Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: KUSHTETUTA – UDHËRRËFYESE APO PLAGË E PASHËRUESHME E KOSOVËS

Aktorët e përpilimit të kësaj Kushtetute si nuk ndiejnë përgjegjësi që e bënë jo funksional Shtetin e Kosovës me këtë Kushtetutë?

Dua t’i shpalos vetëm ato paragrafe bllokuese të zhvillimit normal të shtetit:

  1. Shtetin e Kosovës e emërtuan shtet multietnik, duke qenë 92% shqiptar.
    (Do të thoni shtet i qytetarëve me shumë etni?)

  2. Kjo Kushtetutë e Kosovës nuk e garanton të drejtën e referendumit.

  3. Minoritetit serb në Kosovë, që është më pak se 5%, i sigurohen 10 vende të rezervuara në Parlament.

  4. Pa dy të tretat (2/3) e përfaqësuesve serbë nuk mund të merret asnjë vendim madhor për Kosovën, si dhe as ndryshim i Kushtetutës.

Lista Serbe ka të drejta zgjedhore, edhe pse nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Duhet t’i gëzohemi faktit se Lista Serbe doli në skenë pas përpilimit të Kushtetutës; përndryshe, ata që e përpiluan Kushtetutën do ta bënin element konstituiv.

Si u futën pasuritë e kishave ortodokse shqiptare e bizantine dhe u emëruan si kisha ortodokse serbe, si dhe vendet rreth tyre si eksteritorialitete të garantuara për Serbinë?

Veshja me privilegje dhe kompetenca e minoritetit serb, duke e veçuar me të drejta nga minoritetet e tjera! Ky minoritet luan me fatin e Kosovës sipas dirigjimeve nga Beogradi.

Lista, nëse nuk do ta propozojë nënkryetarin e Parlamentit sipas Kushtetutës që ia ka garantuar, nuk bën të vijë nga partitë e tjera, por vetëm nga Lista Serbe.

Doli jokushtetuese zgjedhja e Rashiqit.

E kuptoj drejt interpretimin e Kushtetueses, por si është lënë në vullnetin e tyre pa fund dhe si nuk janë saktësuar limitet kohore?

Nëse nuk do herën e parë, duhej të provohej në të dytën, duke ua lëshuar radhën të tjerëve.

Duhet parë sa i kushtoi Kosovës i gjithë ngërçi i vitit të kaluar — plot një vit — krejt për shkak se Kushtetuta është e gjymtë.

Si është e mundur të mos i ketë të përcaktuara mundësitë dalëse? Pse të mos kemi Kushtetutë funksionale që ta kemi Kosovën funksionale?

Pse nuk u përpilua një Kushtetutë sipas shembullit belg, grek apo bullgar, apo të ndonjë shteti tjetër evropian funksional?

Pse të bllokohen institucionet? Pse të vijë shteti deri në bllokim?

Kushtetuesja e bën interpretimin ashtu siç është e shkruar. S’kam vërejtje në interpretim, sepse ajo gjykatë nxjerr nga “thesi” atë që ka. Por pse nuk janë paraparë zgjidhjet me kohë, me paragrafe të qarta e të sakta, që ofrojnë zgjidhje dhe jo vetëm interpretim?

Shkeljet kushtetuese janë bërë modë e dëshirave, sidomos të qeveritarëve dhe parlamentarëve — pikërisht ata që duhet ta mbrojnë, e shkelin me dy këmbë.

Ne na mbetet të lutemi te Zoti apo te djalli që Lista Serbe të mos e bllokojë Kosovën këtë herë, sepse asgjë nuk do të zgjidhet.

As me zgjedhje nuk ka zgjidhje, pikërisht për shkak të mungesës së saktësisë dalëse (zgjidhjeve) nga Gjykata Kushtetuese. Kushtetuesja vetëm interpreton, nuk penalizon dhe nuk drejton apo ekzekuton zgjidhjet e caktuara.

Megjithëse nxori një masë të përkohshme për Parlamentin që nuk mund të konstituohej për 30 ditë — kjo ishte masë, nuk ishte interpretim?!

Kjo Kushtetutë, me nen të veçantë, ndalon bashkimin e Kosovës me ndonjë shtet tjetër.

Mendoj se nuk duhet të frikësohemi se mos bashkohet Kosova me Shqipërinë — pse ta ndalojë Kushtetuta?

Si ka mundësi që kjo Kushtetutë ia ka hequr mundësinë e ndryshimit vetvetes? Pasojat e pengesave të kësaj Kushtetute, me pamundësi ndryshimi, e gjymtojnë shtetin e Kosovës.

Do të thoni se me 81 vota ndryshohet, si dhe me 2/3 e Listës Serbe (apo pakicës serbe). Me çka binden këta — me karrotë apo me shkop?

Kanë filluar ethet e popullit që ky ngërç do të vazhdojë dhe duket si një e keqe pa fund.

Këta nuk duan, sikur që nuk e njohin fare shtetin tonë, ndërsa ata i mbron Kushtetuta.

Na mbetet të urojmë dhe të lutemi që njëra parti të fitojë 80% të votave dhe të jetë me vullnet të mirë ta ndryshojë këtë Kushtetutë të gjymtë.

Ligjet dhe kupola e ligjeve — Kushtetuta — duhet ta bëjnë funksional shtetin ligjor, që të mund të zgjidhen problemet dhe sfidat e shtetit dhe të popullit të Kosovës. Përndryshe, nuk na duhen ligje dhe Kushtetutë që bllokojnë dhe dëmtojnë zgjidhjen e sfidave.

06-02-2026
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Heronjtë e heshtur

Në lamtumirat e trishtuara të kohërave të sotme, kujdestarët e ligësisë, fshehur pas hijeve paskan …