Xhemajl Metë Fetahaj (27.5.1964 – 31.5.1999)

Xhemajl Metë Fetahaj (27.5.1964 – 31.5.1999)

Dëshmori i kombit Xhemajl Fetahaj, u lind më 27 maj të vitit 1964, në një familje të ndershme, e njohur për tradita të larta atdhetare e bujari dhe të mëkëmbur ekonomikisht në fshatin Raushiq të Pejës, e cila ndër breza dha kontribut të çmueshëm në luftën për liri e çlirim kombëtar dhe nuk u gjunjëzua asnjëherë para shtypjes, persekutimeve, vrasjeve, mohimit të të drejtave nga ana e regjimeve pushtuese serbo-malazeze. Më 1913, hordhitë gjakatare serbo-malazeze të Savë Batares gjatë fushatës për pushtimin e Kosovës i ekzekutuan gjashtë anëtarë të kësaj familje.
Prindërit Metë dhe Hale Fetahaj, i lindën dhe i rritën shtatë fëmijë, gjashtë djem e një vajzë, të cilët i edukuan në frymë të shëndoshë kombëtare, të cilët iu përgjigjën zërit të atdheut sa herë e kërkoi nevoja dhe e mira e tij, duke u vënë në shërbim me pasuri e jetë.
Xhemajl Fetahaj, apo Xhema, siç e thërrisnin familjarët, shokët e bashkëluftëtarët, nuk u pajtua kurrë me regjimin okupues serb. Shquhet për vendosmëri, inteligjencë, devotshmëri, stabilitet, maturi dhe vetëdije të lartë kombëtare e njerëzore, për të sakrifikuar deri në flijim për lirinë e atdheut. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij atdhetare e gëzoi përkrahjen e pa rezervë të familjes, por edhe të shokëve të luftës e të idealit.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, shkollimin e mesëm në Shkollën e Mesme Ekonomike në Pejë, ku u bashkua me shumë nxënës nga Deçani, Istogu, e vende të tjera të Kosovës, të cilët ishin të përjashtuar e të burgosur politikisht më herët. Që në vitin 1982, Xhema ishte kyqur në radhët e lëvizjes ilegale të kohës, si nxënës i shkollës së mesme. Në një letër të shkruar dhjetë vjet më vonë, më 17 janar 1992, me titull: “Koha ecën, bota ndërron!”, Xhema shkruan: “Sonte mbushen dhjetë vite që kur fillova të zhvilloj aktivitet patriotik për të mirën e atdheut e të popullit shqiptar. Atëbotë isha në aksion në këtë kohë, në këtë orë. Aksionin e shkruarjes së parullave e përfunduam me sukses dhe u kthyem në shtëpi aty nga ora dhjetë dhe dëgjojmë lajmet. Atë natë mësuam për vrasjen e tre luftëtarëve të palodhshëm për lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar, Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut. Rënien e tyre, dhembjen e tyre atë mbrëmje vendosa ta shumëfishoj në urrejtje kundër armiqve të popullit, dhe si shenjë kujtimi çdo përvjetor i kujtoja me aksion. Me këtë doja t’u tregoja se shokët Jusufi, Bardhoshi e Kadriu nuk kishin pushuar së ekzistuari, ata edhe më tutje jetonin dhe vepronin. . . ”
Përveç aktiviteteve ilegale, bashkë me shokët, bënte përpjekje për të organizuar diçka më të qëndrueshme, një organizim më të thellë. Në këtë kontekst Xhemajli e formon një grup ilegal, në kuadër të të cilit organizohen djem të fjalës e të besës, të cilët shquhen për guxim e besnikëri, në një varg veprimtarish atdhetare e detyrash të rëndësisë së veçantë.
Krahas angazhimeve në radhët e organizuara ilegale, në vitin 1983, i vazhdon studimet në Degën e Historisë, në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit të Prishtinës. Gjatë qëndrimit në Prishtinë kishte krijuar një rreth të gjerë bashkëveprimtarësh në radhët e studentëve.
Në ndërkohë, për shkak të aktiviteteve të shumta atdhetare bie në sy të agjentëve të sigurimit shtetëror. Më 27 janar 1984, Xhemajli burgoset së bashku me të vëllanë Demën dhe bashkëveprimtarë të tjerë. E dënuan me 6 vjet burgim për “kundërrevolucion”. Në sallën e gjyqit, Xhemajli iu kishte drejtuar gjykatësve: “Ju mund të më dënoni sa të doni, por në veprimtarinë time patriotike nuk mund të më ndalni kurrë. Nëse kam fat të dal nga burgu veprimtarinë time për pavarësimin e Kosovës s’do ta ndali për asnjë çast!”. Këtij betimi të bërë në gjyq iu përmbajt besnikërisht deri në rënien e lavdishme.
