SALI ONUZI: Luma e Kuqe e martirizuar, në tetor të vitit 1913

Në Shpalljen e Pavarësisë me 28 nëntor 1912 aty ishte shpirtërisht edhe Luma,vecse lumnjanët ishin në luftë dhe ata nuk e lanë pozicionin e tyre luftarak që u kishte caktuar Historia. Që në tetor 1912, me nisjen e Luftës së Parë ballkanike, Luma ishte  përballë e në luftë më pushtuesit serbë. 1000 lumjanë dhe vullnetarë të Malësisë së Gjakovës  mbajtën 4 ditë forcat serbe në Qafën e Duhlës. Në nëntor  frika nga Luma bllokoi divizionet  e armatës së tretë serbe në Prizren, duke i dhënë kohë Ismail bej Qemalit që të zbriste në Durrësin ende të pa pushtuar nga forcat serbe dhe të nisej për Vlorë( e bllokuar nga deti prej anijeve greke) për të ngritur Flamurin dhe shpallur Pavarësinë.

Nga 9-18 nëntor , ( raport nga Prizreni i konsullit austro-hungarez Prochaska ), lumjanët po  zhvillonin një luftë të ashpër e të përgjakshme që u   kushtoi serbeve humbje të mëdha dhe i detyroi të thërrasin  për ndihmë të gjitha forcat e tyre ( Shqipëria në dokumentet Austro-hungareze .1912 .Vellimi VI, Tiranë 2012,f342) .Luma do te ndeshej përsëri në fund të nëntorit e fillim të dhjetorit 1912 me divizionin serb të riorganizuar e armatosur  posaçërisht  për në Lumë që bëri vrasje e djegëje masive. Popullsia  mori malet në një dimër të ashpër.

Edhe pas shpalljes së Shqipërisë së Pavarur, trupat serbe nuk u   larguan nga Luma, ata  u vendosën  në të ashtuquajturën “zonë  strategjike”, që përfshinte  gjithë zonën e krahut të djathtë të Drinit, në VL të Shqipërisë e më shumë. Pushtimi i egër serb  u shoqërua me  masa barbare . Ushtria sërbe mbylli rrugët jetike të   Malësisë  për në  në tregjet e saj tradicionane në Gjakovë, Prizren dhe Dibër. Të gjitha burimet  e jetës u prenë.Popullësia   vuante nga  uria. Gjenerali Filips, komandant i Europës  në Shkodër njoftonte se në Malësite e Gashit  vdisnin nga uria 20 veta në ditë, viktima të sërbëve.( Xheladin Shala “ Pushtimi i Kosovës “ f.232)

Me 29 korrik 1913 Fuqitë e Mëdha njohën Statusin e Shqipërisë së Pavarur, por ky vendim  e përforconte ndarjen kufitare me gjysmën tjetër të Shqipërisë së përtej Drinit që mbetej nën robëri. Situata tepër e rëndë  bën që në fund të gushtit 1913, tre përfaqësues të Shqipërisë Veri Lindore , Elez Isufi i Dibrës, Ramadan Zaskoci i Lumës dhe  Rexhep Bajraktari   i Hasit të zbresin në Vlorë për të biseduar me Kryetarin e Qeverisë shqiptare Ismail bej Vlorën . Përfaqësimi i Lumës  para Qeverise kombëtare  me një burrë të rrallë  dhe figurë të lartë si  Ramadan Zaskoci, është  dinjitoz, ashtu si    dhe vlerësimi i tij si “përfaqësues “i krahinës nga popullsia e saj  dhe nga Qeveria e Vlorës, e cila duket se  ishte organizatore e takimit në fjalë.

Në fillim të shtatorit situata tepër e ngarkuar shpërthen në  një kryengritje  të rrufeshme. Janë dibranët të parët  që përparojnë dhe çlirojnë qytetet e Dibrës,të Gostivarit, Tetovës, të Strugës  e të Ohrit. Ndërkohë fillon kryengritja edhe në Lumë, me një sulm në dy krahë , në pjesën lindore dhe atë perëndimore të Gjallicës. Ushtria serbe mbyllet në Prizren e Gjakovë. Ky ishte një shpërthim i madh i zemërimit popullor, një goditje jo vetëm kundër pushtuesve serbë por edhe një shuplakë e fortë kundër qëndrimeve antishqiptare të Evropës së vjetër.

 Për të shtypur  kryengritjen  Serbia , nën hundën e fuqive të mëdha  të Evropës sjell forca të shumta ushtarake dhe ripushton Lumën, Dibrën dhe gjithë Shqipërinë verilindore. Pushtimi shoqërohet me vrasje masive dhe djegie të shtëpive dhe të fshatrave. Ne Lumë digjen 28 fshatra dhe vriten 1718 veta fëmijë, gra dhe burra.( të dhëna  operative , të pjesshme, të siguruara  nga Sotir Kolea prej një zyrtari europian që punonte në Shqipëri dhe botuar nga  “ Corriere delle Puglie, nr 354, datë 21 dhjetor 2013 e ribotuar në atë austro-hungharez, gjerman, francez ,dhe shqiptar të kohës.)  Martirizimi shkon ne qiell, gjaku skuq përrenjtë dhe lumenjtë e krahinës. Jo me kot populli e ka thirrë “Luma e Kuqe”; e kuqe ,pse ka shkuar gjaku rrëke. Kësaj periudhe i takojnë fjalët tronditëse që shkroi gazeta britanike “ The Daily Telegraph: “ Egërsia me të cilën vepruan trupat e gjeneral Jankoviqit i tejkaluan gjithë tmerret e historisë ”.  Një oficer serb shkruante ato ditë fjalët tragjike  të genocidit : ” Luma nuk ekziston më .“

Komisioni ndërkombëtar Carnegie sillte letrën e një ushtari sërb, pjesëmarrës në këto krime, i cili shkruante se ishte e tmerrshme të ishe këtu dhe pyeste se si njerëzit mund të ishin kaq të ashpër sa të kryenin të tilla mizori dhe se  në  Lumë nuk ka veçse kufoma, pluhur e hi. Këtu në  fshatra me nga 100,150, 200 shtëpi nuk ka as një njeri, me të vërtetë asnjë. I mblidhnim në grumbuj nga 40-50 dhe i shponim me bajonetë deri tek i fundit. Kemi plaçkitur në të gjitha vendet. Oficeri u thoshte ushtarëve që të shkonin në Prizren dhe të shisnin sendet që kishin vjedhur.

 “Masakër serbe” dhe “Martirizim shqiptar” e ka quajtur shtypi përparimtar i kohës. Në  Luftën e Parë dhe  në Luftën e Dyte Botërore”, mes dhe pas tyre, kanë ndodhur në Botë masakra të tjera. Masakra e Armistarit ne Indi, ku në vitin  1919  janë vrarë  379-1000 indianë dhe ajo e vitit 1924 kundër 200, mijë indigjenëve në Argjentinë përmenden jo vetëm në internet por edhe në tekstet shkollore të historisë. Në Botë ka një organizatë të njohur e shumë të respektuar , ajo e Vendeve Martire. Në vitet e demokracisë nga Shqipëria  kanë fituar statusin e vendit martir Peza, Kuçi i Vlorës dhe Borova. Nuk ka diskutim se me  dokumentet që vërtetojnë martirizimin e padiskutueshëm të Lumës e në veëanti të Topojanit, të Përbregut, të Brekijes, të Kalisit etj do ta  fitojnë edhe këto statusin e nderuar të vendit martir. A nuk ka shkruar e botuar Naim Manaj “ Jehonën e Topojanit” një libër betseller që i kushtohet këtij martirizimi ? Po ashtu kohët e fundit ka botuar një libër  fort  të dokumentuar për këto barbarizma profesor Shefqet Hoxha. Ky martirizim nuk mund të harrohet me terma si dikur “ gjakderdhje shqiptaro-serbe”, se gjaku i viktimës nuk mund të bëhet ujë me atë të kriminelit. Hilja për t’i shpëtuar përgjegjësisë së historisë, “ mallkimit të historisë” sikur do të kish thënë Hasan Prishtina,  i  bën disa edhe në ditët tona të propozojnë  për të ngritur një përmendore të përbashkët,(!) shqiptaro-sërbe , për viktimat e luftës së fundit . Kjo natyrisht nuk ka për të ndodhur sa kohë shqiptarët të respektojnë gjakun  e tyre të derdhur .

Pas ankesës së Qeverisë kombëtare të Vlorës, perandoria Austro-Hungareze i paraqiti më 18 tetor mbretërisë serbe një ultimatum me kërkesë për të tërhequr forcat nga Shqipëria brenda 8 ditësh. Me 25 tetor Beogradi u përgjigj me shkrim se forcat e saj ishin tërhequr. Nga fundi i tetorit- në fund të  nëntorit 1913 ,Luma përpiqej të mbyllte plagët e rënda, krerët e saj  merren me organizimin e vendit , të krahinës, mblidhen në Radomirë dhe lidhin besë për të likuiduar hakmarrjen dhe zbatuar Kanunin e tyre. Luma tashmë  është pjesë e Shqipërisë së njohur në Londër dhe ajo i ka vendosur që në gusht 1913 lidhjet konkrete  me Qeverinë Kombëtare të Vlorës ,me të cilën janë diskutuar edhe “ masat që duhen marrë për t’i sunduar ato vise pas mendimit të Qeverisë, domethënë pas interesit të Shqypniës marë”

 Për Lumën pas 25 tetorit 1913  ka filluar një kohë e re,ajo e lirisë. Dhe paria atdhetare e përparimtare e Lumës, duke shprehur frymën popullore, demokratike,kërkon shtetin e saj, lidhjet me shtetin shqiptar, kërkon të qeveriset nga përfaqësues të tij.Është më rëndësi historike fakti i shënuar  nga  nënkonsulli austro-hungarez ,Kohlruss, nga Prizreni  më datë 24 nëntor 1913  për ministrin e tij të jashtëm në Vjenë, Berthold, se një delegacion i parisë së Lumës  ka shkuar në Shkodër për të marrë më vehte guvernatorin e caktuar  prej qeverisë provizore të Vlorës për Lumën. Pra dy- tre ditë rrugë  dhe delegacioni i Lumës duhet të ketë qenë në Shkodër më 27 nëntor, po atë ditë që aty ka mbërritur edhe Hasan Prishtina. Ka fjalë ende të pakonfirmuara se Ai ka ardhur bashkë me këtë delegacion në  Lumë  në fillim të dhjetorit 1913 , ku është ngritur flamuri në Bicaj ( në shtëpinë e Et’hem Dostanit) dhe ku   është  përuruar qeverisja  vendore e saj. Një flamur me Hasan Prishtinën e meritonte Luma.

Më 25 tetor 1913  Luma po hynte në shtetin e ri shqiptar,por duke u ndarë nga Kosova.Kufiri ishte fatal për të, e ndante nga fusha e pasur e Kosovës ,ku Luma tregëtonte blegëtorinë, pyjet , prodhimet e artizanatit dhe siguronte prodhimet bujqësore ; e ndau nga qyteti, nga Prizreni, nga kultura, politika, tregëtia, nga traditat e tij te pasura dhe kjo do të ndjehej për 100 vjet e ndjehet ende dhe sot.Prizreni kishte qenë kryeqendra e Lumës që kur s’mbahej mend.Lumjanët ishin përfaqësuar aty denjësisht,mjafton të kujtojmë famëmadhen Lidhjen shqiptare të Prizrenit, ku lumjanët e nisën me të,  të parët dhe e mbyllën me të, në  fund , më 1885.

Por një shekull, ky kufi i rëndë nuk i ndau dot  shpirtërisht lumjanët nga Kosova. Këtë tanimë e di gjithë Bota, e cila u habit me 1999, sa me eksodin biblik të kosovarëve, aq me pritjen vëllazërore të lumjanëve. Qyteti i Kukësit prêt të vlerësohet një ditë për atë që ka bërë .

Shekulli i XXI do të vinte me një fytyrë tjetër:me demokracinë e Shqipërisë e me pavarësinë e Kosovës .Po ende kufiri dhe dogana janë aty. Evropa ka më shumë se gjysmë shekulli që integrohet e bashkohet. Kjo nuk mund tu ndalohet shqiptarëve, të cilët nën flamurin e Evropës do ta bëjnë një ditë këtë kufi të padukshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …