Fillojnë granatimet e NATO-s. Më datën 24 mars, ora 16:00 pasdite, mora edhe katër luftëtarë nga Shtabi i ZOP në Nishor, dolëm në rrafshnaltën e Gollushës dhe prisnim kur do të fillonte granatimi, që unë isha i njoftuar më parë për të gjitha që shkrova më lart. Donim që t’i shohim raketat e para; rreth orës 17:45 minuta fluturoi mbi Gollush raketa e parë e NATO-s në drejtim të Prishtinës mbi forcat serbo-sllave.
Përjetuam emocione të jashtëzakonshme, gëzim se po vinte fundi i një të keqeje që dukej pa fund; i vinte fundi i robërisë.
Ne, UÇK, bashkëpunuam me dhënien e koordinatave NATO-s. Por isha i shqetësuar se forcat serbe kontrollonin qytetet dhe popullata ishte në dorën e tyre; kur do të tërboheshin ata nga goditjet e NATO-s, do të hakmerreshin ndaj popullit të pambrojtur, siç ndodhi me masakrat e shumta. Disa nga masakrat serbët u përpoqën ta fajësonin NATO-n, si Reçaku, Suhareka, Krusha e Madhe, Krusha e Vogël, ajo në Gjakovë dhe më e rëndësishmja, Burgu i Dubravës.
Për 78 ditë me radhë, u desh që të garantoheshin forcat e ushtrisë serbe në Serbi, deri më 9 qershor 1999, kur nënshkruan kapitullimin në Kumanovë. Serbia, apo si quhej mini-Jugosllavia me Malin e Zi bashkë, nënshkroi; Shefi i Ushtrisë, Gjenerali Ojdaniq dhe Nebojsha Pavkoviq, Shefi i forcave jugore me qendër në Nish.
Këta dy e morën aktin e kapitullimit dhe ia dërguan nga Kumanova në Beograd Millosheviqit, i cili me pak korrigjim e nënshkroi si marrëveshje teknike ushtarake me NATO-n më 9 qershor.
Tërheqja e forcave dhe i gjithë aparati shtetëror i Serbisë filloi më 12 qershor dhe përfundoi më 20 qershor. Në Kosovë hyn KFOR-i, i cili na gjeti në qytetet e Kosovës, neve UÇK-n. Kjo datë duhet të vendoset në Kushtetutën e Kosovës – dita e çlirimit!
24 mars 2026
Sadik Halitjaha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