Në burg qëndroi i pathyeshëm. E kishte pasion leximin, mësonte edhe gjuhë të huaja. Ishte i afërt me shokë, prandaj gëzonte respekt të veçantë nga të gjithë. Pas vuajtjeve, torturave e peripecive të shumta të kaluara nëpër burgjet jugosllave-titiste, Xhema doli edhe më i fortë. Ishte nga ata veprimtarë të ilegales, që ishte i bindur se koha po punonte për ne, ishte i bindur se krijesa artificiale – Jugosllavia me të cilën shqiptarët nuk kishin asgjë të përbashkët pos robërisë, e kishte marrë tatëpjetën, por duhej edhe shumë punë, shumë mund e sakrifica.
Xhemajl Fetahaj ishte nismëtari i parë i lëvizjes gjithë popullore për pajtimin e gjaqeve, i cili që në burg ia kishte vënë vetes për detyrë që në rastin e parë t’i pajtonte dy familje të hasmëruara në fshatin e tij. Thënia e tij para shokëve të burgut, në pranverën e vitit 1983, se unë nuk kam me i thanë vetes Xhemajl Fetahaj po s’i pajtova Buqollët, ishte kuptimplotë, qëllimmirë dhe shumë largpamëse në misionin e shenjtë për unifikimin e kombit. “Puna e parë që do ta bëj pas burgut, Buqollët do t’i pajtoj!”, i vendosur se duhej ndalur me çdo kusht vëllavrasjen.
Fjalët e tij do të bëjnë jehonë jo vetëm te shokët e burgut por të të gjithë të rinjtë që në mënyrën më të mirë të mundshme do ti bashkëngjiten kësaj lëvizje kombëtare. Xhema pasi e vuajti dënimin prej katër viteve e gjysmë, do ta mbajë fjalën e dhënë para shokëve në burgun e Pejës. Me nismën e Xhemajl Fetahajt, Familja e Buqollëve në Raushiq të Pejës, ishte familja e parë e pajtuar në nismën për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, që shumë shpejt mori përmasa gjithë popullore.
Pas daljes nga burgu, Xhemajl Fetahaj me shokë dallohet në organizimin e demonstratave të viteve 1989-1990 në Pejë e më gjerë; dallohet shumë për kontributin e tij në kuadër të Lëvizjes Gjithë popullore për Pajtimin e Gjaqeve, si njëri prej nismëtarëve të kësaj Lëvizjeje; ishte ndër nismëtarët e aksionit humanitar për të ndihmuar minatorët e Trepçës “Familja Ndihmon Familjen”. Krahas gjithë kësaj, me shokët e radhëve të organizuara po i bënte përgatitjet për luftën e armatosur kundër pushtuesve serbë, sepse konsideronte se lufta ishte e pashmangshme.
Sërish punëtorët e të ashtuquajturit “sigurim shtetëror” serb, vëhen në ndjekje të Xhemës. Në tetor të vitit 1990, forca të mëdha të sigurimit dhe të milicisë serbe të Pejës e rrethojnë familjen Fetahaj në Raushiq. E bastisin dhe i keqtrajtojnë rëndë anëtarët e familjes me pretekst të kërkimit të armëve dhe për arrestimin e Xhemajlit, i cili nuk gjendej në shtëpi. Nëna e Xhemajlit, Hala, arrin të del nga rrethimi i hekurt i policisë serbe për ta njoftuar të birin. Xhemajli detyrohet të kalojë në ilegalitet, pa hequr dorë asnjëherë nga veprimtaria atdhetare.
Gjatë kësaj kohe, njoftohet me bashkë-udhëtaren besnike të jetës, Besën. Në urimin që i shkruan Besës për ditëlindje, nga Tirana, në janar të vitit 1993, ndër të tjera shkruan: “. . . Ti nuk duhet të shqetësohesh për mua fare se tani ky është fillimi i fundit i luftës për liri e pavarësi kombëtare dhe sikur të ndodh diç juve duhet ta dini se nuk do të më gjejë jashtë fushës së nderit kombëtar!”
Pas kësaj, Xhema përkundër dëshirës së tij detyrohet të emigrojë në Gjermani. Sapo vendoset atje, pa humbur kohë inkuadrohet në rrjedha të lëvizjes dhe së bashku me shokët që vepronin atje në kuadër të LPK-së e vazhdon aktivitetin atdhetar. Në saje të punës dhe të veprimtarisë së palodhshme për çështjen kombëtare, Xhemajl Fetahaj zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Në regjionin ku ishte i vendosur, caktohet përgjegjës për Fondin e luftës “Vendlindja Thërret” dhe rekrutimin e ushtarëve të rinj.
Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në mbledhjen e fondeve për luftën. Shumë shpejt atë e gjejmë ndër përfaqësuesit kryesorë të Fondit “Vendlindja Thërret” për diasporë, por edhe për sigurimin e armatimit nëpërmjet disa linjave të tij, por nuk u mjaftua vetëm me kaq, sepse ditën që të jetë në vijat e para të frontit, përkrah luftëtarëve trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kishte pritur me vite.
Pranvera e vitit 1999, e gjen në radhët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit, ku tregon guxim e heroizëm të rrallë, në thyerjen e kufirit të dhunshëm ndër-shqiptar. Ishte anëtar i Shtabit të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të Zonës Operative të Dukagjinit, përgjegjës për sektorin e zbulim-kundërzbulimit, zëvendëskomandant i Trupave Komando “Delta” të kësaj brigade dhe komandant i Togut të Parë.
Bashkëluftëtarët e kujtojnë si trim të paepur e organizator të shkëlqyer, i cili kurrë nuk ka bërë dallime ushtarë-eprorë, por gjithnjë ishte i sigurt në vetvete, gjakftohtë e sypatrembur në situata të rrezikshme me armiqtë.
Në vijën e parë të frontit, Xhemajli me tërë forcën u përpoq për zgjerimin e radhëve të luftëtarëve të lirisë dhe bashkimin e tyre në një front të përbashkët në luftë për liri. Gjithmonë ishte shembull me shembullin e tij personal. Gjithmonë ishte në vijat e para të frontit. Ishte i suksesshëm në një varg aksionesh si në luftën frontale ashtu edhe në prapavijën e armikut. Njësia e komanduar nga Xhemajl Fetahaj ishte e pazëvendësueshme në luftë.
Që në ditët e para të sulmit kundër forcave serbe në Koshare, Xhemajli disa herë kishte hyrë në brendi të territoreve të armikut. Vlen të përmendet aksioni i ndërmarrë ditën e tretë të sulmit në Koshare, më 12 prill 1999, kur forcat serbe ishin të pozicionuara në dy shtëpi. Njësiti i UÇK-së i drejtuar nga Xhemajl Fetahaj me një sulm rrufe i asgjësoi tërësisht forcat serbe. Xhemajli me njësitin e tij ishte pararojë në luftimet e zhvilluara në Koshare, si në karakollin e Koshares, si në luftimet e zhvilluara te Rrasa e Koshares, si në Gomure, në Ujëz te Rrasa e Zogut, ku forcat serbe pësuan humbje të mëdha. Janë të njohura deklarimet e tij të jashtëzakonshme për luftën për liri, të dhëna nga fronti i luftës në Koshare për mediet e huaja, të cilat kanë mbetur si testament i lirisë.
Dita e përjetësisë për Xhemajlin po afronte bashkë me përfundimin e luftës tejet të pabarabartë. Më 27 maj i kishte mbushur 35 vjet. Më 31 maj 1999, ai niset në vëzhgim me një grup bashkëluftëtarësh (Cenë Aliçkajn, Florim Matajn, Xhevdet Matajn e Milazim Shalën). Ata ishin nisur drejt Rrasës së Zogut, drejt majës më të lartë, ku bashkohen tokë e qiell… Te “Maja e Zezë” hasin në forcat elite të ushtrisë jugosllave të ardhura nga Beogradi dhe ushtarakë rusë. Ata e asgjësojnë një bunker të forcave serbe. Xhemajli dhe Milazimi ishin vënë në rrethim të hekurt. Së pari në fushën e nderit bie Milazim Shala nga Baballoçi i Deçanit. Ai nuk e lë dot vetëm. Bie heroikisht në përleshje me forcat pushtuese serbe, për të mos vdekur kurrë.
Dëshmorët e kombit Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala janë dëshmorët e parë, që u varrosën dy javë pas rënies në Kompleksin e Dëshmorëve në Koshare.
Xhemajli kur ishte nisur për në frontin e luftës e kishte lënë në Gjermani, nusen Besën (shtatzënë) me djalin Arianin 5-vjeç. Një muaj pas rënies u lindi edhe vajza, Erëza. Fëmijët e tij u rritën me dashurinë e pakufishme për babanë dëshmor dhe përkujdesjen e jashtëzakonshëm të nënë Besës. Po ashtu edhe familjarët e tjerë, nëna, motra e vëllezërit ishin mbështetje e fuqishme për Xhemajlin gjatë gjithë kohës, vëllezërit ishin përkrah tij edhe në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për Xhemajl Fetahajn janë shkruar dhjetëra shkrime, poezi e janë kënduar këngë. Për të kanë shkruar Faton Mehmetaj, Hasan Hasani, Hasan e Lajde Blakaj; Ibish Neziri i ka kushtuar monografinë “Këtu jam për t’i luftuar armiqtë – Monografi për dëshmorin e kombit Xhemajl Fetahaj”, botoi Shoqata e të Burgosurve Politikë, Prishtinë, 2013; Regjisori Esat Brajshori, bashkëvuajtës në burgjet serbe me Xhemajlin, ia kushtoi dokumentarin “Liri për Kosovën”, etj.
Xhemajl Fetahaj është dekoruar me Urdhrin “Hero i Kosovës”, nga Presidentja Atifete Jahjaga, me rastin e 5-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Heroi i kombit Xhemajl Fetahaj gjithnjë përkujtohet e nderohet me pietet të lartë për gjithë jetën, veprimtarinë dhe rënien e lavdishme për lirinë e atdheut. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …