Selver Bajram Maçkaj (4.1.1967 - 31.5.1999)

Selver Bajram Maçkaj (4.1.1967 – 31.5.1999)

Bajram dhe Selvishah Maçkaj rritën dy bijë dhe dy bija. Selverin, dëshmor i kombit, Enverin, bijën Besirën si dhe Fazilen, e lindur me të meta mendore të cilën serbët e masakruan më 26 maj 1999 në Lagjen “Tusus” të Prizrenit.

Selver Maçkaj u lind në fshatin Lubiçevë të Malësisë së Vërrinit. më 4 janar të vitit 1967. Dy vitet e para të mësimit i mori në shkollën fillore “Mustafa Bakia” në Prizren.

Ndërkohë ka vazhduar mësimet dhe ka kryer tetëvjeçaren në shkollën “Fadil Hisari”. Ka kryer edhe mësimet e shkollës së mesme, në Qendrën Teknike “Gani Çavradbasha”, po në Prizren.

Pas kryerjes së shkollës së mesme ftohet në shërbim të dhunshëm ushtarak, të cilin e kryen në Beograd. në drejtimin teknik i ndërlidhjes ajrore.

Ka marrë pjesë aktive në demonstrata, të cilat u zhvilluan në Prizren dhe në shumë qytete të vendit tonë, me rastin e pezullimit të autonomisë së Kosovës, më 28 mars të vitit 1989.

Qysh nga fillimi i veteve ’90 fillon të kërkojë bashkëmendimtarë për të vepruar në drejtim të çlirimit të vendit nga okupatori serb. Asokohe bashkëveproi me veprimtarët e lëvizjes ilegale, Ruzhdi Saramati, Avdi Ibrahimi e të tjerë, në kuadër të Organizatës së Komitetit Kombëtar Shqiptar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare. Në aktivitetin e tij ilegal njihej me emrin si Besnik Prizreni.

Ndërkohë, Selveri largohet nga Kosova dhe shkon në Romë të Italise, me qëllim për të gjetur punë dhe për ta ndihmuar familjen. Edhe pse ishte në mërgim, ai kishte kontakt me bashkëveprimtarët. Përkrah kishte edhe mikun, Vahid Vezaj. Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri që shumë mërgimtarë nga Kosova të lënë punën, luksin dhe pasurinë në vendet e perëndimit dhe t’i bashkojnë armët me UÇK-së, me qëllim për ta çliruar vendin nga okupatori serb.

Ne mesin e atyre që iu përgjigjen kushtrimit të Atdheut dhe kërkesës për mobilizim të përgjithshëm nga SHP i UÇK-së ishte edhe Selver Maçkaj.

Duke qenë se kishte mbajtur kontakte ilegaliteti me bashkëveprimtarët e tij, të cilët tashmë vepronin në Brigadën 128 të Zonës Operative të Pashtikut, ai sistemohet në këtë brigadë të cilën e komandonte Ruzhdi Saramati. Në vërtetimin e lëshuar nga kjo Brigadë, më 12.7.1999 vërtetohet se Selver Maçkaj aktivitetin e tij luftarak e ka vazhduar në këtë Brigadë, me ç’rast ka kryer me sukses detyrat luftarake në kuadër të operacionit “Shigjeta” në Pashtrik. Gjatë kësaj kohe ai ka vepruar si oficer i ndëlidhjes.

Bashkëluftëtari i tij, Bedri Hoxha thotë se Selveri ishte një djalë guximtar dhe i pashoq, i cili la punën në Itali dhe vendosi t’i bashkohet UÇK-së. “Ishte aktivist qysh nga 25 dhjetori i vitit 1990, kur bëri betimin.

Më 17 prill 1999 Selveri me shumë shokë zbriti në Durrës, kaloi rrugën deri në Kukës dhe aty u vendos në Shtab, ku edhe mori uniformën me plot vullnet, të UÇK-së.

Selveri në radhët e UÇK-së u mobilizua me bashkëshorten e tij, Xhyhere Vezaj. Kur kumtuan lajmin se kishin fëmijë, Selverit iu lutën që të mos e merrte bashkëshorten. Ai qe përgjigjur se ishte dëshirë e saj të luftonte për çlirimin e Kosovës dhe se nuk ishte e detyruar prej askujt.

Pas bisedës u vendos që bashkëshortja, Xhyherja të kthehet te fëmijët, e ne të nisemi për në front. Kështu që në mes të muajit prill të vitit 1999. u nisëm në bazën e stërvitjeve të UÇK-së, në Kalimash të Kukësit.

Atë ditë që arritëm atje nga komanda e UÇK-së u detyruam që të kthehemi përsëri në Kukës, për shkaqe sigurie, sepse një ditë më parë ishte sulmuar njëra bazë e stërvitjeve të UÇK-së në atë zonë pikërisht në fshatin Kolsh, afër Kukësit, ku sulmi i forcave serbe ishte kryer me raketa tokë-tokë.

Meqë Selveri kishte kryer shërbimin në armatën ish-jugosllave kishte një provojë më të mirë me radio-lidhje, nga Komanda e kërkuar si vullnetar për atë sektor pasi kishte njohuri, përvojë dhe nga komandant i Togut, Selveri u zgjodh zëvendës Shef i Ndërlidhjes, në kuadër të Brig.128.

Pas kryerjes së stërvitjeve të domosdoshme nga bazat e Burrelit të Shqipërisë do të transferohet sërish në Kalimash të Kukësit dhe nga atje përmes Kukësit e Krumës do të futeshim në luftime në vijën e frontit për të marrë pjesë në “Operacionin Shigjeta”, udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Forcat e UÇK-së të Brigadës 128 ose TEF.III. zgjerojnë vijën e frontit nga pika e fundit e operacionit “Shigjeta” nga Drini i Bardhë, Liqeni Artificial i Vermicës e deri në Malet e Pashtrikut.

Njësitet luftarake të UÇK-së zhvillonin luftime të rrepta kundër forcave serbe në malet e Pashtrikut në vijën e frontit pranë fshatit Gorozhup.

Më 26 Maj 1999, Selver Maçkaj pëmes radio-lidhjes mori lajmin se në lagjen “Tusus” forcat serbe ia kishin djegur shtëpinë dhe bashkë me të edhe motrën e hendikepuar, Fazilen 31-vjeçare. Ishte ky një lajm i rëndë i cili e tronditi, por ai nuk u demoralizua.

Gjatë luftimeve që po zhvilloheshin në zonat e Pashtrikut dhe të Dukagjinit, një kontribut të madh dhanë edhe forcat e NATO-s në sulmet e tyre ajrore.

Beteja e 31 Majit e vitit 1999 është ndër betejat më të mëdha dhe më të lavdishme të UÇK-së në këtë zonë të luftimeve. Herët në mëngjes forcat e UÇK-së kishin bërë lëvizje përpara dhe iu ishin ofruar forcave serbe.

Në krye të disa togjeve të Brigadës që do të rreshtoheshin në krahun e djathtë të vijës së frontit, ishte caktuar Selver Maçkaj. Edhe pse ishte në skuadrën e radio-lidhjeve, gjatë operacionit, Selveri komunikonte me nofken “FUSHA”. Sulmi i furishëm kishte filluar nga forcat e UÇK-së kundër pozicioneve të armikut. Në këtë betejë u përdor tërë arsenali ushtarak. Edhe armiku përdori tërë arsenalin e tij, nga minahedhësit, topat e kalibrave të ndryshëm e deri te raketat e tipit “Kaqusha”.

Malet e Pashtrikut ishin në flakë. Me 31 Maj 1999 në këtë betejë të Gorozhupit bien heroikisht 5 dëshmorë: Selver Bajram Maçkaj, shef i Ndërlidhjes Ajrore, Shpend Berisha, komandant i Kompanisë, Sali Saramati, komandant i Artilerisë, Gani Samarati dhe Beron Gashi, ushtarë guximtarë që ja falën jetën Kosovës. Selveri rrethuar me kurorat e tij të bukura të lirisë, së bashku me dëshmorët e tjerë, nga bashkëluftëtarët varroset me nderime ushtarake në Kukës, me 1 qershor të vitit 1999.

Varrimi i dëshmorëve në Kukës është fiksuar në objektivin e kamerës nga luftëtari i UÇK-së, Zijadin Hoxha, i cili një kopje të filmit ia ka dhuruar familjes së dëshmorit. Selveri ka lënë babain, Bajramin, nënë Selvishanë, motrën Besire, bashkëshorten Xhyheren, bijtë: Florentin, Jaserin dhe bijën Silvanën, të cilët ndihen krenarë për djalin, vëllain dhe babanë e tyre, dëshmor i kombit.

Pas luftës, trupi i dëshmorit Selver Maçkaj dhe i katër dëshmorëve të tjerë rivarrosur nga Kukësi në Varrezat e Dëshmorëve, në Landovicë ku prehet në përjetësi së bashku me dëshmorët e tjerë.

Një kontribut për ndihmën dhe ngritjen e familjes së dëshmorit pas luftës ka dhënë miku i tij, Vahid Vezaj.

Familja e Bajram Maçkajt për djalin dëshmor ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga Brigada 128 dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …